Financa Personale

Bursa e lypsave / Kriza e çmimeve më e keqe se kriza e pandemisë

Nga Gazeta 'Si' - Ata janë të fundit në zinxhirin ushqimor të shoqërisë.

Dikur, të paktën deri para fillimit të pandemisë, çfarë mbetej në kazan urban të mbeturinave ishte oaz. Pas dy krizave, pandemisë dhe inflacionit, ujët e oazit gati është shterur për lypësit..

Në një vëzhgim që Gazetasi.al bëri në disa nga parqet e Tiranës ku shumë prej tyre kalojnë natën, konstatoi se ata shprehen me shqetësim për përgjysmimin e ushqimeve që gjejnë nëpër kazanet e plehrave.

LEXO EDHE:
Ekonomia brenda një kazani plehrash e treguar nga lypsat

“Është me keq se dhe gjatë pandemisë”

Por ndonëse nuk kanë informacionet më bazike për çka thuhet në lidhje me ekonominë, për lypësit e Tiranë kazanët e mbeturinave janë bursa e tyre e përditshme.

Në një nga zonat më të mira, aty ku ata e dinë se në baret përgjatë rrugëve ka konsum, mund të hasesh me lypës të shumtë që vijojnë kërkimin për shishe plastike apo kanaçe të pijeve energjitike.

Njëri prej tyre, ndërsa po rrëmonte për ndonjë të tillë të mbetur, tha për Gazetasi.al se shuma që fitonte nga mbledhja e tyre, kishte rënë ndjeshëm krahasuar me periudhën e Covid, kur njerëzit konsumonin dhe dilnin më pak.

“Çmimet janë rritur dhe njerëzit nuk po blejnë më nëpër dyqane. Edhe pse vij i pari që në mëngjes në mënyrë që të mos m’i marrin të tjerët, nuk fitoj shumë. Maksimumi 100 lekë në ditë ndërkohë që gjatë pandemisë, mblidhja mjaftueshëm sa për të fituar edhe treqind lekë”, tha ai duke shtuar se tani nuk ia vlente barra qiranë.

Mandej thotë për Gazetasi.al se “nëse dikur mund të gjeje më shumë lloje ushqimesh të ndryshme, tani në kazanet e mbeturinave gjen me pak fat vetëm mbetje frutash”.

Për bukën, e cila shton se nuk tepron më si më parë, ai thotë se ndërsa në periudhën e pandemisë ishte vetëm e ndenjur, tani është është aq e ftohtë saqë as nuk mund të konsumohet.

Pranë zonës së Ali Demit, Andrea, një djalë 16 vjeçar i cili po mblidhte ushqime të mbetura duke i futur në një trastë, tha për Gazetasi.al se me ato që gjen, nuk mund t’i ngopë mjaftueshëm dy motrat e tij të vogla të cilat e presin në shtëpi.

“Edhe gjatë pandemisë mblidhja ushqime të ndryshme. Bukë, perime dhe ndonjëherë edhe mish të gatuar.Tani gjej vetëm ndonjë frut. Nuk kërkoj para, e kaloj gjithë ditën duke kërkuar nëpër kazanë”, thotë ai për atë që e quan “punë”.

Por duke parë faktin që nuk po ia del dot të dërgojë ushqime të mjaftueshme në shtëpi, ai thotë për Gazetasi.al se do të filloj të lypë bashkë me prindërit e tij dhe njërën nga motrat.

“Duhen para për bukë se këtu nuk po gjejmë më”, përfundon më tej ndërsa bën një kapërcim nga njëri kazan, tek tjetri.

Kërkimi nëpër kazanë duket se shpeshherë nxit edhe një “luftë territori” mes tyre. Ka lypës të caktuar që rrëmojnë në kazanë të caktuar, përgjithësisht brenda lagjeve që kanë më afër me shtëpinë.

Këtë e tregon për Gazetasi.al Vasili, një 40 vjeçar i cili jeton në Shkozet.

“Ne më të vjetrit e dimë që nuk mund të kërkosh tek kazanet e të tjerëve sepse secili ka rriskun e tij. Po kërkojmë përditë por gjë nuk po gjejmë.

Na është vështirësuar shumë jetesa nga para dy vitesh. Dalim bosh e shkojmë më duar bosh në shtëpi”, thotë ai ndërsa tregon se tani dhe lëmosha e njerëzve është më e rrallë.

Që çmimet e larta kanë frenuar konsumin, e kanë pohuar disa herë për Gazetasi.al edhe shitësit e vegjël me pakicë.

Gazetasi.al e ka konsideruar si një “inflacion rebelimi” këtë sjellje të qytetarëve për të mbajtur të shtrënguar financat e tyre.

(botuar më 29 tetor 2022)


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë