Arsim

Lexime gjimnazi: Klasikë me detyrim vs. bestseller kënaqësie

Suadela Balliu - “E lashë, tha, se ajo nuk njihte Danten, Shekspirin...” Kjo batutë nga filmi “Në çdo stinë” me aktorët Anisa Markajan dhe Arben Imami, i përdorur sa e sa herë për shaka e qesëndi, merr nuanca të armëve bindëse që një mësuese e letërsisë mund të përdorë për të nxitur nxënësit drejt leximit.“U them shpesh nxënësve: E dini pushtetin që kanë prindërit tek fëmijët?! Imagjinoni një ditë, kur të jeni të rritur dhe t’ju vijë fëmija juaj e t’ju pyesë për një analizë vepre letrare dhe t’i thoni “Nuk e di!”, e dini sesa shumë  ju zbehet imazhi në sytë e një fëmije?”. Por ka shumë forma për të punuar me ta”, rrëfen Albana Janko, mësuese letërsie në shkollën “Ismail Qemali”.

Një prej metodave, për t’i qasur sa më pranë librit brezat e rinj, që në tetëmbëdhjetë vite pune, i ka parë edhe sesi ndryshojnë interesat e tyre, është të lexojë librat që u pëlqejnë adoleshentëve sot.“Kam parë shumë breza dhe kam parë sesi ka ndryshuar leximi i librave, modelet, tendencat. Mundohem të rri në korrent me të rejat dhe të stimuloj leximet. Jemi të detyruar t’i udhëheqim drejt leximit”, rrëfen mësuesja e letërsisë, e cila shton se përveç kulturës së leximit që mund të kultivohet në familje, pjesa tjetër e barrës bie pikërisht mbi mësuesit e letërsisë.“Ndonjëherë bëhet edhe modë; marrin ndonjë libër për të shkrepur foto për Facebook dhe Instagram  dhe bëjnë sikur lexojnë”.

Janko rrëfen se nga përvoja ka parë që fëmijët – siç i quan ajo – priren të lexojnë ata libra për të cilët dëgjojnë më shumë, nga miqtë përreth apo rrjetet sociale. “Vitin e kaluar kisha një nxënës që nuk e di sesa biografi të Tupac-ut kishte lexuar. Dinte çdo hollësi të jetës së tij. Ndërsa vajzat priret drejt librave bestseller, me histori dashurie.”Një detyrë që i vuri vetes mësuesja ishte të lexonte deri në 10 libra, nga ata të parapëlqyerit e nxënësve. “E bëra për të kuptuar qasjen e tyre. Nëse e ka lexuar mësuesja edhe ata joshen për të diskutuar dhe në këtë mënyrë mund t’u hyjë në qejf edhe ndonjë libër tjetër, të cilin ua rekomandoj në diskutim e sipër. Diskutojnë mbi “Gjuetari i Balonave”, “Njëmijë diej vezullues”, “Princeshat”, librat e Dan Brown-it, “Kopshti i trëndafilave të kuq”, janë disa shkrimtare italiane të këndshme për lexime vere, të cilat i kam lexuar edhe unë.”

Gjimnazi "Ismail Qemali" , aktualisht ne restaurim. 

“Ka edhe nga ata, që vijnë në vit të parë dhe u thua të përshkruajnë një libër që kanë lexuar gjatë verës dhe të thonë se nuk kanë lexuar asnjë libër në jetën e tyre. U them: Po Aventurat e Tom Sojerit i keni lexuar? Por Çufon dhe Bubin Kaçurrel? Kështu e nisim me libra të vegjël fillimisht.”Mësuesja rrëfen që shpesh nxënësit ndahen në grupe dhe u ngarkohet si detyrë që secili grup të lexojë një libër e më pas të diskutohet. “Një grupi u dhashë Don Kishotin, një grupit tjetër “E madhe gjëma e mëkatit” , një libër jo më shumë se 40 faqe dhe u pëlqeu.Duhet të gjesh mënyrat për t’i joshur drejt leximit. U kam gjetur disa tregime të Çehovit, të shkurtra e me romanca brenda, të cilat i kanë qejf. Ndonjëherë ua lexoj unë, ose ua rrëfej dhe atyre u hyn në qejf”.

Një nga problemet që hasin shpesh mësueset e letërsisë është se shpesh të rinjtë shohin versionet e ekranizuara të klasikëve dhe u ikën kureshtja për të lexuar librin. “U them: Po ju pranoni zgjedhjen e regjisorit dhe nuk e lini veten të jeni regjisor? U marr si ilustrim “Shtëpia e Shpirtrave” dhe u them: A mundet një regjisor të sjellë flokët jeshilë të algave, të Anës? I nxis me pushtetin e fjalës, që të gjithë njerëzit e mëdhenj kanë pushtuar dhe kanë pasur sukses me anë të fjalës.

Mësuese Albana thotë se nxënësit, të paktën pesë libra jashtë programit të detyruar do t’i lexojnë gjatë një viti. “Por edhe ai që nuk lexon, minimumi do të dëgjojë nga shokët. Mbase do të ndihet i përjashtuar dhe një moment do e ndiejë të nevojshme të lexojë.”Një nga prirjet e gjimnazistëve është edhe kërkimi në internet për të gjetur shpesh analiza të gatshme veprash e për t’i marrë ndonjëherë ashtu “copy-paste”.“Kam gjetur një mënyrë tjetër. U them se më pëlqejnë detajet, sepse ata bëjnë diferencën. I pyes se cili është detaji i Xha Gorioit, u munduan ta gjenin dhe u thashë që është medaljoni me kaçurrelat e vajzës, të cilin, apo te Don Kishoti me pjesën filozofike “Arsyeja e mos arsyes  sime..””

Mësuesja  rrëfen se nga ajo që vëren në pesë klasa me nga 35 nxënës ku ajo jep mësim, në shkollën e mesme “Ismail Qemali”, pjesa më e madhe e gjimnazistëve lexojnë. Për librat e vëllimshëm si “Iliada”, leximi ndahet në disa prej pjesëve kryesore të librit.“Pastaj, duhet pasur parasysh që librat kanë kosto të jashtëzakonshme”, shton Janko, ndërsa thotë se çështja është që leximi të shndërrohet në tendencë dhe modë.

Librat e programit mësimor, nxënësit i gjejnë në bibliotekën e shkollës, e cila thotë mësuesja, është shumë e pasur. Por gjatë këtyre muajve, për shkak të punimeve restauruese që po bëhen në gjimnazin “Ismail Qemali” jo vetëm nxënësit janë ndarë dhe bëjnë mësim në dy godina, si në shkollën 9-vjeçare “Fan Noli” dhe Shkollën e Mesme të Gjuhëve të Huaja, por edhe fondi i bibliotekës është vendosur dhe ruhet diku jashtë godinës së shkollës. Kjo e  bën të pamundur për momentin që nxënësit t’u drejtohen bibliotekave.

Megjithatë listën e autorëve dhe veprave për vitin shkollor, nxënësit e kanë marrë disa muaj përpara, në mbyllje të vitit të kaluar.“Biblioteka jonë është shumë e mirë. Kemi marrë disa herë donacione dhe këtë vit, DAR dhe Ministria e Arsimit kanë ofruar një fond prej 15 milionë lekësh dhe kemi zgjedhur të marrim mbi dhjetë kopje të të gjithë listës së veprave nga viti i parë e deri në maturë.”Vitin e kaluar, rrëfen mësuesja se nxënësve që mbyllnin klasën e dhjetë e hidheshin në të njëmbëdhjetën u rekomandoi të lexonin “Fausti”, të Gëtes.“U   thashë të shkruanin përshtypjet sepse do t’i diskutonim. Një nxënës më tha: mësuese e lexova gjatë verës. E ngacmova me disa pyetje për ta parë nëse e kishte lexuar dhe më tha: Jo vetëm e kam lexuar, por edhe më ka shijuar.” Është nga ata nxënës me pritje matematikore.”

Nga e majta: Henri, Elina, Savio, nxënës të gjimnazit "Ismail Qemali" 

Henri Hatija, nxënësi me prirje matematikore, të cilit i referohet mësuese Albana, rrëfen sesa mbresa i ka lënë këtë verë leximi i Faustit. “Kisha në shtëpi një botim të vjetër, të cilin ma kishte dhuruar halla. Libri ishte shumë i mirë. U lidha shumë me Faustin, sepse rrëfen një dilemë, të cilën e kam edhe vetë. Fausti ndiente sikur nuk po arrinte shumë dhe kishte potencial më të madh, kjo e bëri t’u drejtohej mjeteve të tjera. Edhe unë e ndiej këtë, sepse pas dy vitesh do të jem në universitet dhe nuk dua thjesht të bëj një punë zyre, por të sjell ndryshim.”, rrëfen nxënësi, ndërsa Mefistofelin e sheh jo vetëm si figura e djallit, por një tipar brenda çdo njeriu.

Një tjetër libër që e nisi ta lexojë me detyrim, pastaj përfundoi duke e lexuar për kërshëri është “Don Kishoti i Mançës”. “Vitin e kaluar e kishim me detyrim të lexonim pjesën e parë, pro më pëlqeu aq shumë sa lexova edhe të dytën”, zbulon Henri, ndërsa shton se shijet e tij rreth librave kanë lexuar. “Në fëmijëri më pëlqenin librat fantastiko-shkencorë, sepse zhvilloja fantazinë, por kur erdhëm në gjimnaz u njohëm me klasikët dhe po më pëlqejnë”.

Mësuesi, rrëfen Albana Janko, është ende idhull në sytë e fëmijëve. “Kur i thua se sot mbase nuk ia di vlerën, por kur të shkosh 30-vjeç dhe të ulesh në biseda me njerëz të shtresave të ndryshme intelektuale, të jesh i lexuar do të jetë gjithnjë një pikë plus. Kështu po përpiqemi ta fitojmë betejën.” Të lexuarit jo vetëm që u pasuron imagjinatën por u zhvillon edhe oratorinë, mëson mësuese Albana.Shembulli është një tjetër nxënës i saj, Savio Dosti, në klasën e 11-të, i dhënë pas librave me karakter historik dhe me dëshirën që në të ardhmen të studiojë Shkenca Politike.

“Rrymat letrare që ndjek momentalisht janë realizmi, veçanërisht “Zonja Bovari” dhe romantizmi”, thotë i riu, ndërsa me një ligjëratë të rrjedhshme e pa emocione shton se krahas librave të kurrikulës, ka dëshirë të eksperimentojë edhe me rryma të tjera. “Si realizmi magjik. Kam lexuar këtë verë “100 vjet vetmi” dhe më pëlqeu. Këta lloj librash me histori dhe personazhe komplekse më tërheqin. Një tjetër libër që kam lexuar, për fat të keq nuk ia kam gjetur përkthimin në shqip është “Clockwork Orange” që do të përkthehej “Portokallja mekanike””, rrëfen ndërsa shton se ka parë edhe versionin e ekranizuar të këtij libri dhe e pranon se versioni filmik ishte më i bukur. “Gjithashtu kam lexuar “Hoë to kill a mockingbird” të Harper Lee, një libër që trajton temën e racizmit. Veprën voluminoze të Servantesit, “Don Kishoti i Mançës” thotë se e ka lexuar për herë të dytë. “Më pëlqejnë librat me përshkrime të gjatë.”

Mes klasikëve, Savio veçon edhe Balzakun dhe veprën e tij “Xha Gorioi”, zemra e “Komedisë Njerëzore” , të shkruar prej tij. “Kam tentuar të lexoj edhe libra filozofikë, por ka qenë pak e vështirë. Kam kuptuar mjaft mirë “Arti i të jetuarit” të Shopenhauerit, më pas tentova të lexoj Niçen, por nuk kam arritur ta marr një libër të tij ta çoj deri në fund.”Librat filozofikë i ka gjetur në bibliotekën e shtëpisë, libra që i pëlqejnë të atit. Kështu ka shfletuar njëqind faqe nga “Kështu foli Zarathustra” , “Mbi analogjinë e moralit” dhe “Përtej së mirës dhe së keqes. “Por është ca i komplikuar dhe duhet ta studiosh mirë”, rrëfen, ndërsa në klasën e 11-të, nxënësit prezantohen edhe me lëndën e Filozofisë.“Kisha dëshirë të lexoja edhe një biografi të Sigmund Frojd, por pastaj mora “Këngët e Milosaos”, libër që e kemi në program.”Savio rrëfen se gjatë kësaj vere ka arritur të lexojë rreth shtatë libra.

“Nëse libri më pëlqen e lexoj shpejt, nëse është pak i zakonshëm e kalojë më ngadalë. Kam lexuar Faustin, Zonja Bovari, Katedralja e Parisit, Vëllezërit Karamazov. Dhe jashtë programit kam lexuar “Gijotina” nga Alber Kamy, opinioni i tij kundër dënimit me vdekje, në Francën e viteve ’20.”Nxënësi do ta lexojë patjetër, Zonjën Bovari, Xha Gorioin, Faustin apo Vëllezërit Karamazov, thotë mësuese Albana, pavarësisht opinionit që krijojnë mbi veprën.

“Do të lexojnë Katedralen e Parisit, edhe pse e kanë parë në qindra forma; film, muzikal, etj. U them pse është i bukur “Viti ‘93” apo “Njeriu që qesh”. U lexoj ndonjë pasazh. Jam përpjekur t’i bëj të lexojnë “Bardha e Temalit”.Megjithëse letërsinë shqipe, veçanërisht autorët e veriut, duket se  nxënësit hasin vështirësi në leximin e gegërishtes. “Sado mundohem t’u them që Fisha është Homeri i Shqipërisë, apo t’u flas për vlerat e Koliqit. Gjysmat e fjalëve nuk i kuptojnë. Mundohem t’ua kthej në standarde dhe atëherë u pëlqen. Ndonjëherë nuk kuptojnë as Migjenin. Kam tentuar me Sterjo Spasen, Mitrush Kutelin, kanë lexuar “Qyteti i fundit” nga Petro Marko dhe e pëlqyen. I vetmi autor shqiptar që lexojnë është Ismail Kadare. Vjet kaluam “Kronikë në  gur”, sivjet kemi “Gjenerali i ushtrisë së vdekur”, pastaj “Aksidenti” “Qyteti pa reklama”, janë romane të lehtë që edhe fëmijët i pëlqejnë.

“Normalisht jemi të detyruar t’i lexojmë për shkak të programit shkollor, por kemi edhe dëshirën, sepse janë njëlloj thesari.”, thotë Elina Molla, nxënëse e klasës së 11-të tek “Ismail Qemali”. “Mendoj se nxënësit lexojnë edhe me dëshirën e tyre.” Elina rrëfen se përveç klasikëve të programit, lexon edhe libra të shijeve të saj. Një nga librat e parapëlqyer të saj është “Një shëtitje e paharrueshme ” e Nicholas Sparks, një libër i ekranizuar. “Është më ndryshe kur lexon librin. E kupton më mirë. Libri ta sjell më të saktë ndjesinë.”, rrëfen nxënsjam ndërsa nga programi i shkollës “Medea” , “Iliada” dhe “Odiseja” i kanë lënë më shumë mbresa nga klasa e dhjetë. Megjithëse është nga ato nxënëse që e pëlqen letërsinë,  studimet do të donte t’i ndiqte për stomatologji.

Për sa kohë tentohet, nuk do të thotë se nuk lexohet!

Edhe mësuese Oriana Osmani, nga gjimnazi “Petro Nini Luarasi” rrëfen se mes qindra maturantëve që u diplomuan vitin e kaluar, vetëm një nxënëse nisi studimet e larta për Letërsi. “Vetëm aq munda të bind”, thotë duke qeshur  mësuesja, ndërsa shton se sot prindërit i shtyjnë fëmijët drejt degëve më praktike dhe me më shumë para. “Por jo të gjithë do të bëhen mjekë apo inxhinierë. Shoqëria ka nevojë për psikologë, sociologë, juristë të zotë”.

Osmani thotë se në shkollën “Petro Nini Luarasi” bëhet një punë e mirë kundrejt leximit dhe pikërisht gjatë muajit tetor, që është edhe Muaji i Artit dhe i Letërsisë, aktivitetet me klubet leximit zhvillohet dy deri tri herë në javë. “Ata që janë të interesuar vijnë të lexojnë, qoftë edhe një faqe libër, pa  paragjykuar llojin e leximit. Ideja është të intrigohen edhe  të tjerët përmes  përvojës së tyre. Pyetja është nëse mjafton vetëm një muaj?!”Mësuese Oriana rrëfen se në gjimnazin “Petro Nini” prej tre vitesh organizohet aktiviteti “Eja të lexojmë në Petro Nin”.

Departamenti i Gjuhës dhe Letërsisë në këtë gjimnaz rrëfen Oriana Osmani, përbëhet nga 11 mësues, të cilët shpesh e zhvillojnë orën e mësimit brenda mjediseve të bibliotekës, për t’i çuar të rinjtë sa më pranë librit. “Kemi një brez të orientuar drejt teknologjisë dhe jo vetëm kultura e familjes, por shkolla ka një përgjegjësi shumë të madhe për kulturën e të lexuarit.”Osmani është e bindur, se punë të madhe bëjnë të gjithë mësuesit e letërsisë në të gjitha gjimnazet e vendit.

Gjimnazi Petro Nini Luarasi 

Dikur, penalizimet për ata që nuk lexonin veprat, ishin më të forta në këtë gjimnaz, rrëfen mësuesja. “Ata që nuk kishin lexuar librin e kishin notën deri tek shtata. Notat më të larta ishin për ata që e kishin lexuar. Por leximi me detyrim është i tmerrshëm dhe i distancon edhe më shumë me librin. Duhet t’ua bësh të dashur lëndën, në mënyrë që të lexojnë”, mendon ajo.

Rrëfen se sapo ka dalë nga një orë mësimi ku nxënësit duhet të diskutonin mbi mitin e Orfeut dhe Euridikes. “Tek e fundit është një përrallë dhe duhet ta pëlqenin, por ishin tre nxënës që u kuptua qartë që as kishin lexuar e as detyrat nuk i kishin bërë. Por mënyra sesi i çova drejt një situate të panjohur, i bëri të mendonin dhe kur pashë në bankën e fundit, që djali i papërgatitur mori librin dhe nisi ta lexojë mitin, për mua ai ishte sukses më shumë sesa e gjithë pjesa tjetër e klasës që ishin përgatitur dhe diskutonin me pasion.”Sekreti për mësuesen është t’i nxisësh duke ua bërë mësimin në formën e lojës e për të kaluar më pas te mendimi kritik.

Nxënës në shkollën e mesme "Petro Nini Luarasi" 

“Edhe në takim me prindër e po ashtu me nxënës e theksojmë se leximi është formim. Janë shumë të rinj për ta kuptuar këtë. Edhe ndërgjegjësimi për të lexuar kërkon kohën e vet. Besoj se nxënësit që dalin nga “Petro Nini” e kanë një përvojë të të lexuarit. Kurrsesi nuk mund ta pranoj se nuk lexohet. Është e papranueshme për një mësues” , vijon mësuese Oriana.

Gjatë bashkëbisedimeve në klasë, se kush ua sugjeron librat të rinjve, mësuesja thotë se kur këshillohen ng a prindërit titujt e librave anojnë kah klasikët, kur ndajnë shijet me shokët librat janë kryesisht bestseller. “Pëlqejnë Sofi Kinselën, “Si të bëjmë shopping’ , “Si të orientohemi në Facebook” , gjëra që i shqetësojnë në këtë moshë. Nuk mund t’i ndash nga ky lexim”, mendon mësuesja dhe thotë se këto tendenca do të vazhdojnë sepse letërsia është në tranzicion. Përveç letërsisë shqipe, edhe përkthimet shpesh nuk janë të mira.

Edhe në këtë shkollë, librat e programit gjenden në bibliotekë me të paktën dhjetë kopje për titull. “Por brezat ndryshojnë dhe nëse dikur e pëlqenin “Romeo dhe Zhuljeta” tani 16 –vjeçarët të thonë se nuk është fare dashuri. Megjithatë letërsia u ofron modelin. T’i ndash nga leximi i konsumit të gjerë, pastaj, është e vështirë.” Ndërkohë që mësuesja flet, një djalë i klasës së dhjetë hap derën e bibliotekës dhe kërkon të anëtarësohet. “Anila, e ke të pakryer për Migjenin! Ka një zë fantastik dhe madje shkruan”, i drejtohet koleges me entuziazëm mësuese Oriana.

Lënda e letërsisë në gjimnaze zhvillohet dy orë në javë, ndërsa dy orë të tjera i zë Gjuha Shqipe. “Edhe aty lexohet”, thotë mësuesja, ndërsa shton se beteja e fituar me leximin është shpesh e brishtë, pasi shpesh përditshmëria mundohet t’i rrëmbejë të rinjtë, drejt gjërave më sipërfaqësore. Mësuese Oriana e pranon se brezi që vjen në klasën e dhjetë, nga 9-vjeçarja nuk është shumë i lexuar. “Ka lexime të librave për fëmijë, ose ndonjë përmbledhje veprash, që për mua është deformim.” Siç ka edhe raste që shkojnë në drejtimin e kundërt, kur mësueset e 9-vjeçares u kanë dhënë fëmijëve lista me lexime që mund të shkojnë deri te “Ferri” i Dantes”, “që fëmijët as e kuptojnë, por kanë tentuar ta lexojnë dhe për sa kohë tentohet, nuk mund ta mohojmë leximin.”

A janë të përshtatshëm për adoleshentët librat e programit të letërsisë?  

Edhe Roen Naska, maturant i shkollës së mesme “Sami Frashëri” mendon se librat e programit shkollor, shpesh nuk janë të duhurit për moshën.

“Jam i interesuar për libra adoleshentësh. Në Shqipëri jemi mësuar të lexojmë Dostojevskin që në 9-vjeçare mundësisht. Ka shumë që e kanë lexuar pa kuptuar asgjë.”, thotë nxënësi, i cili rrëfen se vetë lexon deri edhe 20 libra në vit, jo vetëm të programit shkollor, ku veçon Dostojevskin dhe Servantesin, por edhe të autorëve bashkëkohorë si Stephen King e të tjerë. Naska vëren se programi i shkollës është i fokusuar në letërsinë ruse dhe europiane, ndërsa ajo angleze dhe amerikane është gati e përjashtuar, ashtu siç janë në gjykimin e tij edhe autorët femra, të cilat mungojnë në program.

“Nuk  e di pse hartuesit e programit janë fokusuar më shumë tek letërsia ruse dhe europiane. Letërsia angleze dhe ajo amerikane nuk preken fare. Edhe nga Amerika Latine, kemi pasur vetëm një autor –Gabriel  Garcia Marquez – të cilin më duket se këtë vit e kanë hequr. I vetmi amerikan që kemi pasur ishte Edgar Allan Poe. Ka vepra feministe si “Zonja Bovari” apo “Medea”, por autore femra nuk ka pasur.”, mendon i riu.

Edhe mësuesja e “Ismail Qemalit” Albana Janku e thekson mungesën e autorëve anglezë dhe amerikanë. “U them hapni listat e librave më të lexuar dhe patjetër që do e gjeni në çdo listë, Don Kishotin. Por shohin se është edhe Charles Dickens dhe ata nuk e kanë. Mendoj se edhe një autore si Virginia Woolf, përshembull e shumë të tjerë nuk duhet të mungojnë në program”, mendon Janko. Sipas saj letërsia duhet të ishte më e zhvilluar dhe më e shtrirë. “Sa më shumë të zgjerohet letërsia  aq më mirë është për nxënësit.”

Gjimnazi "Sami Frashëri". 

Sipas Aleksandra Janaqit, mësuese e letërsisë në shkollën e mesme “Sami Frashëri”  , prindërit e rinj, ata të grupmoshës 40-50 vjeç janë ende të edukuar me frymën e të lexuarit dhe përpiqen t’ua kalojnë edhe fëmijëve.“Këtu tek shkolla jonë dallohet edhe më tepër; është shollë  elitë, vijnë përgjithësisht fëmijë nga familje që e duan arsimin dhe prindërit së bashku me shkollën i drejtojnë drejt formimit sa më të mirë.”Sipas përvojës së saj, mësuese Aleksandra thotë se ka një grup të rinj që lexojnë cilësisht. “Nuk është nevoja t’u tregosh. Kur u flet për një autor të japin njëmijë e një informacione, që ndoshta as unë nuk jam përditësuar me botimet e reja.”

Por gjithashtu programi i shkollës i detyron që të gjithë nxënësit, në mos të gjitha veprat, rreth 26 të tilla, shumicën prej tyre do ta lexojnë. “Ata që duan notën maksimale të paktën 20 vepra në katër vjet do i lexojnë. Për shkak të notës, në shkollën tonë lexohet shumë dhe, po hyre në botën e leximit, vështirë të dalësh”, thotë mësuese Aleksandra, ndërsa shton se në shkollën “Sami Frashëri” nxënësit angazhohen  në klube libri dhe të krijuesve të rinj. 

Roeni dhe Alda, nxënës të shkollës "Sami Frashëri". 

“Java e parë e tetorit përkon me riorganizimin e këtyre klubeve dhe organizojmë aktivitete, veçanërisht në dy muajt pik të letërsisë; tetorin dhe prillin”, rrëfen mësuesja, e cila krahas aktiviteteve në shkollë, shpesh i shoqëron nxënësit edhe në promovime librash apo takime me shkrimtarë e botues. Shpesh, rrëfen ajo, nxënësit tërhiqen edhe nga librat që shtëpitë botuese i reklamojnë. Në shkollën “Sami Frashëri” rrëfen mësuese Aleksandra, ka një grup të rinjsh që jo vetëm lexojnë, por me përpjekjet e tyre edhe kanë botuar. Dy prej tyre janë Roen Naska dhe Alda Osmani, i pari ka shkruar dhe botuar një novelë, ndërsa Alda, maturante këtë vit, rrëfen se shkruan poezi, edhe pse ende nuk i ka botuar diku.

“Shkruaj ndjesitë për jetën në përgjithësi. Janë poezi filozofike. Nuk kam dëshirë t’i ndaj me të tjerët, i mbaj për vete”, thotë nxënësja, ndërsa leximet nuk i ka shumë të fokusuara tek poezia, por më shumë proza, ku autor i preferuar mbetet Dan Brown, me libra e tij të misterit. Libri i fundit që ka lexuar, rrëfen se është “Metamorfoza” , pjesë e programit mësimor. Librat e preferuar të moshës, që nuk gjenden në bibliotekën e shkollës, i shkëmben me shokun e klasës, Roenin, ndërsa ata që në shqip janë të kushtueshëm, i gjejnë në versione online në gjuhë të huaj.

Edhe pse fondi i bibliotekave pasurohet çdo vit, kryesisht titujt janë ata të programit mësimor. “Marrim edhe bestseller”, thotë mësuese Aleksandra,  ndërsa zbulon se ka qenë pjesë e grupit përzgjedhës të librave për bibliotekën, pasi në shkollën “Sami Frashëri” ajo kujdeset edhe për mbarëvajtjen e bibliotekës së shkollës. Të rinjtë, në përvojën e mësuese, priren kryesisht drejt letërsisë së huaj, e veçanërisht modernes, të cilën e studiojnë në vitin e fundit. Sipas mësueses, megjithëse tashmë teknologjia ka fituar shumë terren përballë librit të shtypur, kjo nuk do të thotë se të rinjtë nuk i përdorin format e tjera për të lexuar.

60 përqind e nxënësve larg librit...

Edhe për mësuesin Shefqet Xhika, nga shkolla e mesme “Besnik Sykja” thotë se ndër gjimnazistët që u drejtohen shkollave të mesme, dyzet përqind e tyre e duan librin dhe lexojnë.

“Ndër 320 maturantë që kishim vitin e kaluar, 120 prej tyre ishin nxënës të mirë, që kanë shkuar në universitet. Nuk i thua dot se janë të palexuar” , rrëfen Xhika, ndërsa ndalet tek ajo shifër më e madhe, prej 60 përqind të atyre nxënësve, që sipas tij janë jashtë librit, jo vetëm artistik, por edhe librit shkollor. “Ka familje pa bibliotekë në shtëpi;  një fëmijë që nuk i  ka pesë libra artistikë kur lind, ai nuk do të  lexojë. Prindërit  janë punë-shtëpi,  me tendencën për të siguruar jetesën. Mirë nuk më vjen,  por kjo është situata.  Ne  i pranojmë të gjithë llojet e fëmijëve, që nga fëmijët e intelektualëve e deri te familjet e thjeshta.” , vijon mësuesi, i cili ka një përvojë thuajse gjysmë shekullore, me  44 vjet që jep lëndën e letërsisë në gjimnazet e vendit.

Gjatë gjithë këtyre viteve, numëron rreth 18 nxënës që kanë ndjekur studimet e larta për Letërsi.Vit pas viti, ka parë se leximi ka rënë. Është ajo shumicë dërrmuese që shkëputet nga libri artistik.“Primare është si ta bëjmë këtë 60 përqindësh lexues”, thotë mësuesi, ndërsa mendon se merita e shkollës është sesa i afron të rinjtë në biblioteka. “ 70 përqind e  furnizimit të bibliotekave  janë mbi bazën e programeve të lëndëve”, por që shpesh pëlqimet e nxënësve janë për të tjerë libra që anojnë nga bestsellerat apo temat e dashurisë, autorët e kohëve të fundit.

“Nga këto kopje kemi pak, por nuk do të fajësoj bibliotekën, se ato qarkullojnë brenda një  kohe të shkurtër, për të bërë sa më shumë lexues”, thotë Xhika. Griselda, Alma dhe Sanja, maturante, të shkollës “Besnik Sykja” rrëfejnë se i këmbejnë librat me njëra-tjetrën, pa pasur nevojën edhe që t’i marrin nga biblioteka e shkollës.“Lexoj shpesh. Pasi kam mbaruar një libër bëj pak pushim dhe nis tjetrin” , rrëfen Girselda, e cila thotë se i ka pëlqyer shumë “Zonja Bovari” dhe “Katedralja e Parisit.” "Zonjën Bovari" e mbarova së lexuari dhe ia dhashë shoqes”, rrëfen ajo, duke shtuar se librat i siguron nga një kushërirë e saj, e cila studion letërsi.

Sanja, Alma dhe Griselda, nxënëse të gjimnazit "Besnik Sykja". 

Sanja rrëfen se disa libra, ata të parapëlqyerit e saj si saga e “Harry Potter” apo “Vajza online” me dy vëllimet e saj, i ble në panairin e librit. Potter-it ia ka lexuar të gjithë serinë e librave, edhe pse filmat nuk i ka parë të gjithë, e po ashtu ndjek me kërshëri blogeren që ka shkruar librat “Vajza online”. “Ajo flet sesi probleme që e shqetësojnë nuk mundet t’i ndajë me të afërmit, por i ndan me të panjohurit online” . Alma, nxënësja tjerr rrëfen se ndonjëherë shkon në sallën e leximeve të Bibliotekës Kombëtare, për të shfletuar ndonjë libër, pasi ende nuk i ka mbushur të tetëmbëdhjetat për t’u anëtarësuar. Edhe ajo thotë se ka mbetur me mbresa nga “Zonja Bovari”, ndërsa në leximet e saj në kohën e lirë, një roman që rrëfente jetën dhe vështirësitë e një vajze pakistaneze, i ka lënë përshtypje të mëdha.  “Më pëlqejnë romanet e trishtuar”, thotë Alma. Shpesh vajzat, të cilat rrëfejnë se anjëra nuk e ka aq pasion letërsinë sa për të studiuar në universitet, thonë se librat e programit janë larg realitetit të tyre dhe ndaj kureshtja u ndizet më shumë rreth librave të kohëve të fundit, ata që flasin rreth kohëve moderne.

Kryesisht lexojnë gjatë verës, “pasi këtë vit janë shumë të ngarkuara me mësimet, sepse është viti i fundit” rrëfejnë ato, ndërsa pranojnë që shpesh i drejtohen internetit për të marrë informacione të shpejta dhe përmbledhje mbi veprat që marrin në analizë.  Teksa këmbejnë librat, thonë se nuk e kanë frikën se dikush nuk do ia kthejë më, “më shumë janë të dhënë pas celularit sesa pas librave, kështu që nuk ekziston frika se nuk do të ta kthejnë më librin”, thotë Sanja.“ Shpesh, mbase jo vetëm shkolla jonë, hasim në çudinë e madhe që prindi nuk ka mundësi ta furnizojë fëmijën me librat e domosdoshëm shkollorë dh,  a mundemi ne t’u themi:  bli një libër artistik?” , thotë mësues Shefqeti.

Ata që pretendonin notë më të lartë, mësuesi thotë se i ka shtyrë drejt leximit. I ka bërë të lexojnë “Lahutën e Malësisë” të Fishtës, “Kush e solli Doruntinën” , nga Kadare  apo Jetë në kuti shpresësesh të Fatos Kongolit. “Kam pasur kënaqësi që nxënës që mezi merrnin notën pesë e kanë lexuar Lahutën dhe madje kanë lexuar edhe libra të tjerë si “E penguara” e Kadaresë.”, rrëfen Xhika, i cili ka qenë dhe mbetet në përpjekje të edukojë leximin me autorë bashkëkohorë. “Kam pasur raste që edhe dështoja. Me disa nxënës ka qenë e pamundur;  probleme me teorinë e librit, por veprën e kishin  të vështirë ta lexonin, pastaj disa vepra nuk gjendeshin, ose kushtonin. Disa që mundeshin ta blinin e xhironin tek të tjerët.”

Gjimnazi "Besnik Sykja" 

Duke e theksuar fort se janë 60 përqind të nxënësve të larguar nga libri, Xhefqet Xhika thotë se në mënyrë artificiale mund edhe të shënohen shifra suksesi, por lidhja me librin nuk është çështje statistikore.“Ka shumë faktorë; mosha, televizioni, interneti, celularët. U kam thënë nxënësve se  interneti nuk është burim i sigurt shkencor.  Burimi  më shkencor, më i studiuar dhe i bazuar është libri. Libri ka përdorime nga më të ndryshmet: i kthehesh, e vijëzon, nuk të prish sytë, e mban te koka e krevatit, nëse të del gjumi e shfleton, e fut nën sqetull... Libri nuk bërtet. E hap një faqe, i kthehesh e rikthehesh. U them saherë të lexoni, aq herë do të gjeni material të ri tek libri”, thotë mësuesi, i cili megjithë kërkesat e shumta tek vetja për të parë sa më shumë të rinj drejt librit, thotë se nuk ka sesi të jetë e vërtetë që të rinjtë sot nuk lexojnë. Sigurisht që situata nuk është aq idilike sa e përshkruajnë mësuesit të dashuruar pas letërsisë dhe mësimdhënies dhe nxënësit nuk janë të gjithë nga ata që lexojnë dhjetë libra gjatë verës apo më shumë se 20 gjatë vitit.

“Nuk ishte e bukur fare të nxirrje se 1 milionë shqiptarë, nuk lexojnë”, thotë mësuese Albana Janko, nga “Ismail Qemali". “Cila ishte arsyeja? Të na demoralizonit? Mua të parën që mundohem kaq shumë që ata të lexojnë pesë libra me detyrim dhe kanë ardhur të lexuar me dhjetë e me më shumë libra, madje edhe në gjuhën angleze. Është  keq  t’i përfshish të gjithë në një thes, sepse këta të rinj ndihen të fyer.” Janko thotë e bindur, se nuk ka mësuese në Shqipëri që nuk i nxit dhe detyron nxënësit të lexojnë. “A ka ardhur në rënie numri i lexuesve? Po, por nuk është vetëm faji i mësuesve apo nxënësve. Është faj i përbashkët. Është mirë që mediet, në vend që të nxjerrin lajme me shifra aq të frikshme, të thonë se në Shqipëri edhe lexohet”, përfundon mësuesja.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë