Ekspozite

Maks Velo: Kur trupi e di se nuk ka shumë kohë, i mbledh të gjitha energjitë

Suadela Balliu - Organizmi fizik e veçanërisht ai artistik, kur sheh se i ka mbetur pak kohë në dispozicion për të punuar, mobilizon të gjithë aftësinë dhe energjinë për të treguar atë që ka brenda. Kështu do t’i thoshte miku i tij, Pascal Hammon, në kafenenë e Musée d'Orsay, në Paris teksa bëheshin gati të shihnin ekspozitën “Pablo Picasso; Epoka Blu dhe Rozë”, e shpërndarë në plot dymbëdhjetë salla për vizitorët, në dhjetorin e shkuar. “Kjo ndodh rrallë”, do t’i thoshte kritiku francez, me të cilin njihet prej vitit 1992, kur  bota perëndimore e artit kishte interes të shihte dhe të dëgjonte nga afër historinë e njeriut që u dënua nga regjimi komunist, në një prej burgjeve më famëkeqe të kohës vetëm për artin e tij modernist. “Kjo ka ndodhur edhe me Miró –në”, do t’i thoshte Hammon,  teksa shihte fotografitë e punëve të reja të tij, duke i ndërmendur piktorin dhe skulptorin spanjoll, vepra e të cilit është interpretuar gjerë si surrealiste. Në një ekspozitë në vitin 1978, pas abdikimit  të Frankos, Miró do t’i përgjigjej së shoqes që e këshillonte të ulej e të mos sillej rrotull pikturave, duke i thënë: “Ta marrë djalli, le të më shohin se rri më këmbë”. I kam pikturuar në një frenezi dhe dhunë të vërtetë këto piktura , që njerëzit ta dinë se jam gjallë dhe marr frymë”. Ishte 85 vjeç asokohe.

Nga ekspozita e Maks Velos, Fshati primitiv ndriçohet nga meteorë.

Maks Velo është tetëdhjetë e tre vjeç e ndërsa mirëpret të njohur e artdashës në ekspozitën e tij më të fundit, rrëfen se janë të gjitha punë të realizuara pas 2015-ës, vit ku realizoi edhe ekspozitën e tij të fundit, në mjediset e Galerisë Kombëtare të Arteve. “Fshati primitiv i ndriçuar nga meteorë” , vjen për publikun në mjediset e Galerisë “Fab”, aty ku ish –studentët e tij të  Institutit të Arteve të Bukura ende e thërrasin profesor.

Figura lojcake, që të krijojnë përshtypjen e një thjeshtësie prej fëmije ose të vizatimeve që kanë mbërritur deri tek ne nga prehistoria, vijnë në një spektakël ngjyrash, bluja  e thellë i pranëvendoset së kuqes së ndezur, e verdha, portokallia e jeshilja,  parakalojnë me të gjithë gjallërinë e tyre para syve të kundruesit. “Është hera e parë që këto imazhe më erdhën me ngjyra”, thotë Maks Velo, ndërsa zbulon se nuk hoqi dorë kurrë nga arti primitiv, qysh kur nisi ta eksplorojë në fund të viteve ’60 dhe ’70, i frymëzuar nga  lëvizjet dhe artistët botërorë, që shënonin epokën. “Arti modernist është arti i kohës. Arti realist është shumë i vjetruar”, kështu do të dëshmonte para hetuesisë Dhimo Gogollari  ndaj Maks Velos, duke shtuar edhe se ai i kish lëvduar fort emra artistësh si  Picasso, Matisse dhe Chagall. Për Velon, arti primitiv ishte tërësisht abstrakt dhe thoshte asokohe, me guximin që mund të ketë vetëm një artist, se do të realizonte një ekspozitë, vetëm nëse do t’i lejonin t’i ekspozonte punimet që dëshironte ai.

“Fshati primitiv është gjithë bota. Janë shpellat, nga e cila kemi dalë edhe ne. Janë paraardhësit tanë”, thotë Velo, ndërsa për vite me radhë këto figura arkaike, këto shenja të para të qytetërimit njerëzor, i solli në grafika bardhezi. Për të, arti modern bazohet krejt në artin primitiv. Arti modern kërkon mungesën e figurës së njeriut, thotë ai duke cituar kritiken e artit Suzana Varvarica. “Ishte hera e parë që arti shqiptar nuk kishte njeriun prezent dhe, kjo ishte arsyeja pse diktatura u egërsua aq shumë sa më dogjën njëqind e ca piktura”, thotë. Nga kontrolli në banesë, në studion e tij u gjetën 246 piktura të ndryshme dhe 75 punime në dru dhe shumë prej tyre u dogjën, pasi binin në binin  në kundërshtim me porositë dhe mësimet e Partisë së Punës së Shqipërisë dhe i kundërviheshin ë hapur vijës politike të Partisë dhe realizimit socialist në art.

Shumë prej tyre, që ishin fotografuar dhe ruajtur në dosjen e tij në Ministrinë e Brendshme asokohe të fotografuara, i rikrijoi me atë zjarr që i pat punuar në vitet ’60. “Në fushën e artit figurativ,  çdo gjë që ai ka realizuar ka vulën e formalizmit, ndikim i artit borgjez dhe revizionist”, do të shprehej Kujtim Buza  sekretar për Artet Figurative i Lidhjes së Shkrimtarëve, në aktin ekspertimit të  veprave të Maks Velos, ku sicc thotë vetë piktori, Buza ngulmonte për arrestimin e tij.  Punët e Velos, që në pjesën më të madhe ishin figura primitive dhe nuo, Buzo do t’i quante asokohe si  diletantizëm banal dhe mungesë aftësie, “të cilën ai donte ta maskonte me eksperimentime dhe manovra të veshura me vellon e modernes, që aq shumë e propagandonte si snob që është”, shkruante Buza.

Nuk do të linte rast pa e përmendur as gjatë ekspozitës emrin e Kujtim Buzës, ku libri me dokumentet e dosjes së Sigurimit të Shtetit, ka pak muaj që është botuar, me titullin “Jetë Paralele”. “Kujtim Buza i drejtohej   pushtetit për arrestimin tim. Thotë se Dilo i ka dhënë autorizim Maksit për  të blerë një televizor”, thekson Velo absurditetin e kohës.Ksenofon Dilo, i cili ka ardhur të shohë ekspozitën e Velos, e sheh si e njëjta gjuhë pikturike, por e evoluar kah ngjyrave. “Një perceptim i ndërgjegjshëm i subkoshiencës së tij, që shpalosen në këto tablo që janë abstrakte përgjithësisht”, do të shprehej Dilo pas ekspozitës.

Ky lloj ngulmimi artistik do t’i habiste shumë të huajt, aq sa disa prej punëve të tij të djegura dhe të rikrijuara prej fotografive, do të ekspozohen gjatë këtij viti në Berlin, zbulon. “Me ngjyra, këto figura primitive duken shumë futuriste, si fanta-shkencë”, i them ndërsa më jep ftesën, me një katalog të punëve që do të jenë të ekspozuara deri më 30 janar, në mjediset e galerisë Fab. “Epo, figurat primitive janë të lidhura me fanta-shkencën”, përgjigjet.

Nga gdhendjet nëpër shpella është hamendësuar jo rrallë se aty shfaqen figura të ngjashëm me kozmonautë apo edhe jashtëtokësorë. Kripto-arkeologët kanë hamendësuar se këto figura mund të hedhin dritë mbi ndërhyrjen e jashtëtokësorëve në Tokë. Disa njolla të bardha apo me shkëlqim të argjendtë në pikturat e tij, i dhanë përshtypjen e trupave qiellorë. Kjo do t’i jepte edhe titullin  ekspozitës, ku tanimë fshati primitiv i Velos, jo vetëm vjen me ngjyra, por kapërcen edhe kohët, sikur vjen nga e ardhmja e largët dhe jo e shkuara. Meteorët hedhin dritë mbi ato figura të veshura me mister e që duket se ruajnë sekretin e njerëzimit. 

“Kur e shoh, më duket e vështirë”, thotë, “është jashtëzakonisht e vështirë të përdorësh ngjyrat. Do guxim, ku njeriu të hidhet pa frikë.”Këtë guxim për të sjellë një simfoni ngjyrash, ku ato mbivendosen pa u trazuar me njëra-tjetrën, duke ruajtur secila konsistencën dhe thellësinë e krahason me punën e Igor Straviznkit, i cili guxoi duke futur në muzikën klasike veglat frymore, duke krijuar identitetin e tij. “Tashmë ai ëndërron edhe fantazon me ngjyra, ndërkohë që më herët fantazonte në bardhezi”, thotë kuratori i ekspozitës, Mikel Temo, duke shtuar se në kërkim të sublimes, Velo vendos një shenjë, si gjuhë e të shprehurit. Figura njerëzore është thjesht një simbol për të.

Por nuk mungojnë edhe figura njerëzore si arlekinët në cirk, valltarët apo edhe Don Kishoti. “Jam përpjekur të krijoj lëvizjen përmes ngjyrave”, thotë ndërsa qëndron përballë pikturës me shfaqjen e arlekinëve, ku dallojnë tonalitetet e ndryshme të blusë, por edhe e arta dhe e argjendta, që të ndërmendin pak Klimtin, i admiruar prej Velos, që herët, ku përmes miqsh mundohej të siguronte katalogë të punëve të artistëve  perëndimorë, të cilët e çanin perden e hekurt në Shqipëri vetëm përmes disa porosive për biblioteka apo për njerëz të rangjeve të larta në parti. Por Velo përpiqet të lërë gjurmën e tij origjinale në pikturë. Për këtë ka ngulmuar gjatë në figurat primitive si një vulë që do të lërë në artin shqiptar.

Po aq e ngulmët ka qenë edhe nudoja. Nuk mungojnë as në këtë ekspozitë nudoja femërore që mban firmën e Velos. Janë të gjitha të punuara pas 2015-ës, thotë ai duke iu referuar edhe çudove, ku spikatin trupat e plotë femërorë dhe jo linja të holla e elegante. Në botën gjithnjë e më të fiksuar pas dukjes, këto figura të lakuriqta janë një shprehje e feminizmit. Në njërën prej tablove, vjen edhe një autoportret i piktorit ndërsa pas krahëve të tij qëndron një modele e zhveshur, duke pozuar.

Për herë të parë nisi të pikturonte nudo në vitin 1963, kohë kur sapo qe çelur Instituti i Arteve, në rrugën e Kavajës. Nudot, vendoseshin në pod, mbrëmjeve e atë kohë ai do të shkonte atje për të pikturuar. Ishte kohë kur regjimi kishte ende dorë të lirë mbi artin, ku studentët apo të sapodiplomuarit mund ta merrnin modelen edhe jashtë orarit, për ndonjë seancë. Por pas kësaj kohe do të mbizotëronte ekzaltimi i figurave të thjeshta të punëtores apo luftëtarëve, në artin e realizimit socialist. Për Velon, nudoja është ceremoniali i adhurimit të trupit femëror. Për të gjetur modele për nudo, edhe sot është e vështirë. “Nudoja është shikimi, adhurimi, analizimi, meditimi mbi trupin femëror. Është tentacioni për të kuptuar përsosmërinë”, mendon Velo.

Një prej nudove, zbulon se ka ardhur si frymëzim i një prej vizatimeve të Rodin, skulptorit të famshëm francez. Punët e tij, por edhe të shumë piktorëve e skulptorëve që kanë formuar shijet e tij artistike si  Degas, Picasso, Maillol, Modigliani,Gogen, Matisse, Schiele, Klimt, Moor e shumë të tjerë, i viziton saherë udhëton në Paris – çdo dhjetor i kushton tri javë një lloj pelegrinazhi sa artistik aq edhe shpirtëror veprave të më të mëdhenjve të artit botëror. Parisi është një lloj Itake e tij, vendi ku u lind më 1935-ën, të cilin mundi ta vizitonte për herë të parë vetëm pas 1990-ës për të prekur nga afër në çdo qoshe të tij, në çdo shtëpi-muze, studio apo ekspozitë të artistëve që dikur i njohu vetëm përmes librash e ilustrimesh. Atje njohu edhe Pascal Hammon-in, i cili pas 26 vitesh e sheh Maks Velon me energjinë e një të riu.

“Kam një energji, një vrull dhe një dëshirë të madhe për të punuar”, do të më thoshte në vjeshtë, duke zbuluar se po punonte në një cikël të ri të figurave primitive me ngjyra, ndërsa shkonte në një kancelari për të blerë një lloj letre, të kushtueshme, por shumë cilësore mbi të cilat kishte nisur t’i hidhte këto punë. Ishte kjo teknikë e akrilikut në letër, që ia ruante gjallërinë shpërthyese ngjyrave, mendon ai. Një prej punëve zbulon, se e ka punuar më 2019-ën, fare pak ditë se të çelej ekspozita, që tregon se fiziku dhe mendja, janë të mobilizuara për të punuar pa u ndalur, derisa të kenë treguar gjithë ç’ka brenda...


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë