Njerez

Vdiq Maks Velo! Piktori, arkitekti dhe disidenti i pandreqshëm

Ndahet nga jeta në moshën 84-vjeçare piktori dhe arkitekti i njohur, Maks Velo. Ai ishte i shtruar prej disa ditësh në QSUT, pasi vuante nga anemia dhe gjendja e tij shëndetësore ishte rënduar.

Maks Velo ishte një ndër personalitetet më të fortë të kulturës shqiptare në këtë gjysmë shekulli.

Si artist, ai ka lëvruar disa gjini të artit: pikturë, prozë, poezi, publicistikë, sikundër ishte i angazhuar në çështje të aktualitetit shqiptar.

Për ndarjen e Velos nga jeta ka reaguar edhe kryeministri Rama me një mesazh ngushëllimi.

“Çfarë trishtimi! Lamtumirë Maks”, shkruan Rama.

https://www.facebook.com/edirama.al/photos/a.10151850199621523/10157736698876523/?type=3&theater

Për Presidentin Ilir Meta, Maks Velo do të mbetet në memorie si një njeri që luftonte pakompromis transformimet e shfrenuara urbane, intelektual aktiv që jetoi dy epoka duke provuar vuajtjet e burgjeve të diktaturës, shkrimtar e studiues i njohur.

"Ndarja nga jeta e Maks Velos është një lajm i trishtueshëm. Si një prej figurave më novatore të artit shqiptar, simbol i antikonformizmit dhe lirisë së mendimit, piktor e arkitekt i shquar që luftonte pakompromis transformimet e shfrenuara urbane, intelektual aktiv që jetoi dy epoka duke provuar vuajtjet e burgjeve të diktaturës, shkrimtar e studiues i njohur, kjo ikje e Tij le pas një boshllëk të pazëvendësueshëm në shoqërinë shqiptare. Ngushëllime të afërmve, bashkëpunëtorëve, miqve e dashamirësve të shumtë! Maks Velo dhe zëri i Tij kritik do t'i mungojë në veçanti mbrojtjes së interesit publik në këtë periudhë të brishtë institucionale dhe demokratike", thotë Meta.

Maks Velo ka lindur në Paris, më 31 gusht të vitit 1935. Pas lindjes së tij, familja Velo u kthye përsëri në Shqipëri, në qytetin e Korçës, ku Maksi ka kaluar edhe fëmijërinë. Vendi i origjinës së prindërve ishte Dardha.

Pasi mbaron gjimnazin, ai vazhdon studimet pranë Institutit Politeknik, në degën e Inxhinierisë së Ndërtimit. Më pas specializohet për arkitekturë dhe në vitin 1960 merr pjesë në projektimin e parë që u bë në Tiranë. Ka punuar më tej pranë Byrosë së Projektimit të Tiranës. Pastaj, vitet ’78-’79 përkojnë edhe me periudhën më të vështirë të jetës së tij, pasi gjatë kësaj kohe, ai arrestohet dhe dënohet me dhjetë vjet burg.

Edhe pas rrëzimit të sistemit komunist Maks Velo mbeti një figurë publike e angazhuar në rrjedhat dhe zhvillimet e kohës. Në qëndrimet e tij, ai duket se ishte kundër çdo gjëje negative jo vetëm në kulturë e art, por edhe në jetën politike, duke mbetur një disident i përjetshëm dhe i “pandreqshëm”. Shqipëria humb kështu një nga mendjet e lira, që edhe pse njihej si arkitekt ndërkombëtarisht, la pas vepra në telajo, por edhe libra me kujtime nga koha kur publicistika dhe arti i tij i kundërvihej komunizmit.

Maks Velo është autor i një sërë botimesh si: “Kokëqethja”, “Palltoja e burgut”, “Thesi i burgut”, “Paralele për arkitekturën”, “Kohë antishenjë”, “Jeta ime në figura ” etj.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë