Ekonomi

Malaj: Amnistia Fiskale e rrezikshme. Pa shtet ligjor s’ka strategji rimëkëmbje

Sabina Veizaj - Për ish-ministrin e Financave Arben Malaj, urgjenca për miratimin e ligjit të Amnistisë Fiskale është një pabesi ndaj FMN-së, por jo vetëm. Sepse siç e shpjegon ai për Gazetën “Si”, ligji në fjalë nuk ka pasur dakordësinë e asnjë institucioni apo agjencie ndërkombëtare me të cilën Shqipëria ka marrëveshje bashkëpunimi dhe monitorimi.

Arben Malaj, ish-Ministër i Financave

“Si ish Ministër i Financave e kam shumë të vështirë të jem promovues apo mbështetës i amnistive fiskale sepse ato cenojnë në thelb moralin e taksave, dëmtojnë vullnetshmërinë e pagimit të taksave, rrisin pritshmëritë që do të ketë një amnsti tjetër, aq sa amnistitë bëhen pjesë e objektiva politike në prag të zgjedhjeve. Amnistitë janë provuar në shumë vende të zhvilluara, por gjithnjë kanë rezultuar të pasukseshme ose të ardhurat në buxhet janë shumë më të vogla se çdo perllogaritje. Përshembull, President Trump bëri një amnisti fiskale ku deklaroi se do të arkëtohej në buxhet rreth 4 trilionë dollar. Në fund rezultoi me rreth 490 milionë dollarë ose vetëm 12% e asaj që ishte parashikuar”, thotë z. Malaj për Gazetën “Si”.

Në gjykimin e tij, qeveria duhet të respektojë edhe angazhimin përpara FMN-së se nuk do ta miratonte këtë amnisti për të cilën jo vetëm FMN është kundër.

Shqipëria, thotë ish-ministri i Financave, ndodhet përballë sfidave të burimeve të financimit të ekonomisë dhe po synon një Eurobond të ri; ajo ka sfidën e thithjes në kohë dhe përdorimin efektiv të fondeve nga tërmeti dhe shumë sfida të tjera.

“FMN ka një kredibilitet ndikues tek komuniteti i donatorëve, çdo vlerësim i saj jo pozitiv mund të krijojë efekte jo pozitive midis Shqipërisë dhe komunitetit të donatorëve”, shprehet Malaj duke vijuar logjikën e tij: “Ju kërkoj mirëkuptim, por nuk jam optimist që impakti i kësaj amnistie të jetë i konsiderueshëm. Studimi i historisë së amnistive ka arritur në konkluzionin se edhe sikur të ketë një impakt modest në afat të shkurtër, në afat të gjatë efekti i amnistive fiskale është jo pozitiv”.

Lidhur me masat e marra nga qeveria për situatën, ish-ministri i Financave mendon se strategjia dhe masat në fushën e shëndetit publik për të parandaluar përhapjen e Covid-19 bazuar dhe në rezultatet aktuale të numri të infektuarve, të shëruarve, numrin e viktimave; ishin efektive, krahasuar edhe me ato të vendeve të tjera.

Kurse lidhur me kostot sociale, ekonomike e financiare, zoti Malaj mendon se do të duhet të presim të shikojmë se sa e gjatë do të jetë periudha dhe sa i rëndë do të rezultojë rikthimi dhe ringritja e ekonomisë.

"Shkalla e madhe e bllokimit të aktiviteteve ekonomike apo e paralizimit të aktivitetit Ekonomik - thotë ai - ka prodhuar kosto të matshme që qeveria duhet t'i bëjë publike si rënia ekonomike, ku FMN parashikon për 2020-n një rënie deri në 5.2 % të PBB-së, ndërsa qeveria pretendon se vendi nuk do të kalojë në recesion".

“Duhet të saktësohet numri i bizneseve që u detyruan me ligj të mbyllnin aktivitetet. Kjo solli rritje të papunësisë dhe varfërisë, çka do të kërkojë të rritet buxheti për ndihmë ndaj të papunëve dhe për të varfërit”, shprehet z.  Malaj për Gazetën “Si”. 

Ai sugjeron se skenari më i mirë i rimëkëmbjes do të ishte funksionimi i shtetit ligjor, të mbështetet zhvillimi me ritme më të larta, të qëndrueshme dhe me një drejtësi sociale që udhëheq kohezionin dhe solidaritetin social.

Për zotin Malaj, pa funksionimin e shtetit ligjor sidomos në kolonat shtetformuese si demokratizimi i qeverisjes së vendit, prona, pavarësia e gjyqësorit, lufta kundër korrupsionit dhe moskapja e shtetit, çdo strategji zhvillimi do të përballej më vështirësi të mëdha. "Strategjitë sektoriale - thotë ai - janë shumë të domosdoshme për të përcjellë tek individët objektivat socialë të çdo qeverie: rritje punësimi, rritje të ardhurash të disponueshme dhe një ambient shoqëror dhe politik të bazuar tek rritja dhe thellimi i vlerave të mirëqeverisjes".


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë