Nga Edmond Prifti - Nëse vendosni të ndërmendi vetë këtë udhëtim: Mos përdorni GPS-in dhe përgatituni për një tatëpjetë me disnivele të ndryshme! Harrojeni Accuweather, pasi ngaherë iu gënjen… vishuni lehtë, mos harroni ujin e pijshëm (për të mos e hedhur më tej ato pas ferrave, kuturu), syzet, këpucët apo atletet e malit, si dhe ndërresa të tjera, pas djersitjes. Këto lloje udhëtimesh nëpër shtigjet e malit, janë ngaherë të bukura, por shpesh sa më të vështira të jenë ato për t’u arritur, aq më të magjishme janë, apo sipas shprehjes: “Nëse kërkoni lumturinë, atë nuk e gjeni në majë të malit, por përgjatë ngjitjes së tij…”.
Si shkohet?
Kështu nisëm një udhëtim për në atë që quhet “vitet e fundit”, Syri i Ciklopit, një vend 28 kilometra në lindje të Tiranës, përgjatë autostradës Tiranë-Elbasan. Autostrada e re drejt Elbasanit, që nga hapat e parë të nisjes sonë, dukej se do t’i ngatërronte keqas gjërat, pasi te hyrja e tunelit të Krrabës, do duhet të kthehesh pas, pasi rruga që ndodhej dikur në të djathtë është tashmë një rrugë… e cila, ndodhet pothuajse 3 metra, sipër tokës.
Kështu që… mos i besoni kësaj radhe GPS-it, por merrni rrugën e vjetër drejt Mushqetasë, deri te lapidari, e më pas majtas, drejt fshatit Krrabë, ku rruga është e shtruar me asfalt elektoral (por në gjendje mjaft të mirë) që zbret për poshtë, drejt Skuterrës, fshatit tonë, të fundmë… Lini makinën tuaj në qendër të fshatit, ku në të djathtë keni qendrën shëndetësore të komunës Krrabë, duke vijuar rrugëtimin deri në Qafën e Skuterrës, aty ku do t’iu shfaqet poshtë këmbëve tuaja Gryka e Murdharit, apo nëse keni guximin ta fusni makinën tuaj vend e pa vend, vijoni deri sa të shkojë rruga e fshatit (në gjendje të dëmtuar), në afërsi të ullishtave, në lagjen Zallb, të fundmen pjesë “të shtruar” të Skuterrës, - gati 1.5 kilometra nga qendra (të cilën pa makinë, do duhet ta bëni më këmbë). Mundësia e fundme është të merrni autobusin e linjës 11, por që Bashkia e Tiranës nuk ofron asnjë mundësi informimi se ku mund ta merrni atë, ndonëse kjo zonë njihet si një zonë turistike e veçantë, e publikuar madje edhe nga faqja zyrtare, “1, 2, 3 ditë në Tiranë”, ku përshkruhet edhe Syri i Ciklopit. E nëse nuk doni “të lodhni” makinën tuaj, veten, apo të ngeleni pa telefon (harrojeni t’iu punojë telefoni me internet poshtë luginës), një mundësi e mirë janë edhe guidat e shumta turistike, që e ofrojnë si paketë turistike kundrejt 800-1200 lekëve për disa orë, në këtë vend mahnitës, të cilat gjenden kollaj në rrjetin social “Facebook”.
Vetë emri Skuterrë apo siç njihet edhe ndryshe Skëterrë, të çon drejt një toponimi Skutë e errët apo një vend i rrahur nga shirat, bubullimat e qielli i vrenjtur (e disata herë në këtë vend, në stinë të ndryshme dhe ngaherë qielli ka qenë i vrenjtur apo kohë me shi – mbase, rastësi e çuditshme) jehona bubullimash e kuje misterioze, që fsheh në brendësi të saj, legjenda e histori të trishtueshme.
Megjithatë, nga faqja tirana.al thuhet se emri i fshatit Skuterrë vjen nga “bari dhensh”. Sidoqoftë emërtimit zyrtar, fshatrat e komunës Krrabë janë të gjitha të vendosura rrëzë maleve dhe kodrinave që e rrethojnë, duke qenë edhe sot zona kryesisht me kullota malore, e ish-miniera. Skuterra, gjithashtu është pjesë e Komunës Krrabë (emërtim i ardhur nga një shkop me kthesë, e përdorur nga barinjtë, ashtu siç është edhe vetë Kërraba, si e tillë), pothuajse një lagje e bashkuar e asaj që njihej ndryshe si miniera e famshme, apo vendi ku u konceptua dhe u ndërtua për herë të parë… mbarështimi i krimbit të mëndafshit.
Ndonëse “është një vend i egër” magjepsës, vetëm fshati Skuterrë në zonën e verdhë, ka tre atraksione turistike, Grykën e Murdharit, Syrin e Ciklopit dhe Kalanë ilire të Skuterrës.
Me banorët, në gjurmët e legjendës
Afërsia me Tiranën është në dukje thjesht gjeografike, pavarësisht se rruga deri në fshatin Skuterrë, që ndodhet poshtë Krrabës, është e shtruar deri te lokalet në qendër të fshatit, ku kuvendojnë veçse burra që nxjerrin kokën nga dritaret së bashku me stekën e bilardos. Fundjavave, zakonisht ata janë mësuar me vizitorët e shumtë, ku disa syresh ecin edhe si të çoroditur, pasi pyesin banorët sesi mund të shkohet deri në qafën e malit, ndonëse tabelat dhe shenjat e kuqe të rrugës së malit, e rrëfejnë vetë, shtegun për te Syri i Ciklopit…
Në pamje si gjithë fshatrat, ndërsa në hyrje të bëjnë përshtypje pallatet 3-katëshe, tipike të atyre që u ndërtuan “për qytetet minerare”, ndërsa më sipër sheh shtëpi pothuajse prej “qerpiçi”, - kushedi sa të vjetra, - ashtu siç ishte edhe shtëpia e Ndriçim Dedës, që ndërsa dëgjonte muzikë popullore nga radio, të fton ta shoqërosh me një gotë raki (por që kur shkon për foto e video… do kesh ngaherë dikë nga pas, që do të thotë: Hë mbarove?) dhe të kuvendojë për politikë. E kudo, vjetërsia e këtyre shtëpive, pothuajse njëra pas tjetrës, ka shumë ngjashmëri. Por, Çimi nuk do të ndahet. Kur fillon i kërkon leje për ta xhiruar, nuk e ka problem, ndryshe nga komshinjtë e tij që thonë se “je i 6000-ti, që ke ardhur e nuk duam publicitet”, por më pas ankohen se fitojnë mjaft pak…
Çimi, ndryshe të thotë se “Syrin e Ciklopit e dëgjojmë nga ju”, e kjo histori sipas banorëve mori pikënisjen që pas ndarjes administrative, e madje ta zbulojnë që ka qenë Alfred Brahja, kryetari i komunës Krrabë, (ku përshihen 4 fshatra, me gjithsej 3062 banorë dhe 1517 familje) ai i cili pati mendimin “e ndritur” që, Syri i sotëm i Ciklopit, përgjatë përroit të Murdharit e degë e lumit Erzen, e donte një legjendë, nga pas… Para se t’i ngjitesh një maloreje të fortë për te shtëpitë e fundme të Skuterrës, - ku beson se je me 4x4, por që në fakt po i ngjitesh një maloreje të fortë me makinë të ulët, ndalon pranë një nëne nga ato tipiket e fshatrave të Tiranës, me çitjane dhe shall të bardhë, për ta pyetur tinëz nëse ajo është rruga që të çon për te Syri i Ciklopit dhe të thotë që “Nona nga ju e ka dëgjuar se i thoni Syri…”.
E kupton e qesh me këtë legjendë, por që të duket edhe kjo interesante, duke kujtuar apo besuar se dikur… njerëzit gjigantë kanë ekzistuar… E lëmë pas “nonën tironse”, për ta parë më vonë në majë të malit, me dy lopët e saj dhe duke u çuditur se si janë mësuar të ecin aq shpejt në këto rrugë malore. Banorët e këtushëm, ata syresh, që kanë ngelur nga migrimi e emigrimi, thonë se pjesa më e madhe e banorëve janë ish-minatorë të Minierës së Krrabës, ashtu si edhe Ndriçim Deda. Ndërsa legjenda “e shpikur” thotë se ciklopi përfundoi poshtë humnerës e disa thonë syri, disa zemra… por edhe historia e vërtetë e fshatit është po aq e frikshme, si edhe magjia e atjeshme është mjaft e bukur për një frymëzim me vete, ku Pellgu i Zi (Hurdha e zezë) ka qenë ngaherë një vend i rrezikshëm e plot mistere, për banorët e këtyre fshatrave (jo më kot, pranë Krrabës ndodhet një shpellë e quajtur Shpella e mbytjes).
Por që për çudi, e bukura dhe e frikshmja këtu, rrinë mjaft bukur. Pothuajse që nga shtëpia e fundme e Ndriçimit, që të çon më pas drejt shtegut malor, duhen edhe pothuajse një orë e 10 minuta për të arritur te “Syri i Ciklopit”. Çimi na thotë se vetë ka dhjetë vite që nuk ka shkuar andej, që kur kulloste të imtat, ndërsa tek e pyet a i sjellin turistët të ardhura… ankohet sërish. Në ikje të thotë… do flasim më mirë për politikë, ndërsa “i premtojmë” se herë tjetër do flasim për të me një gotë raki para…
Rruga për te Hurdha e Zezë, alias “Syri i Ciklopit”
Shtegu përgjatë Grykës së Murdharit është tejet i veçantë, veçanërisht në këtë periudhë të stinës kur gjithçka është e gjelbëruar dhe lulet alpine janë ngado, me ngjyra të çelura. Shtegu alpin, i cili është “ngjyer” me bojë të kuqe (dhe shihet pothuajse në çdo vend, ku mjafton të ndjekësh shenjat) duke kaluar në disa pjesë mjaft interesante, e përgjatë ndodhen edhe vende të veçanta çlodhjeje me një peizazh që të lë pa frymë. Normalisht, e këshillueshme për këto zona, janë këpucët e malit apo atlete të forta e me taban të tillë (për t’u mbrojtur nga gurët vende-vende të ashpër dhe me maja), si dhe veshje të gjëra për ajër dhe këmbadorazi (ka disa zona si të tilla, veçanërisht, disa qindra metra para se të zbresësh për tek Syri i Ciklopit).
Por, kurajën e merr kur rrugës do të shohësh mjaft njerëz me fëmijë të vegjël, madje ashtu siç takuam edhe ne, një çift me Kasperin e vogël disa muajsh (video). Mos harroni gjithashtu së paku nga një bidon 1 litër me ujë (ndryshe do t’iu duhet të pini nga ujëvara, por mos u befasoni kur shihni se si notojnë bretkosat…), si dhe bluza të tjera për t’u ndërruar nga djersitja në këtë shteg malor me disnivele. Para se të mbërrish në këtë vend, - pas një rrugëtimi me hap mesatar, e me pushime të vogla, - arrihet për 50 minuta apo 1 orë e 10 minuta (pothuajse katër kilometra) me hap të ngadaltë, ku dëgjohet së largu (pothuajse 200 metra, pa zbritur në shtegun më të vështirë) gurgullima e ujit të smerald. Me të zbritur atje janë të shumtë ata që do të shohësh në këtë pjesëz “të harruar” të Tiranës, ndërsa në të djathtë një shkallare prej druri të çon për tek ajo që njihet realisht nga banorët si Hurdha e Zezë (Pellgu i zi), një ujëvarë 5-6 metra, e fshehur midis gurëve që buron nga mali, e pothuajse në një errësirë të plotë. I vetmi ndriçim vjen nga uji që vjen prej me furi nga shkëmbinjtë e mëdhenj e një tjetër sipër kokës tënde ku shihen anësoret e shkëmbit, pothuajse 100 metra të lartë.
Ajo është mbresëlënëse e po aq mistike, ku banorët rrëfejnë shumë legjenda të trishta për këtë vend…Në anësore të saj sheh një litar të trashë të lidhur pas një shkëmbi, që mbase aventurierët kanë dashur të ngjiten përmes guvës plot me ujë që nuk dihet as thellësia, për të kaluar në anën tjetër. Prej andej ky ujë futet përmes shkëmbinjve të mëdhenj dhe del në ujëvarën dhe pellgun më të madh, - ku shumë guximtarë ashtu si edhe i riu që e kishte për herë të parë dhe e takuam atje, provoi të hidhej në këtë pellg, - i cili dikur thuhet se, ka qenë më se 12 metra i thellë, por sot, zor se shkon në 5 metra thellësi, e kjo për shkak të digës së ndërtuar disa kilometra më tej, në Grykën e Rrozaverës e Kullojkës. Po ashtu, më tej përmes pjesës së sipërme të malit mbi Skuterrë, në të djathtë shkohet për te rrëpira e Shpellës së madhe të Skuterrës, për atë zonë ku thuhet se vjen edhe kënga “Ke leu dilli, pernoi hana/ theren burrat si kurbana/varë në qarra e var në mana”, në pjesën që quhet Rrasa e Madhe e Skuterës, ku më 1911, pushtuesit serbë pushkatuan 16 burra nga fshati, duke i hedhur poshtë në greminë… Mbase për të gjitha këto histori të vërteta, si ajo e Hurdhës së Krrabës ku dikur një minator nuk u gjet kurrë, ashtu si ajo e djaloshit që tentoi të mblidhte mjaltin shekullor nga shkëmb i Skuterrës, i quajtur nga banorët si Shkrepi i Sanadiellit, e ku trupi i tij nuk u gjet më asnjëherë… e sot, endet vërdallë si një kalë qyqeje, sipër atij vendi që është një destinacion turistik i famshëm i Tiranës, që banorët e këtushëm i thonë, Hurdha e zezë apo Pellgu i zi… ndryshe nga legjenda tejet e bukur me ciklopin…
5 destinacionet e Komunës Krrabë
Të gjitha zonat, në të cilat gjenden përgjatë këtij degëzimi të lumit Erzen, dikur përplot me peshq, por sot për shkak të hidrocentralit të ndërtuar vite më parë, është prerë rrjedha e ujit e uji pothuajse është si currila… Janë gjithsej pesë destinacione, të cilat mund të zgjidhni në zonën e Komunës së Krrabës. Të parën në radhë, Grykën e Murdharit mund ta shihni përgjatë rrugës për te Syri i Ciklopit. Pothuajse të gjitha destinacionet që janë tërheqëse për vizitorët, janë zona tejet të bukura, por edhe të vështira, që mund të arrihen më këmbë përgjatë rrjedhës së ujit, e që për aventurierët, janë jashtëzakonisht tërheqëse.
Gryka e Murdharit
Kjo grykë ndodhet në verilindje të Krrabës dhe është e formuar nga përroi me të njëjtin emër, degë e majtë e lumit Erzen. Gryka e Murdharit ka gjatësi prej rreth 1 kilometër, thellësi shpatesh prej rreth 100 metrash, e me një gjerësi rreth 30 metra, duke marrë trajtën e një kanioni mjaft interesant. Ajo ka shpate të thepisura, gati vertikale e me guva e shpella karstike të vogla, pak të veshura me bimësi, duke dhuruar pamje fantastike për adhuruesit e natyrës.
Kjo grykë përbën një ekosistem interesant karstik. Te ky monument i natyrës, shkohet duke ndjekur rrugën Tiranë- Mushqeta- Krrabë (qytezë).
Syri i Ciklopit
Një humnerë e vogël rri në fund të shkëmbinjve të Krrabës dhe poshtë saj është një liqen me ujë të smeraldtë, për të cilin thonë se është vendi ku ciklopi dha shpirt e pas tij mbeti një liqen në formë zemre. Shkurtimisht, kjo legjendë flet për një ciklopin e stërmadh, i cili u përndoq nga banorët e zonës, pas shumë dëmeve që kishte shkaktuar, e përfundoi pikërisht poshtë këtyre shkëmbinjve.
Kalaja e Skuterrës
Kjo kala ndodhet në veriperëndim të fshatit Skuterrë, në kodrën e quajtur nga banorët Qytezë, në një lartësi prej 545 metrash mbi nivelin e detit. Ajo ka formë të stërzgjatur rrethore me një diametër 100 metra dhe 35 metra. Muri me trashësi 1.40 metra është ndërtuar me gurë të thyer të lidhur me me llaç gëlqeror dhe mbushës zhavorri. Sipas gjetjeve arkeologjike, kjo kala i përket antikitetit të vonë.
Ujëvara e Krrabës
Ujëvara e ndodhur në fshatin Krrabë ka përafërsisht një lartësi mbi 10 metra nga baza e saj. Ajo furnizohet nga një përrua i cili në pranverë ka prurje të madhe uji duke i dhënë ujëvarës një pamje magjepsëse.
Kjo ujëvarë është sezonale dhe jo gjithmonë mund ta gjesh të mbushur plot. Rruga është e thjeshtë dhe mund të bëhet nga çdo person. Për të shkuar deri aty ndiqet rruga nga Tirana për në Krrabë dhe më pas vazhdohet në këmbë për në shtegun që të çon deri tek ujëvara.
Shpella e Mbytjes
Kjo shpellë e ndodhur në zonën e Krrabës ka një hyrje të vogël në fillim, e cila zgjerohet e lartësohet deri në 15 m. Shumëllojshmëria e stalaktiteve dhe stalagmiteve të formuara në shpellë, kanë krijuar atë që quhet “Tempulli i shpellës”. Për të shkuar te “Shpella e mbytjes” ndiqet rruga Tiranë-Skuterrë. Pastaj rruga vijon në këmbë rreth 2 orë, deri te shpella.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.