Mendim

Në kohë krizash, dëgjoni Shkencën!

Nga Lars Heikensten*- Shpallja e laureatëve të këtij viti të Çmimit Nobel duhet të na kujtojë kontributet e shumta që shkenca bazike ka dhënë në jetën bashkëkohore. Me COVID-19 që shkatërron shumë njerëzimin dhe bota pret me padurim një përparim që mund t’i japë fund pandemisë, ne nuk mund ta marrim më shkencën si të mirëqenë. Dhe bashkësia globale e shkencës, nga ana e saj, është ngritur me rastin në mënyra të papara, jo vetëm për të zhvilluar vaksina, terapi dhe diagnostikim, por edhe për të përmirësuar kuptimin tonë të virusit dhe strategjitë më të mira për të mbrojtur veten.

Por bota është prekur edhe nga kriza të tjera që nuk duhet të injorohen. Muaji i kaluar ishte shtatori më i ngrohtë i regjistruar ndonjëherë. Dhjetëra miliona njerëz në të gjithë botën tashmë po përjetojnë efektet katastrofike të ndryshimit të klimës të shkaktuar nga njerëzit, nga zjarret e furishme dhe ngritja e niveleve të detit në valët e rrezikshme të nxehtësisë, thatësira dhe përmbytje. Duke pasur parasysh emetimet aktuale dhe ato të parashikuara të gazrave serë, simptoma më ekstreme të këtij lloji janë të pashmangshme dhe rritja e frekuencës dhe intensitetit e shumë prej këtyre,  mund të jetë e pakthyeshme.

Ekzistojnë gjithashtu kriza të thella shoqërore dhe ekonomike. Pandemia ka goditur ekonomitë kombëtare, përkeqësoi shumë forma të pabarazisë dhe ka mbjellë mosbesim dhe trazira sociale në të gjithë botën. Ne mbështetemi gjithnjë e më shumë në teknologji për të kryer jetën tonë të përditshme, për të edukuar fëmijët tanë dhe për t’u lidhur me njëri-tjetrin, por ende nuk kemi bërë mjaft për të parandaluar që e njëjta teknologji të përdoret për të amplifikuar keqinformimin e rrezikshëm, për të ndezur trazira sociale dhe për të lënë komunitete të brishta edhe më të prapambetura.

Ashtu si shkencëtarët dhe studiuesit janë bashkuar në mënyra të pashembullta për të luftuar pandeminë, ashtu duhet të mobilizojmë mendjet tona më të mira për të trajtuar këto urgjenca të tjera globale. Ashtu si COVID-19, asnjë prej  tyre nuk mund të ndalet diku, pa u ndalur  kudo.

Duke marrë mësime nga përgjigja globale e pandemisë dhe përpjekjet e rimëkëmbjes, organizatat tona do të organizojnë një samit virtual të Çmimit Nobel pranverën e ardhshme, me temën “Planeti ynë, e ardhmja jonë”. Ngjarja do të sjellë së bashku laureatët e Nobelit, mendimtarët kryesorë, politikëbërësit, novatorët e biznesit dhe udhëheqës të të rinjve për të diskutuar se si mund të bëhet përparim kundër ndryshimit të klimës, pabarazisë dhe dëmtimeve të mundshme të teknologjive të reja të fuqishme. Qëllimi përfundimtar do të jetë ndërtimi i një të ardhmeje më elastike, të qëndrueshme për të gjithë.

Në epokën tonë Antropocene, ne e pranojmë që njerëzimi është bërë forca e vetme më e rëndësishme që vepron në planet. Ne gjithashtu duhet të pranojmë që shkeljet tona ndaj natyrës janë emëruesi i përbashkët, në themel të krizave të sotme globale. Ka  prova në rritje që tregojnë se jo vetëm ndryshimi i klimës, por edhe shpërthimet e sëmundjeve, janë të lidhura me zhvillimin njerëzor dhe humbjen e biodiversitetit.

Ndërsa tamponët natyrorë midis njerëzve dhe kafshëve që mbartin sëmundje gërryhen, pandemitë aq të këqija sa ato aktuale mund të bëhen edhe më të mundshme. Për shkak se ne jetojmë në një botë të tillë të ndërlidhur, ajo që fillon si një emergjencë lokale e shëndetit publik mund të evoluojë me shpejtësi në një krizë ekonomike globale me pasoja të gjera shoqërore.

Kriza aktuale duhet të jetë një moment transformues për njerëzimin. Ne po shohim nga afër se sa varet e ardhmja jonë individuale nga shëndeti dhe siguria kolektive e të gjithë njerëzve dhe nga bota jonë natyrore. Megjithëse shkenca nuk mund të japë të gjitha përgjigjet, ajo është qartë mjeti më i rëndësishëm që kemi, jo vetëm për ndalimin e pandemisë, por edhe për ndërtimin e rezistencës në infrastrukturën dhe ekonominë tonë.

Pandemia COVID-19 ka ofruar gjithashtu shumë mësime, që do të jenë të dobishme në përgatitjen për një të ardhme të shënuar nga ndryshimi i klimës, humbja e biodiversitetit, përçarja teknologjike dhe pabarazia. Për shembull, siç pamë në shumë vende, natyra shpejt “lulëzoi sërish” gjatë fazave të hershme të pandemisë, për shkak të bllokimeve në mbarë shoqërinë. Ne gjithashtu pamë që virusi dhe degëzimet e tij më të gjera ngarkuan në mënyrë disproporcionale qytetarët më të rrezikuar, përfshirë pakicat racore dhe të varfrit. Tani duhet të kemi parasysh se çfarë na tregojnë këto efekte të pabarabarta për infrastrukturën tonë aktuale dhe rregullimet shoqërore. Si mund të rimendohen  institucionet për të siguruar barazi më të madhe për të gjithë?

Ne gjithashtu kemi mësuar se besimi i publikut në shkencë është thelbësor, siç është një kuptim themelor i rrezikut dhe pasigurisë. Pa dakordësi publike, do të ketë pak mundësi për menaxhim politik efektiv të krizave të ardhshme. Informacioni  i gabuar, i  shpërndarë gjerësisht  me ndihmën e teknologjive të sotme të informacionit dhe të komunikimit, ka krijuar një “infodemi” brenda pandemisë, duke zvogëluar besimin e publikut në shkencë dhe duke e bërë shumë më të vështirë për zyrtarët e shëndetit publik të përmbajnë virusin. Si mund të luftojmë rrëfime të rreme ose mashtruese dhe të komunikojmë gjetjet shkencore,  në mënyrë më efektive me politikëbërësit dhe publikun?

Megjithëse festimet tona të laureatëve të Nobelit të këtij viti do të mbahen virtualisht, ata nuk do të jenë më pak entuziaste se në të kaluarën. Dhe, pavarësisht infodemisë, vlerësimi i shumicës së njerëzve për shkencën është rritur gjatë kësaj krize. Shkencëtarët janë bërë bashkë si kurrë më parë për të ndihmuar në ndalimin e COVID-19. Për të kapërcyer pandeminë dhe për të përmbushur sfidat e tjera globale me të cilat përballemi, ne duhet të ndjekim shembullin e tyre  dhe udhëheqjen e tyre./Project Syndicate

*Lars Heikensten, drejtor Ekzekutiv  i Fondacionit Nobel/ Marcia McNutt, presidente e Akademisë Amerikane të Shkencave/ Johan Rockström, drejtor i Institutit Postdam për Kërkim në Impaktin Klimaterik.  


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë