Shkencë

Lodrat jemi ne: Si sendet e fëmijërisë mund t’i kenë dhënë formë historisë njerëzore

Fare pak histori origjine janë aq hutuese sa shpikja e rrotës. Tomas Edisoni pretendonte se gjeniu është 1 përqind frymëzim dhe 99 përqind djersë – për paraardhësit tanë, ishte ai 99 përqindësh që parashtronte problemin. Edhe pasi kuptuan se mund të lëviznin objektet me lëvizje rrotulluese, iu desh të përsosnin aftësitë e tyre inxhinierike aq sa të ndërtonin një rrotë, që mund të punonte. “Të bësh një rrotë të plotë kërkon shumë burime fizike, merr shumë kohë, kërkon shumë zotësi”, thotë Felix Riede, arkeolog në Universitetin Aarhus, të Danimarkës. Po si ka mundësi që, një shpikës prehistorik e ka përballuar të derdhë aq shumë gjak, djersë dhe lot në eksperimentim, kur kishte gojë për të ushqyer? I frymëzuar nga djali i tij, Riede, doli në një zgjidhje të habitshme. Ai mendon se aftësitë e kërkuara për risi teknologjike janë mprehur përmes lojës. Ndërsa të rriturit dilnin për punë serioze për të siguruar mbijetesën e grupit, të vegjlit eksperimentonin natyrshëm me sendet rreth tyre. Nëse Riede ka të drejtë, disa nga shpikjet më të rëndësishme – përfshirë edhe rrotën, endjen dhe armët goditëse – i kanë rrënjët te lodrat e fëmijëve.


Ideja se lodrat i kanë dhënë formë njerëzimit jep një kuptim gjithnjë e më të madh, të rëndësisë që ka pasur loja në evolucionin e trurit tonë. Analizat e mbetjeve, si dhëmbët nga njerëzit e lashtë, tregojnë se specia jonë, Homo sapiensi, gëzon një fëmijëri jashtëzakonisht të gjatë. Një fëmijëri e shtrirë të jep më shumë kohë për lojën imagjinare, që ka treguar se trajnon shumë aftësi të rëndësishme konjitive, përfshirë të menduarit kundërshtues – aftësinë për të pyetur “Po sikur…” – dhe kapacitetin për të parafytyruar skenarë të ndryshëm. Sipas April Nowell, nga Universiteti i Viktorias në Kanada, kjo mund të shpjegojë se përse ne jemi të vetmet specie me një kulturë kaq të pasur simbolike dhe artistike. Është për t’u habitur, sidoqoftë që asnjë nuk i ka shqyrtuar lodrat në të dhënat arkeologjike si sende, që mund të kenë influencuar zhvillimin konjitiv të paraardhësve tanë – derisa Riede u frymëzua nga prurjet e mëdha të plastikës rreth të bijve. “Sapo bëhesh me fëmijë, shtëpia përmbytet me lodra”, thotë ai. Kjo nuk është e kufizuar vetëm në Perëndim: në thuajse çdo shoqëri moderne, fëmijët luajnë me versione miniature të sendeve të të rriturve. Disa studime psikologjike kanë treguar se karakteristikat e lodrave mund të kenë një ndikim të drejtpërdrejtë të zhvillimit konjitiv të fëmijëve. Në një eksperiment, fëmijët që luajnë me lodra të pakufizuara – blloqe ndërtimi që mund të vendosen në mënyra të ndryshme, sesa ato që formojnë një strukturë të veçantë – prireshin të ishin më të mirë në zgjidhjen e të ashtuquajturve probleme “divergjente” .

Kjo na kërkon të krijojmë shumë zgjidhje, si gjetja e përdorimeve të reja për sendin e njohur. Lodrat munden, gjithashtu, ta ndihmojnë një fëmijë të kuptojë vetitë mekanike, si lëvizja e një topi që rrokulliset dhe të praktikojë role sociale, si të jetë prind i një kukulle. “Lodrat lehtësojnë dhe gjithashtu kufizojnë llojet e aktiviteteve konjitive dhe të menduarit, në të cilin përfshihen fëmijët”, thotë Riede. Sipas hipotezës së tij, lodrat prehistorike i kanë lejuar fëmijët të eksplorojnë përdorime të reja dhe përshtatje të sendeve të njohura, ndërsa luanin. Kjo mund t’i ketë pajisur me kuptim më të madh teknologjik dhe më shumë qasje fleksibile që sjell edhe kreativitet më të madh. “Është kjo ngarkesë konjitive, që hedh zarin në favor të novacionit dhe në fakt funksionon”, thotë Riede. Nëse ai ka të drejtë, mund të prisni të shihni disa gjurmë të këtij procesi në të dhënat arkeologjike, me praninë e disa lodrave që, në një farë mënyre, pararendën ndryshime të mëdha kulturore në teknologjitë e lidhura me to.


Të frymëzuar nga loja
Është ende herët për këtë ide, por Riede, Nowell dhe kolegët e tyre kohët e fundit kanë botuar një punim shkencor që nxjerr në pah disa raste intriguese studimi. Për shembull, shqyrtimi i të dhënave arkeologjike të komuniteteve, që jetonin në Groenlandë prej afro 4500 viteve të shkuar, ata zbuluan se kolonizatorët e hershëm nuk kishin lodra dhe gjithashtu tregonin pak novacion në kulturën e tyre materiale, ndërsa Thule, që emigruan në Groenlandë afro 800 vjet më parë, kishin shumë sende në miniaturë që duket se ishin krijuar specifikisht për lojën e fëmijëve, përfshi kajakë lodër, slita, armë dhe kukulla. Paraqitja e tyre duket se përkonte me një shpërthim në teknologjitë e reja të të rriturve, si modele të përparuara për fuzhnja, varka të sofistikuara dhe veshje të përpunuara. Kronologjia nuk është rafinuar sa duhet për të përkufizuar se cila ka lindur e para, lodrat apo teknologjia e përparuar, por Riede mendon se të dyja mund të jenë rritur bashkë, me kulturën më të pasur materiale që ka frymëzuar sende të reja dhe që, në këmbim, furnizuan mendjet e reja për novacion të mëtejshëm. Ekipi gjithashtu ka bërë ekzaminime në site në Kepin Perëndimor, në Afrikën e Jugut, që datojnë nga 60 mijë në 80 mijë vjet më parë. Analizat e fragmenteve të shkëmbit tregojnë se të rinjtë, me më shumë gjasë fëmijët, imitonin të rriturit në copëtimin e gurit, duke prodhuar kopje të papërpunuara dhe pa funksion të veglave të vërteta. Kjo lojë kopjuese, sërish duket se përkon me teknologjitë e reja të sofistikuara, si kokat e shigjetave, duke sugjeruar se lojërat e fëmijërisë mund të kenë qenë shkëndijë e novacionit më të madh kulturor. Ndërkohë tjerrja e fijes, që është thelbësore për prodhimin e pëlhurave, mund të jetë frymëzuar nga rondelat, disqet e gdhendura me vizatime të kafshëve. Arkeologët besojnë se këto disqe, të gjetura në Europë gjatë Epokës së vonë të Gurit mund të jenë sjellë rreth fijes për t’u alternuar mes imazheve të secilës anë, një lloj libri prehistorik në lëvizje. “Ka një përkim mes idesë së këtyre disqeve rrotullues dhe idesë se mund ta përdorësh rrotullimin për një qëllim – për të bërë fije”, thotë Riede. Megjithatë, është shpikja e rrotës ajo që ofron mbështetjen më të madhe për idenë e Riede-it. Dëshmia më e vjetër e mjeteve me rrota tregon se teknologjia doli afro 5500 vjet më parë, në Euroazinë perëndimore – në veri të Kaukazeve, Mesopotami dhe në Europën qendrore dhe atë të veriut. Por afro dy shekuj përpara këtij zbulimi, shohim modele të vogla të kafshëve me vrima të shpuara në këmbët e tyre për një bosht dhe disqe qeramike që funksionojnë si rrota. Pjesa e sipërme e kafshëve gërryhej, duke çuar në mendimin se ishin enë të zbukuruara për të pirë, ndoshta të përdorur gjatë ritualeve. Por duke parë përmasën dhe faktin se, kafshët në miniaturë janë lodra në shumë kultura moderne, Riede beson se ato ishin lodra. “Mund t’i quani fare mirë, të lezetshme”, thotë ai.


Nëse është kështu si çdo fëmijë me një tren në ditët e sotme, fëmijët që luanin me ato lodra mund të kenë qenë duke fituar kontroll të mekanikës së lëvizjes rrotulluese. Ata mund t’i kenë përdorur lodrat e tyre për të transportuar sende të ndryshme dhe kanë praktikuar mënyra të ndryshme për t’i vënë në lëvizje –nga pjesa e parme apo e pasme apo i kanë lënë të rrotullohen në një shpat. Ata mund edhe të kenë eksperimentuar me rrota të masave të ndryshme ose të bëra nga materiale të ndryshëm. Ndërsa fëmijët rriteshin, ato aftësi mund t’i kenë ndihmuar të bënin kapërcimin konjitiv, të nevojshëm për të imagjinuar një qerre, ndërsa një shoqëri që nuk i kishte ato lodra mund të ketë pasur vështirësi në parafytyrimin e një modeli funksional. “Ndoshta, shpikësit e hershëm mund t’i kenë përdorur lodrat për të prodhuar prototipa. “Mund të bëje lehtë njëqind nga ato figura në miniaturë, të gjitha të ndryshme, të luaje me to – me kuptimin e parë të fjalës – dhe më pas të shihje ç’lloj modeli funksiononte më mirë”, thotë Riede. Arkeologia Michelle Langley nga Universiteti Griffith, në Kuinslandin Juglindor, Australi, bie dakord se ideja ia vlen për studime të mëtejshme. “Nuk zgjohesh një ditë si i rritur, i aftë t’i bësh ato gjëra. Të duhet praktikë dhe familjarizim me materialet bruto dhe mënyrën sesi punojnë”, thotë ajo. “Është ky proces i madh i të mësuarit dhe, duhet ta nisësh kur je i ri.” Ashtu si Riede, Langley është frymëzuar nga sjellja e saj si fëmijë. Ajo ka botuar së fundi një artikull, ku argumenton se shumë sende arkeologjike, si rondelat apo figurat e baltës shpesh të para si sende ritualesh, duhet të riintepretohen si lodra. Figurat e kafshëve, përshembull, mund të kenë qenë të rëndësishme për t’u mësuar fëmijëve gjuetinë. “Është më e lehtë kur ke këto modelet e vogla”.

Langley aktualisht po harton një studim për t’u dhënë fëmijëve të vegjël kopje të sendeve prehistorike, për t’i ndihmuar në përcaktimin e modeleve karakteristike që vijnë me lojën – nëse ato bëhen të lëmuara apo lustrohet, krisen apo ciflosen, përshembull. Kjo do t’u lejojë, më pas, arkeologëve të identifikojnë më mirë se cilët artefakte kanë qenë vërtet lodra, duke siguruar, ndoshta, prova të mëtejshme për hipotezën e Riede. Riede, Langley dhe Nowell po planifikojnë organizimin e një konference në Australi, që do të mbledhë bashkë shkencëtarët nga disiplina të ndryshme për të eksploruar saktësisht sesi fëmijët, kaq shumë të neglizhuar nga arkeologët, kanë udhëhequr ndryshimin kulturor. Riede është entuziast rreth asaj ç’ka mund të zbulojnë. “Na duhet ta shohim materialin, që kemi, me sy të rinj dhe nga një kënd i ndryshëm, pasi kultura materiale është vërtet e rëndësishme për të kuptuar trajektoret afatgjata të risisë dhe krijimtarisë”, thotë ai. Nëse ata kanë të drejtë, përparimet tona më të mëdha mund të kenë qenë vërtet lojë fëmijësh.

*David Robson/ New Scientist


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë