Libra

Librat “të rrezikshëm”, tepër të fuqishëm për t’u lexuar

Nga Gazeta Si - Dyzet vjet pas nisjes së Javës së Librave të Ndaluar, censura është sërish në rritje. Për të nisur një seri të re të BBC Culture, John Self merr në konsideratë historinë e gjatë dhe globale të ndalimit të librave.

Legjenda e Librave Sibilinë rrëfen se në një qytet të lashtë, një grua u ofroi t’u shiste qytetarëve të saj 12 libra që përmbanin të gjitha njohuritë dhe mençurinë e gjithë botës, për një çmim shumë të lartë. Ata refuzuan, duke e konsideruar qesharake kërkesën e saj, kështu që ajo mori vendimin aty për aty të digjte gjysmën e librave dhe pjesën e mbetur, pra gjashtë të tjerat, t’i shiste për dyfishin e çmimit. Qytetarët qeshën sërish me të, por këtë herë paksa të shqetësuar. Ajo dogji tre, duke u ofruar pjesën e mbetur, por duke e dyfishuar përsëri çmimin. Disi me ngurrim – pasi kohët ishin të vështira dhe problemet e tyre dukej se po shumoheshin – qytetarët treguan mospërfillje ndaj zonjës edhe një herë. Më në fund, kur kishte mbetur vetëm një libër, ata ranë dakord ta paguanin çmimin e jashtëzakonshëm që kërkonte tani gruaja dhe ajo i la të qetë, për të menaxhuar sa më mirë jetesën e tyre, me një të dymbëdhjetën e të gjitha njohurive dhe urtësisë së botës.

Librat mbartin njohuri. Ata janë pjalmues të mendjeve tona, duke përhapur ide vetë-përsëritëse përmes hapësirës dhe kohës. Ne harrojmë se çfarë mrekullie është që shkronjat e një faqe libri ose ekrani (në rastin e leximit të një artikulli apo libri online) mund të mundësojnë komunikimin midis një truri në njërën anë të globit me një të dytë në anën tjetër, ose në fundin tjetër të shekullit.

Librat janë, siç ka thënë Stephen King, “mbartësit e një magjie unike të transferueshme” – ​​dhe pikërisht kjo pjesa e transferimit është po aq e rëndësishme sa magjia. Një libër mund ta ndalosh, ta mbash të fshehur, apo ta bësh pjesë të “bagazheve të tua” si njohuri. Fuqia e fjalëve brenda librave është aq e madhe saqë prej kohësh ka qenë zakon që disa prej tyre të fshihen: të tilla si mallkimet. P.sh: çdokush që ka hasur një “i m——r” (i mallkuar) në një roman të shekullit të 19-të do ta dijë se fjala fshihej pasi konsiderohej blasfemi; ose një tjetër shembull janë fjalët tepër të fuqishme dhe të rrezikshme për t’u shkruar, sikurse emri i Zotit në disa tekste fetare.

Librat mbartin njohuri dhe dija është fuqi, gjë që i bën librat një kërcënim për autoritetet, përfshi këtu qeveritë dhe liderët autokrat apo diktatorët, të cilët duan të kenë një monopol mbi dijen dhe të kontrollojnë atë që mendojnë qytetarët e tyre. Mënyra më efikase për të ushtruar këtë pushtet mbi ta është ndalimi i librave.

Ndalimi i librave ka një histori të gjatë, por ende nuk ka vdekur. Ai mbetet një “industri” e lulëzuar. Nga kjo ka lindur edhe java e librave të ndaluar. Java e Librave të Ndaluar filloi në vitin 1982 si përgjigje për të ngritur zërin ndaj sfidave në rritje të librave në shkolla, biblioteka apo librari.

Në disa mënyra, ne duhet të admirojmë energjinë dhe vigjilencën e atyre që duan të ndalojnë librat. Ndërsa dikur ishte shumë e lehtë, në ditët e sotme kërkon një punë dhe mund të jashtëzakonshëm për të realizuar një nismë të tillë. Shekuj më parë, kur shumica e popullsisë nuk mund të lexonte dhe librat nuk ishin të disponueshëm, njohuritë e tyre mund të kufizoheshin në burim.

Ulysses nga James Joyce – i cili mbush 100 vjet këtë vit – u ndalua në Britani nga viti 1922 deri në 1936

Edhe kur nivelet e shkrim-këndimit u përmirësuan, me futjen nga Britania e Madhe të ligjeve të arsimit në fund të shekullit të 19-të, librat mbetën të shtrenjtë; veçanërisht për ato vepra letrare të nivelit të lartë, fjalët dhe idetë e të cilave ishin më të qëndrueshme (dhe potencialisht më të rrezikshmet). Vetëm në vitet 1930, me Albatross Books dhe Penguin Books, audienca e re masive, “e uritur” për libra cilësorë dhe të përballueshëm, mundi të plotësonte “orekset”.

Sidoqoftë, ndalimi i librave do të merrte një trajtë të re, pasi censuruesit u përpoqën dëshpërimisht të vazhdonin bllokimin për publikun e gjerë të të tjerë titujve, të cilët konsideroheshin “fajtor” për orientimin e lexuesit drejt ideve të reja shkatërruese. Por ajo që ishte befasuese në lidhje me zgjerimin e listës së librave të ndaluar në shekullin e 20-të, është se sa i përhapur ishte epshi (dëshira) për të përdorur këtë “raketë mbrojtjeje”.

‘Mendjet e korruptuara’

Sot, qeveria e Kinës p.sh: vazhdon të nxjerrë dekrete kundër librave në shkolla që “nuk janë në përputhje me vlerat thelbësore socialiste [të vendit]; që kanë pikëpamje të devijuara ndaj botës, jetës dhe vlerave” – ​​një arsyetim standard ky, i cili mund të vihet në zbatim kundrejt çdo libri që autoritetet nuk e miratojnë për çfarëdo lloj arsyeje. “Sidoqoftë, nxënësit nuk i lexojnë ato gjithsesi”– do të shprehej një mësues kinez në vitin 2020, teksa pastronte raftet e bibliotekës së shkollës nga romanet “Ferma e Kafshëve” dhe “1984” të George Orwell.

Në Rusi, qasja ndaj ndalimit të librave ka qenë një aventurë jashtëzakonisht publike, duke pasur parasysh numrin e shkrimtarëve të mëdhenj që vendi ka eksportuar – me dëshirë ose jo – në pjesën tjetër të botës. Gjatë epokës sovjetike, qeveria u përpoq të ushtronte kontroll sa mbi zakonet e leximit të qytetarëve rus aq edhe mbi pjesën tjetër të jetës së tyre.

Në vitin 1958, Boris Pasternak u nderua me Çmimin Nobel në Letërsi për kryeveprën e tij “Doctor Zhivago”, i cili u botua në Itali më 1957-ën, por jo në “nënën” Rusi. Çmimi i Pasternak zemëroi aq shumë autoritetet sovjetike, me mediat e kontrolluara nga pushteti konsideronin atë një “vepër artistikisht të dobët dhe keqdashëse”, sa ai u detyrua të refuzonte çmimin. Sovjetikët e përçmuan librin për shkak se, përveçse dështoi të përcillte me “urra” revolucionin rus, përmbante edhe ngjyrimet fetare e i jepte rëndësi vlerës individit. CIA, duke parë “vlerën e madhe propagandistike” të doktor Zhivagos, mori masat për botimin e saj në Rusi.

Dr Zhivago nga Boris Pasternak u përbuz nga qeveria sovjetike

Ndalimi i librave në Bashkimin Sovjetik çoi në zhvillimin e shkrimit samizdat ose të vetë-botuar, të cilit ne i detyrohemi me përulje ekzistencën e poezisë së Osip Mandelstam. Shkrimtari disident Vladimir Bukovsky i përmblodhi samizdat në formën: “Unë e shkruaj vetë, e redaktoj vetë, e censuroj vetë, e botoj vetë, e shpërndaj vetë dhe bëj burg për të vetë”.

Megjithatë, ndalimi i librave ka qenë i pranishëm edhe në Perëndim. Ata i bëjnë qejfin vetes nëse mendojnë se nuk kanë qenë, s’janë apo s’do të jenë pjesë e të tilla nismave fatkeqe. Kur librat ndalohen ose bëhen përpjekje për t’i ndaluar, argumenti është po i njëjtë si në Lindje e diku gjetkë: po kryhet për të mbrojtur njerëzit e zakonshëm, të cilët në dukje janë shumë të dobët për të gjykuar vetë, nga ekspozimi ndaj ideve korruptive.

Në Britani, ndalimi i librave ka qenë shpesh një mjet kundër materialeve tepër sensitive, të ashtuquajtura turpësi seksuale. Kjo zakonisht është një përpjekje për të përdorur hapur forcën e ligjit për të ndalur ndryshimet shoqërore: një taktikë që dështon gjithmonë, por megjithatë është e parezistueshme për autoritetet afatshkurtra.

Shumë shkrimtarë kanë shkatërruar reputacionin e tyre për shkak ligjeve kundër paturpësive të Britanisë së Madhe. James Joyce shkeli rregullat kundër materialeve sensitive kur tha, ndërsa shkruante Ulysses, se “pavarësisht policisë, unë do të doja të vendosja gjithçka në romanin tim“. Libri u ndalua në Britani nga viti 1922 deri në 1936, edhe pse oficeri ligjor përgjegjës për vendimin kishte lexuar vetëm 42 faqe nga përmbajtja me 732 të tilla. Ajo “gjithçkaja” që Joyce kërkoi dhe si përfundim i vuri Uliksit, përfshinte masturbim, sharje, seks dhe shkuarje në tualet.

Në Britani, ndalimi i librave ka qenë shpesh një mjet kundër turpit seksual

DH Lawrence ishte një rast tjetër i veçantë. Puna e tij – që përmbante akte seksuale, të cilat Lawrence i konsideronte përulësisht pjesë të shpirtit – kishte qenë subjekt i një fushate sulmesh nga Kryeprokurori i Prokurorisë Publike të Britanisë së Madhe për vite me radhë, përmendim këtu djegien që i bënë librit të tij “Ylberi”, përgjimin për të shtënë në dorë “Poemat Pansies”, apo bastisjen e ekspozitës së tij të artit.

Hakmarrja vazhdoi edhe pas vdekjes kur shtëpia botuese Penguin Books botuan “Lady Chatterley’s Lover” (I Dashuri i Zonjës Chatterley) në vitin 1960, çka i vuri ata nën ndjekje penale.

Çështja, në të cilën juria vendosi njëzëri në favor të Penguin Books, përbën një ironi therëse për Britaninë e Madhe. Tre vjet më parë dhe 6 dekada nga përpjekjet e furishme për të ndaluar librin, qeveria britanike pengoi shitjen jashtë shtetit të kopjes origjinale të gjyqtarit të “Lady Chatterley’s Lover”, në mënyrë që “të gjendet një blerës për të mbajtur këtë pjesë të rëndësishme të historisë së kombit në Mbretërinë e Bashkuar”.

Mbajtja gjallë e ideve

Në SHBA ndalimi i librave konsiderohet një “kosto”, të cilën ato duhet “ta paguajnë” për fuqinë që kanë në një botë ku çdo valë e re e teknologjisë, nga TV te lojërat dhe rrjetet sociale, tërheq tek njerëzit frikën e përmbajtjes “së papërshtatshme”. Shkollat ​​janë një vatër e veçantë e tentativës së censurës, pjesërisht sepse “drejtimi” i mendjes së një fëmije shihet si mënyrë efikase për të shuar rreziqet e përhapjes së materialeve tepër sensitive; dhe sepse (ndryshe nga libraritë) bordet e shkollave kanë mundësinë që t’i diktojnë komunitetit politikat apo çështjet të cilave duhet t’u japin zë, duke e shitur atë si kontribut.

Tematika kryesore mes temave të nxehta për ndalimin e librave në shkollat ​​dhe bibliotekat amerikane, është seksi. “Amerika duket se është duke e ushtruar së tepërmi lirinë për kryerjen e marrëdhënieve seksuale”- tha në 2017 James LaRue, asokohe drejtor i Zyrës për Lirinë Intelektuale të Shoqatës Amerikane të Bibliotekave.

Sidoqoftë, “seksi” në ndalimin e librave përgjatë ditëve të sotme ka të bëjë më shumë me seksualitetin dhe identitetin gjinor. Tre librat më të goditur të vitit 2021 në SHBA, u kundërshtuan për shkak të përmbajtjes së tyre LGBTQI+. Kjo vë në pikëpyetje idenë nëse ndalimet e librave bëhen për të mbrojtur të rinjtë apo janë një përpjekje për spastrim ideologjik. Rasti i dytë tregon qartazi një mungesë të theksuar imagjinate nga censuruesit, që besojnë se përshkrimi në libër i p.sh: personave transgjinorë, shkakton fenomenin e transgjinisë dhe jo e kundërta. Kjo lidhet me besimin se gjërat që nuk na pëlqejnë mund të injorohen në mënyrë të sigurt për sa kohë që nuk i shohim të faqosura diku. Një ndër botimet që qëndron rregullisht në Top 10 e anëtarëve kryesorë të listës së Librave të Ndaluar është klasiku modern i Toni Morrison, “The Blueest Eye” (Syri më blu) për përshkrimin e tij mbi abuzimin seksual të fëmijëve.

Në listat e librave më të sfiduar është edhe "The Bluest Eye" nga Toni Morrison

Kjo tregon se censura e librave në SHBA ka ekzistuar prej kohësh.

Sa më i spikatur një libër, aq më shumë ka të ngjarë të tërheqë vëmendjen e censuruesve. “The Catcher in the Rye” nga JD Salinger është sfiduar rregullisht. Një mësues u pushua nga puna pasi u kap duke u mësuar nxënësve këtë libër në vitin 1960, dhe libri u hoq nga shkollat ​​në Wyoming, Dakotan e Veriut dhe Kaliforni në vitet 1980. Argumenti për ndalimin e romanit të Salinger-it, është zakonisht për fyerje dhe gjuhë vulgare. Edhe pse vija e tij hapëse, po ta krahasosh me të gjithë atë lloj katrahure që ka bërë David Copperfield, duket e çuditshme në ditët e sotme.

Ndalimi i librave është një kishë e madhe, që bashkon libra të cilët zakonisht nuk janë shokë shtrati. Ai përfshin gjithçka, nga trillimet popullore (Peter Benchley, Sidney Sheldon, Jodi Picoult) deri te klasikët e njohur (Kurt Vonnegut, Harper Lee, Kate Chopin). Ka më shumë objektiva sesa mund të të kap shënjestra.

A ka shpresë? Sigurisht. Publiciteti nga Java e Librave të Ndaluar i mban këto libra dhe çështjen e censurës në sytë e publikut.

Në fund, vetëm vigjilenca e lexuesit, kudoqoftë ai, është çmimi i mbajtjes gjallë të librave dhe ideve tona. Siç na tregon historia e Librave Sibilinë, librat mund të digjen, njohuritë e tyre mund të humbasin dhe asgjë nuk është përgjithmonë. /BBC/


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë