Nga Gazeta ‘SI’ – Në katër muajt e parë të vitit, buxheti i shtetit arkëtoi 231.64 mld lekë dhe shpenzoi 185.5 mld lekë.
Të ardhurat kaluan planin e periudhës dhe arkëtimet e një viti më parë me 24 mld lekë, ndikuar nga një rritje e arkëtimeve nga TVSH-ja, tatimi mbi të ardhurat personale dhe kontributet shoqërore.
Konkretisht, të ardhurat nga TVSH e arkëtuar (neto), arritën në 19.6 miliardë lekë, 3.9 miliardë më shumë se 4 mujori i parë i 2023-shit. Ndërsa të ardhurat e mbledhura nga TAP arritën në vlerën 21 miliardë lekë, 2.9 miliardë lekë më shumë se 4 mujori 2023.


Të ardhurat e mbledhura nga kontributet për sigurimet shoqërore dhe shëndetësore u realizuan në masën 51.2 miliardë lekë, 7.2 miliardë lekë më shumë se e njëjta periudhë e një viti më parë.
Nga ana tjetër, ministria e Financave raporton një rënie të të ardhurave nga tatimi mbi fitimin, që arkëtoi 24.5 miliardë lekë, 1.3 miliardë lekë, më pak se 4 mujori 2023.
Të ardhurat nga TVSH në import për 4 mujorin rezultojnë 47.4 miliardë lekë, 2.7 miliardë lekë më shumë se e njëjta periudhë e një viti më parë, por 285 mln lekë më pak se plani i 2024-s.
Të ardhurat nga akciza janë realizuar në masën 17.7 miliardë lekë, 1.7 miliardë lekë më shumë se e njëjta periudhë e vitit 2023, si dhe 646 milionë lekë më shumë se plani.
Të ardhurat nga renta minerare në eksport janë realizuar në vlerën 1 miliardë lekë, 59 milionë ose 5.6% më pak krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar dhe realizim në masën 97.3% kundrejt planit për 4-mujorin 2024.
Të ardhurat nga taksat doganore janë arkëtuar në vlerën 2.8 miliardë lekë, 126 milionë lekë më shumë se 4 mujori 2023 dhe 6% më shumë se plani.
Taksat nacionale, për periudhën 4 mujore 2024 u realizuan në masën 13.2 miliardë lekë, 1.4 miliardë lekë më shumë se 4 mujori 2023, si dhe 45 milionë lekë më pak se plani për 4 mujorin 2024.
Shpenzimet e përgjithshme publike për periudhën 4 mujore të vitit 2024, arritën në rreth 185.8 miliardë lekë, nga të cilat 170.3 mld lekë janë ato korrente, ndërsa vlera e atyre kapitale është vetëm 15.5 mld lekë.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.