Analize

Ndarja e Shqipërisë nga Maqedonia për negociatat, kush është pro dhe kundër

Sinjalet se Bashkimi Europian mund të ndajë Tiranën nga Shkupin, duke hapur përpara bisedimet e anëtarësimit me Shqipërinë dhe negociatat me Maqedoninë e Veriut pasi të zgjidhen mosmarrëveshjet me Bullgarinë ka shkaktuar debate të ashpra në BE.

Lajmi u bë i ditur nga Komisioneri i Zgjerimit Olivér Várhelyi gjatë turit të tij në Ballkan, kur deklaroi për herë të parë së negociatat e dy vendeve mund të mos ndiqnin një rrugë paralele. Këshilli Europian ra dakord të hapte raundin e fundit të bisedimeve të pranimit me Tiranën dhe Shkupi  në qershor të vitit 2020, në një lëvizje që u mirëprit nga të gjitha palët.

Por rruga e Maqedonisë së Veriut është bllokuar nga Bullgaria që nga dhjetori i kaluar mbi mosmarrëveshjet për gjuhën dhe historinë. Várhelyi sugjeroi që situata mund të ndryshohet duke "shkëputur" të dy vendet.

"Nëse hasim përsëri në vështirësi me Maqedoninë e Veriut, që do të thotë se ne jemi të pasuksesshëm në zgjidhjen e mosmarrëveshjeve, atëherë pyetja është nëse mund të shkojmë përpara vetëm me Shqipërinë. Dhe ne do të duhet ta shqyrtojmë këtë pyetje", tha ai.

Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut ishin planifikuar të fillonin bisedimet e anëtarësimin që në vitin 2019, por procesi u bllokua nga Franca dhe Holanda. Kjo në vetvete kishte ardhur vetëm pak pasi Greqia më në fund hoqi veton e saj njëvjeçare në bisedimet e mëtejshme me Maqedoninë e Veriut mbi një mosmarrëveshje mbi emrin, i cili përfundoi vetëm kur vendi fqinj pranoi të riemërtohej Republika e Maqedonisë së Veriut.

Komentet e Várhelyi nxitën reagime nga Maqedonia e Veriut. "Shumica dërrmuese e vendeve anëtare të unionin mbështesin hapjen e bisedimeve të anëtarësimit me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut," tha nënkryeministri për çështjet evropiane Nikola Dimitrov.

 "Rasti i Maqedonisë së Veriut është një provë për besueshmërinë e BE-së në Ballkanin Perëndimor: tani duhet të pyesim veten a do t'i mbajë BE premtimet e saj?", tha ai.

Florian Bieber, profesor i historisë dhe politikës së Europës Juglindore në Universitetin e Grazit thotë se shkëputja e Maqedonisë së Veriut, një proces që është zvarritur për më shumë se 15 vjet, do të kishte pasoja në të gjithë Ballkanin.

"Kjo qasje është vërtet duke minuar besueshmërinë e BE-së, përtej Maqedonisë së Veriut," tha ai. "Ekziston një sens i mirëfilltë se anëtarësimi nuk do të realizohet kurrë. Serbia është gjithashtu gjithnjë e më skeptike se ata do të shohin ndonjëherë zgjerimin me sy. Maqedonia e Veriut ka bërë shumë përpjekje; institucionet nuk mund të premtojnë më që nëse i bëni detyrat e shtëpisë, duhet të shkoni përpara", tha njohësi i Ballkanit

Kritikave i është bashkuar edhe Gjermania dhe Sllovakia të premten, të cilat bënë  thirrje për t'iu përmbajtur planit të fillimit të bisedimeve të të dyja vendeve së bashku. Dy vendet kanë bërë thirrje që BE t'i përmbahet planit origjinal që Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut të përparojnë drejt anëtarësimit përfundimtar si pjesë e një pakete.

"Gjermania mbështet objektivin e Presidencës së BE për të mbajtur konferencën e parë të pranimit me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut në qershor. Të dy vendet kanë kryer reformat e kërkuara tani BE duhet të mbajë gjithashtu fjalën e dhënë. Vonesa e mëtejshme minon besueshmërinë e BE-së, stabilitetin në rajon” shkroi të premten Ministri i Çështjeve Europiane të Gjermanisë, Michael Roth.

Ministri i Jashtëm Sllovak Ivan Korcok mbajti të njëjtin qendrën: "Politika e zgjerimit të BE tani ka të bëjë me bindjen e Bullgarisë të heqë dorë nga vetoja ndaj Maqedonisë së Veriut. BE duhet të njohë përparimin e bërë nga Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria."

“Ndarja e mundshme nga Shqipëria do të krijonte zhgënjim të mëtejshëm në Maqedoninë e Veriut, e cila ishte shoqëruar më parë me Kroacinë përpara se Zagrebi të ndahej dhe të arrinte anëtarësimin në BE në vitin 2013”, thotë nga ana tjetër Bieber.

Vetë procesi i bashkimit, tha ai, ishte pjesë e problemit: "Këto dy vende u lidhën krejt rastësisht. Nuk ka asgjë që thotë se ato duhet të jenë në një proces së bashku. Por sapo të krijoni këto lidhje, zhbërja e tyre vjen në një kosto ".

Një mënyrë tjetër e mundshme përpara ndarjes sipas ekspertit do të ishte bindja e Bullgarisë të hiqte dorë nga vetoja ndaj Shkupit.

Vetoja erdhi në një kohë testimi për politikën e brendshme bullgare. Zgjedhjet e prillit në Bullgari prodhuan një parlament të fragmentuar pa asnjë parti në krye, një situatë që nuk ka gjasa të ndryshojë deri në korrik. Pas kësaj, tha Florian Bieber, mund të jetë e mundur të bindet udhëheqja e re të mos bëhet pengesë për anëtarësimin e Maqedonisë së Veriut.

"Vetoja e Bullgarisë ishte gjithmonë pak e menduar," tha ai. "Ajo doli nga hiçi dhe u pa si një lloj manovre parazgjedhore. "Në këtë moment asnjë qeveri ose parti nuk është e gatshme të mbajë një qëndrim për këtë temë. Pas zgjedhjeve, mund të ketë një qartësi më të madhe që do të lejonte heqjen e vetos. Por kjo gjithashtu varet nga shkalla e presionit që vendet e tjera janë të gatshëm të ushtrojnë ndaj Bullgarisë".

Euronews zbuloi në fillim të këtij muaji se Brukseli po ushtronte “presion” që Shqipëria të bashkohej me bllokun europian. Ditmir Bushati, ish Ministri i Punëve të Jashtme të Shqipërisë, tha se një plan mund të diskutohet në konferencën e parë ndërqeveritare në qershor.

Opinioni brenda Shqipërisë për anëtarësimin në BE është pothuajse unanim dhe një sondazh i fundit nga Komisioni Evropian zbuloi 97% të shqiptarëve në favor të anëtarësimit.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë