Shkencë

Makineritë e mëdha bujqësore po dëmtojnë tokën

Shkencëtarët thonë se traktorët, mund të dëmtojnë deri në një të pestën e tokës globale që përdoret për rritjen e të mbjellave.

Pesha e autokombajnave, traktorëve dhe makinerive të tjera bujqësore rrezikon të ngjeshë tokën. Kjo çon në përmbytje dhe korrje të dobëta, sipas studiuesve në Suedi.

Dhe në punimin e tyre shkencor, ata ngrenë një pyetje kurioze.

Si mbijetuan dinosaurët gjigantë, të cilët peshonin më shumë se makinat, pa e shkelur tokën deri në copëza?

Studiuesit llogaritën se autokombajnat, kanë rritur peshën e ngarkesës, nga rreth 4,000 kg në vitin 1958 në rreth 36,000 kg në 2020.

Ndërkohë që edhe gomat e traktorëve dhe mjeteve të tjera janë zmadhuar, duke rritur ndikimin në tokë.

Në tokën që është shtypur nga një peshë e madhe, ajri nxirret jashtë dhe toka bëhet e ngjeshur.

Kjo e bën të vështirë për bimët të lëshojnë rrënjë. Kjo do të thotë më pak lëndë ushqyese dhe toka është e prirur ndaj përmbytjeve.

Studiuesit mendojnë se pesha e makinerive bujqësore përbën një kërcënim për produktivitetin bujqësor.

Analiza e tyre, e botuar në "Procedurat e Akademisë Kombëtare të Shkencave", tregon se autokombajnat mund të dëmtojnë deri në një të pestën e tokës globale.

Thomas Keller, profesor i menaxhimit të tokës në Universitetin Suedez të Shkencave Bujqësore në Uppsala, Suedi, thotë se makineritë duhet të projektohen që të mos kalojnë një ngarkesë të caktuar.

"Ngjeshja mund të ndodhë brenda pak sekondash kur ne ngasim në tokë. Por mund të duhen dekada që ajo tokë të rikuperohet," tha ai.

Burimi:BBC/Përshtati:Gazeta "Si"


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë