Mendim

Lufto për Europën ose shkatërruesit do ta rrënojnë

Kontinenti përballet me sfidën e tij më të madhe, qysh prej viteve ’30. Kemi nevojë që patriotët europianë t’i bëjnë rezistencë sulmit nacionalist.  Europa po shkërmoqet para syve tanë, thonë tre intelektualë të mëdhenj të kontinentit. Bernard-Henri Lévy, Milan Kundera, Salman Rushdie, Elfriede Jelinek, Orhan Pamuk dhe 25 të tjerë. Mes firmëtarëve është edhe shkrimtari shqiptar Ismail Kadare.

Ideja e Europës është në rrezik. Nga të gjitha anët ka kriticizëm, fyerje dhe dezertim të kauzës. “Mjaft më me “të ndërtojmë Europën!”, është ankesa. “Le të lidhemi më mirë me “shpirtin tonë kombëtar!” Le të rizbulojmë “identitetin tonë të humbur!” Kjo është agjenda e përbashkët e forcave populiste në kontinent. Për të mos thënë që,  abstragime si “shpirt” dhe “identitet” shpesh ekzistojnë vetëm në imagjinatën e demagogëve. Europa po sulmohet nga profetë të rremë që janë të dehur me mëri dhe të çartur në mundësinë e tyre për të mbërthyer qendrën e vëmendjes. Është braktisur nga dy aleatë të mëdhenj që,  në shekujt e mëparshëm dy herë e kanë shpëtuar nga vetëvrasje; një përtej Kanalit dhe tjetri në Atlantik. Kontinenti është i brishtë ndaj ndërhyrjeve gjithnjë e më të ashpra të Kremlimit.

Europa është një ide që po shkërmoqet para syve tanë. Kjo është klima helmuese,  në të cilën zgjedhjet parlamentare të Europës do të zhvillohen, në muajin maj. Vetëm në ndryshoftë diçka;  vetëm në daltë diçka për të sprapsur  dallgën e ngritur, të fryrë e ngulmuese; vetëm në u  shfaqtë një shpirt i ri rezistence, përndryshe këto zgjedhje premtojnë të jenë më katastrofiket që kemi njohur. Do t’u japin fitore shkatërrimtarëve. Për ata që ende besojnë në trashëgiminë e Erasmusit, Dantes, Gëtes dhe Komeniusit, do të ketë vetëm mposhtje poshtëruese. Politika e përçmimit ndaj inteligjencës dhe kulturës do të ketë triumfuar. Do të ketë shpërthime ksenofobie dhe antisemitizmi. Fatkeqësia do të ketë rënë mbi ne. Ne, të nënshkruarit, jemi mes atyre që refuzojnë ta dorëzojmë veten përpara kësaj katastrofe, që na kanoset. E numërojmë veten mes patriotëve europianë (një grup shumë më i madh në numër sesa mendohet zakonisht, por që është shpesh tejet i qetë dhe i dorëzuar), që e kupton se këtu ka një rrezik.

Treçerek shekulli pas mposhtjes së fashizmit dhe 30 vjet nga rënia e Murit të Berlinit ka një betejë të re për qytetërimin. Besimi ynë është në idenë e madhe që kemi trashëguar, që besojmë se ka qenë një forcë e vetme, mjaftueshëm e fuqishme për të ngritur popullin e Europës mbi veten dhe të shkuarën me luftëra. Besojmë se mbetet e vetmja forcë sot, mjaftueshëm e virtytshme,  për të shmangur shenjat e reja të totalitarizmit që tërheqin pas vetes në zgjimin e tyre, mjerimet e vjetra të epokave të errëta. Ajo që është në rrezik na ndalon të heqim dorë. Ndaj, kjo ftesë për t’u bashkuar është një valë e re. Ndaj vjen kjo thirrje për veprim në prag të zgjedhjeve që refuzojmë t’i braktisim përballë varrmihësve të idesë Europiane. Ndaj është kjo nxitje për ta mbajtur edhe njëherë pishtarin e Europës që, pavarësisht gabimeve të saj, shkarjeve dhe veprimeve me raste frikacake, mbetet një rreze drite për çdo burrë dhe grua të lirë në planet.

Brezi ynë e kuptoi gabim. Ashtu si ndjekësit e Garibaldit në shekullin e 19-të, që përsëritën, si një mantra , “Italia se farà da sè” ( Italia do të bëhet vetë) , besonim se kontinenti do të bashkohej vetë, pa pasur nevojë të luftohet apo të punohet për këtë. Kjo, i thamë vetes, ishte “orientimi i historisë”. Duhet të bëjmë shkëputje të pastër nga ajo bindje e vjetër. Nuk kemi zgjedhje tjetër. Duhet të luftojmë tani për idenë e Europës ose ta shohim si humbet nën dallgët e populizmit. Në përgjigje të sulmit nacionalist dhe identitar, duhet të rizbulojmë shpirtin e aktivizmit,  ose të pranojmë mërinë dhe urrejtjen të na rrethojë dhe të na përmbytë. Në mënyrë urgjente, kemi nevojë t’i biem alarmit kundër zjarrvënësve të shpirtit dhe frymës, të cilët nga Parisi në Romë, me ndalesa gjatë rrugës në Barcelonë, Budapest, Dresden, Vjenë dhe Varshavë duan të bëjnë një zjarr të madh me liritë tona. Në këtë mposhtje të çuditshme të “Europës” që kanoset në horizont; në këtë  krizë të re të  vetëdijes europiane,  që premton të përçajë gjithçka që i ka bërë shoqëritë tona madhështore, të nderuara dhe të begata, ka një sfidë më të madhe se çfarëdo tjetër, që prej vitit 1930; një sfidë për demokracitë liberale dhe vlerat e saj.

The Guardian/ Copyright: "Çlirim"/Bernard-Henri Lévy. Milan Kundera, Salman Rushdie, Elfriede Jelinek dhe Orhan Pamuk janë romancierë. Bernard-Henri Lévy është filozof

Të tjerë firmëtarë: Vassilis Alexakis (Athinë), Svetlana Alexievich (Minsk), Anne Applebaum (Varshavë), Jens Christian Grøndahl (Kopehagë), David Grossman (Jerusalem), Ágnes Heller (Budapest), Ismaïl Kadaré (Tirana), György Konrád (Debrecen), António Lobo Antunes (Lisbonë), Claudio Magris (Trieste), Ian McEwan (Londër), Adam Michnik (Varshavë), Herta Müller (Berlin), Ludmila Oulitskaïa (Moskë), Rob Riemen (Amsterdam), Fernando Savater (San Sebastian), Roberto Saviano (Napoli), Eugenio Scalfari (Romë), Simon Schama (Londër), Peter Schneider (Berlin), Abdulah Sidran (Sarajevë), Leïla Slimani (Paris), Colm Tóibín (Dublin), Mario Vargas Llosa (Madrid), Adam Zagajewski (Krakovë)


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë