Libra

Me emocione “të rritura” për jetën: Rrëfimi i 10-vjeçarit me autizëm për librin e parë “Lulëkuqja”

Nga Luljeta Nelallari - “Kur më vinin fjalët nga mendja, duke i thënë me vete këto poezitë, vazhdova t’i shkruaja, t’i shkruaja, t’i shkruaja, me stilolaps të kuq tëk e tëk në letër dhe në fletore”, kështu shprehet Jamarbri 10-vjeçar për librin e tij “AuvernaMon” (Lulëkuqja) që doli në treg gjatë muajit prill.

10-vjeçari me probleme të spektrit autik ka zgjedhur që ndjesitë e tij për lulet, prindërit, të afërmit dhe gjërat që e rrethojnë t’i mbledhë në librin “Lulëkuqja” (AuvernaMon), duke hapur kështu një rrugëtim të munguar në letrat shqipe.  

Në një bisedë emocionuese, Jamarbri i vogël i shoqëruar nga e ëma e tij, Miranda, do më rrëfejë se si është krijuar ky libër, poezitë që e përmbajnë, mesazhet e forta që ka për jetën, të lexuarit dhe autizmin “që sipas tij “herë është i bukur si lulëkuqe, e herë paksa i bezdisshëm”.

Jamarbri në gjuhën e fantazisë së tij, të cilën ai e quan gjuha vodore, lulëkuqes i thotë AuvernaMon, ndaj dhe libri vjen me këtë titull. 

“Mua më pëlqejnë shumë lulëkuqet. Lulëkuqja përveç që është një nga lulet më të preferuara të Venusit, është edhe një lule që e ka jeta shqiptare, të cilën e kam marrë dhe unë dhe e kam quajtur AuvernaMon”, më tregon Jamarbri gjatë bisedës, ndërsa vijon duke më thënë me entuziazëm se “isha te ato fushat e Bulevardit të Ri, u ula mes barit të lulëkuqeve dhe vazhdova ta thoja fjalwn ‘AuvernaMon’ me psalmet kishtare, aty më erdhi titulli i parë për librin tim”.

Libri është botuar nga Botimet “Toena” dhe përmban 101 poezi që rrokin tematika të ndryshme, por kur i shfleton dhe lexon vargjet e rrëfyera prej një bote tërësisht ndryshe, emëruesi i tyre i përbashkët është emocioni i fortë.

Libri me poezi "AuvernaMon" (Lulëkuqja)

Në një bisedë që vijon e gjatë e që kalon shpesh nga Jamarbri që të mahnit me mendjen e tij brilante te nëna e tij për shpjegime më të hollësishme, ai përçon një dëshirë të madhe për jetën e të bukurën dhe librin si dashurinë e tij më të madhe.

Teksa e pyes se cila është poezia më e dashur për të në këtë libër, ai më përgjigjet: “Gonxhet çelin plot hare”, duke e lidhur me lulet dhe të bukurën.

“Është poezi shumë e dashur për mua, pasi unë i dua lulet, e dua jetën”.

I emocionuar dhe njëkohësisht me një fantazi të shpenguar, ai më shpjegon se me këtë poezi ka dashur të japë idenë se është kundër plagjiaturës, një term që është larg kapacitetit të një 10-vjeçari.

“’Gonxhet çelin plot hare’, e bëra vetë me duart e mia, shkruajta për gonxhet pasi doja të anuloja plagjiaturën, unë nuk i duroj plagjiaturat”, thotë me zë të lartë Jamarbri, ndërsa shton se “plagjiatura është një gjë e dëmshme, të hedh në greminë”.

Nëna e tij thotë se këtë poezi e ka lidhur me këngën e Nertila Kokës “Çel si gonxhe dashuria”.

Në “AuvernaMon” të bien në sy poezi nga më të ndryshmet, për nënën, tezet, hapësirën, dritën, por ai ka vargje me mesazhe të forta dhe për dashurinë, si poezia “Dashuria Ime” (Evitës).

“Ka diçka që dashuria është si një provë e madhe dhe ka punë me poetët, por tashmë e kam ndryshuar, u ndjeva shumë i çuditur, nga shoqja ime e klasës”, thotë ai. Por si shkruan djali i metaforave të forta, si i lind frymëzimi, ku shkruan, si lindin fjalët e tij brilante?

Miranda, nëna stoike që përpiqet të përçojë mesazhet më të bukura të djalit të saj, shprehet se vargjet kanë qenë një nismë për ta shtyrë drejt shprehjes së emocioneve me fjalë dhe jo me steriotipe.

“Është shtyrë t’i hidhte në letër këto emocione, te cilat pak nga pak morën trajtën e vargjeve, vargje të cilat ai tani i shkruan me koshiencë si poezi. Një herë ishim në makinë dhe ai ishte i përhumbur, po mendoj për qiellin më tha, po çfarë ka qielli? ‘Qielli është si në ëndërr’,... dhe poezinë që vjen në moment ai e shkruan në WhatsApp për ta ruajtur”.

Ajo përlotet kur kujton poezinë e tij të parë.  

“Ishim duke dalë nga Manastiri i Ardenicës dhe ky flet dhe unë dëgjoj që thotë: Nuk dënohet një zemër, nga gjyqi i lartë, këta janë dy vargjet e para, dhe janë hedhur në faqen e Jamarbrit”, thotë Miranda, por sipas saj “ka edhe ato që janë bërë me vetëdije, do ulem dhe do bëj një poezi”.

Jamarbri më thotë se ka lexuar mbi 100 libra dhe veçon Shekspirin, Henrik Ibsenin dhe Martin Camaj si autorët e tij të preferuar.

“Kam lexuar më shumë se 100 libra, më është dashur shumë kohë për të lexuar. Më pëlqen Shekspiri dhe Henrik Ibsen, preferon Shekspirin dhe Ibsenin. Libri i fundit që kam lexuar është “Njeriu me vete dhe me të tjerët, nga Martin Camaj”, ndërsa i buzëqeshur më vë në pah se “pas këtij libri erdhi dhe libri im”, duke më treguar në këtë mënyrë me të pavetëdijshmen e tij se libri “AuvernaMon” mund të rreshtohet edhe me Martin Camaj, një poet që konsiston më tepër në fshehjen se në zbulimin e kuptimeve.

Por pasioni dhe forca e fjalës së tij vazhdon, pasi ka në plan një tjetër libër.

“Do të botoj dhe një libër tjetër, i cili do të quhet ‘Djaloshi autik”, libër me tregime me histori të miat”, përfundon ai.

Jamarbër Hoxha nisi të bashkonte shkronjat, rrokjet e më pas fjalët që kur ishte 16 muajsh. Sot ai kupton katër gjuhë të huaja dhe mesazhet e mëdha që ai jep janë një ftesë për këdo për t’i parë këto fëmijë se sa specialë janë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë