Treg

Gruri që qeveria nxiti për t’u mbjellë mbeti stok, fermerët bëjnë roje nate në fushat e hapura

Nga Megi Iskurti - Në fshatrat e Fierit dhe Lushnjes, gruri ka mbetur stok. I gjithë mundi i fermerëve ndodhet në qiell të hapur, aty ku gruri i tharë, gati për t’u tregtuar, rrezikon që të dëmtohet edhe nga një vesë e mundshme shiu.

Pas çmimit të lartë të drithërave për shkak të krizës botërore të furnizimeve, qeveria nxiti fermerët të shtonin sipërfaqet e mbjella me grurë.

Në 29 korrik të vitit të shkuar, Ministria e Bujqësisë njoftoi se çdo fermer që do të mbjellë grurë, do të përfitojë 30 mijë lekë për 1 Ha të mbjellë.

Por një vit më vonë, ndërsa sipërfaqet u shtuan, çmimi i grurit është ulur me 50%.

“Për shkak të nxitjes që u bë nga qeveria, shtova sipërfaqen e mbjellë me grurë. Nga 35 HA, mbolla 40. Vjet çmimi i shitjes së grurit arriti 50 deri 55 lekë për kg, ndërsa sivjet po shitet nga 25 deri 27 lekë për kg, çmimi më i ulët i viteve të fundit. Plehrat janë shtrenjtë, pesticidet shtrenjtë, plugimet po shtrenjtë.

Tani i gjithë prodhimi, 2000 kuintalë grurë, ka mbetur në fushë të hapur sepse nuk ia vlen ta shesësh e ndërkohë nuk kemi as magazina ruajtëse”, thotë për Gazetasi.al Artan Gjoni, një fermer nga Lushnja.

Gruri ka mbetur në qiell të hapur, gati për t'u tregtuar

“Fermerët po flenë pranë grurit, roje nate e dite”

Në mungese të kapaciteteve magazinuese dhe njëkohësisht sasive të tepërta të grurit të prodhuara këtë vit, disa nga fermerët e kanë lënë në fushë të hapur e të tjerë pranë oborreve të tyre.

Në pritje të rritjes së çmimit, shumë prej tyre tashmë po bëjnë roje nate.

“Çmimi me të cilin shitet tani nuk justifikon as kostot. Kam më shumë se 40 dynymë grurë.

Për më shumë se disa ditë po fle pranë grurit të korrur në pamundësi për ta magazinuar dhe pa interes për ta shitur me këtë lloj çmimi”, thotë për Gazetasi.al Skender Hoxha, një tjetër fermer, i cili shton se si ai, të njëjtën gjë po bëjnë edhe shumë fermerë të tjerë.

Ai thotë se mbështetja e Ministrisë me 30 mijë lekë për një HA mbulonte vetëm 5% të kostos që ai ka investuar pasi vetëm një kuintal ure i ka kushtuar 13 mijë lekë.

Thasë të mbushur me grurë, të mbetur stok

“Kompanitë e blojës të blejnë grurin vendas”

Pak para se të niste sezoni i korrjes, Ministria e Bujqësisë në një takim të zhvilluar me kompanitë e blojës u kërkoi atyre që të blejnë grurin vendas, si zgjedhjen primare të lëndës së parë për fabrikat e tyre të blojës së miellit dhe prodhimit të bukës.

“Kemi rënë dakord së bashku që prioritet në këtë sezon të korrjeve të grurit patjetër që do t’i japim mbështetje prodhimit vendas dhe fermerëve tanë, të cilët na kanë dëgjuar dhe janë orientuar drejt prodhimit të grurit gjatë sezonit të kaluar”, pohoi më herët Krifca.

Por anëtarë të Shoqatës së Përpunimit të Miellit pohojnë se deri tani sasia e blerë nga prodhuesit vendas është shumë e pakët pasi nuk arrihet të garantohet cilësia e duhur për grurë që më pas të përpunohet për miell buke apo të përdorimit të produkteve të tjera.

Deputeti i PD, Saimir Korreshi, u paraqit në Kuvend me një buqetë me grurë në duar(3 korrik) për të treguar falimentimin e fermerëve. “Janë nga fermerët e Myzeqesë drejtuar qeverisë, veçanërisht ministres të Bujqësisë, që u tha të gjithëve të mbjellin grurë edhe në prill"

Për fabrikat e blojës mungesa e cilësisë është ndikuar nga kushtet klimaterike dhe shirat e shumta që pati këtë vit para sezonit të korrjes.

Në një artikull të mëhershëm, ekspertë të fushës kanë pohuar për Gazetasi.al se në Shqipëri nuk ia vlen të mbillet grurë.

Abdyl Sinani, ekspert i Teknologjisë Ushqimore tha se për aq kohë sa nuk ka politika mbështetëse, fermerët nuk duhet të mbjellin grurë.

“Fitimi për një ton grurë të prodhuar është vetëm 200 dollarë, gjë ka sjellë humbjen e interesit nga ana e fermerëve. Ata po orientohen gjithnjë e më shumë drejt kulturave të tjera që janë më fitimprurëse.

Nëse fermeri bën 4 ton grurë, ai do të fitojë 800 dollarë që është shumë pak duke llogaritur të gjitha kostot e larta që ka patur”, deklaroi Sinani.

Aktualisht, sipas të dhënave nga Ministria e Bujqësisë, vitin e shkuar totali i të mbjellave me grurë arriti në 57,500 hektarë.

Fermerët e Fierit, Lushnjes dhe Divjakës janë prodhuesit më të mëdhenj të grurit në vend me një sipërfaqe totale prej 17 mijë hektarësh.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë