Nga Edmond Prifti - Në atë fshat buzë gjolit, e burimeve të shumta përreth, është një nga shtatoret më të veçanta. Në mbarë botën janë tejet të rralla ato që t’i kushtohen... një personazhi filmi, - mbase “të gjendura” veçse në “Muzeun e pafajësisë”, të Orhan Pamuk. Njëherazi ky fshat që ndodhet veçse pesë kilometra nga Pogradeci, u njoh nga xhirimet e dy serive të filmit “Zonja nga qyteti” dhe “Shoqja nga fshati”.
Përpos vlerave që i ka falur natyra, Tushemishti sot të ofron shumë gjëra, përveç “asaj rutine” të vizitorëve që mund të pinë ujin e burimit ku Ollga u rrëzua, por edhe të ecin në anësoren e lumit ku rrëzoi Malo postierin, që sot gumëzhijnë nga lokalet e mbushura përplot, ku gatuhet korani, trofta apo lakrorët në saç. Rrugicat e fshatit nuk njohin stinë, e prehje.
Dikur në këtë fshat ka pasur një ndërmarrje tejet të madhe të rritjes e mbarështimit të peshkut mbret të gjolit, koranit, (që sot nuk ekziston) por edhe i mirënjohur si vendi i historisë tragjike të mësuesit e priftit tushemishtar, At Dhimitër Mishës, që sllavët e vranë para derës së shtëpisë të kthyer në kishë, pasi kleriku mbronte gjuhën shqipe. Për nder të figurës së tij, banorët e kësaj zone, i kanë kushtuar faltoren e Ajazmës shumë pranë kufirit me Maqedoninë Veriore, por edhe një lapidar në rrethinën e kishës së Shën Pandelimonit, në kodrën e këtij fshati.
Por rrugëtimi ynë për “Vende dhe udhëtime”, në ato rrugica të Tushmishtit, - një nga 100 fshatrat shqiptarë, - nuk do ndalet këtu, pasi në Tushemisht takuam shumë personazhe interesantë, ku na rrëfyen që nga xhirimet e dy serive telekomedi të Ruzhdi Pulahës, e deri te vaskat me peshq troftë, kujtimet e dikurshme në këtë fshat kufitar, që dikur hyje me leje, e deri te turistët e shumtë të ardhur nga Tirana, Athina, apo ata turistë që edhe teto Ollgës ia kanë holluar krahun e djathtë duke u mbështetur... për të dalë një kujtim me personazhin mjaft të dashur të interpretuar nga Artistja e Popullit, Violeta Manushi. Bahçet e dikurshme me mollë starkinga (Star King) janë shumë herë më të pakta se dje, pasi vendin e tyre e kanë zënë vende-vende, ndërtimet shumëkatëshe, por mikpritja dhe infrastruktura moderne, e përshtatur me tradicionalen, rikthejnë pushuesit dhe turistët, dimër e verë, e besnikët e hershëm që dikur hynin me leje në këtë fshat, buzë Liqenit të Ohrit.
Rrugëtimi
Disa dhjetëra metra pa u futur në Tushemisht, pasi ke vizituar faltoren e Ajazmës, pranë kufirit me Maqedoninë Veriore, në të majtë të rrugës, do të dalloni vendin ku teto Ollga e entuziazmuar nga letra që kishte marrë nga qyteti për një kandidat për të bijën e saj Melin, rrëzon postierin e fshatit, Malon. Gjatë rrugëtimit tonë në këtë fshat, takuam edhe Anthinela Sarin, një greke nga Athina, e cila sot i përngjan historisë së teto Ollgës, por më moderne, se e djeshmja... Ajo do martonte atë të diel, vajzën e saj greke...me një tushemishtar, ndërsa shqiptarët, sipas saj duken po aq njëlloj sa edhe grekët, me zakonet dhe traditat (Shih videon më sipër). Më tej, teksa hedh hapin e parë për t’u futur në fshat, ekziston një barrierë për makinat, por ngaherë e hapur, e për të cilën tushemishtarët ankohen. Të kujtohet si për ironi shprehja e teto Ollgës: “Kanë shitur gomerët dhe kanë blerë biçikleta”, - ndërsa tulatesh të ecësh kuturu mes makinave që bllokohen nga njëra-tjetra, shumë pranë qendrës së fshatit, aty ku ndodhet edhe lokali “Zonja nga qyteti”, ku edhe na rrëfeu pronarja Alma Kapëbardhi, se ku ishin xhiruar skenat e mensës në film, në brendësi të godinës.
Ndryshe nga vite më parë, ku rrugët ishin të kalldrëmta, e sot me pllaka moderne, në të dy anët e rrugës do të shohësh banoret vendase që tjerrin dhe realizojnë kukulla prej penjve të devesë, apo leshit, por edhe gjithfarë prodhime të tjera artizanale, ndërsa Dashurie Elezi, na premton se do bëjë së shpejti edhe kukulla me personazhin e famshëm të teto Ollgës, ndonëse do t’i duhej më shumë pe.
Ermala Ruvina është një prej tyre që i fton turistët të shohin kukullat e saj, e të flet paksa për historinë e këtij vendi, pa harruar se Tushemishti sot ka ndryshuar shumë, ndërsa turistët e shumtë vijnë çdo fundjavë, madje sipas saj, numrin më të madh e zënë ata nga kryeqyteti. Një pjesë e shtëpive të fshatit janë ruajtur të paprekura, (përjashto këtu disa të pabanuara, siç na rrëfen edhe Ili Tili) po ashtu, arkitektura e tyre, e deri te saksitë e luleve, por edhe ndërtimet e reja shumëkateshe “celin dita-ditës”.
Përtej qendrës së fshatit, aty ku edhe ndodhet kisha e Shën Pandelimonit, në të djathtë të rrethimit, ndodhet ish-shkolla 9-vjeçare e fshatit, por që për shkak të mospërmbushjes së vendeve për nxënësit, ajo sot është e mbyllur dhe e kthyer në një kopsht. Emrin e mban po ashtu, - atë të martirit të shkronjave shqip, At Dhimitër Mishës, krenarisë së tushemishtarëve.
At Misha, krenaria e fshatit Tushemisht
Të shumtë ishin ata banorë të këtij fshati që na folën për klerikun tushemishtar, At Misha... Vaso Samsuri po ashtu, shkruan një artikull të zgjeruar për figurën e tij në vitin 2011, te VOAL – Zëri i shqiptarëve, ku thekson ndër të tjerash se: “Më 1 gusht 1925, nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës i dërgonin telegram Shkëlqesisë Kryetarit Zog, ku shprehej hidhërim i madh kur kishin mësuar se Shën Naumi u jepej serbëve... Pse shkruante me shkronja shqip në faltoren e Ajazmës në Shën Naum dhe fshinte Svjeti Naum, ai u vra nga serbët.
Në vitet e mbretërisë, Odise Paskali i kushtoi një basoreliev që u vendos në një lapidar në Pogradec.
Aty nga viti 1947 në një mesnatë me shi, me urdhër të Koçi Xoxes, u thye kjo përkujtimore se "prishte" miqësinë midis shteteve. Para prishjes me Jugosllavinë, mbretit Zog nuk i kujtohej dhurimi i Shën Naumit. Pas 1948, iu kujtua vazhdimisht. Në këto vite dy prozhektorë të fuqishëm dhe të frikshëm ndizeshin në mbrëmje për të ruajtur ujërat e liqenit. Kur Enver Hoxha në një libër të tij shante Mbretin Zog, mbretërorët që jetonin në demokracitë e mëdha, i kujtonin atij masakrën e Tivarit dhe heshtjen për Kosovën. Duke shfletuar qindra dokumente në Arkivin Shtetëror të Shtetit jam befasuar nga lufta e gjerë në plan diplomatik dhe publicistik për Shën Naumin”...Profesor Apostol Kotani e përmend atë në një artikull me titullin “Historia e një martiri”, ku thotë ndër të tjerash se “Ndër klerikët ortodoks që njeh historia si martirë të kombit shqiptar radhiten: Papa Kristo Negovani, At Stath Melani, Dhimiter Misha dhe Papa Llambro Ballamaci”. Siç mësohet nga historia, por edhe banorët e këtij fshati që e dinë përmendësh historinë e tij, sllavët shovinistë donin t’i prisnin kokën, ndërsa prifti jepte mësim në shkollën në gjuhën shqipe, predikonte shqip në kishë, fshinte shkronjat cirilike sllave, që viheshin natën në objektet shqiptare buzë kufirit, e ngrinte flamurin shqiptar në tokën e Shën Naumit shqiptar, por që shumë shpejt u vu në shënjestrën e serbo-maqedonasve...Kështu, një ditë, teksa po shkonte në shtëpinë-shkollë për të dhënë mësim shqip, sllavët e vrasin klerikun patriot At Dhimitër Bellkameni. Për shkaqe “të lidhjes dhe zgjidhjes” me sllavët nga politika shqiptare si para dhe pas komunizmit, figura e tij mbeti në “hije”. “Le të rrojë Shqipëria për mua”, ishin fjalët e fundit të priftit 30-vjeçar, pasi plumbi i sllavëve e plagosi për vdekje para derës së shtëpi-kishës së tij, më 25 maj 1928... Pas vitit ‘90, ai u njoh si martiri i shkronjave dhe gjuhës shqipe, ndërsa shkolla (aktualisht kopshti) dhe një rrugë në Pogradec, morën emrin e tij...
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.