Njerez

Lavdia e gjyshërve: Numri i tyre në botë është trefishuar

Pse numri në rritje i gjyshërve është një gjë e mirë

Njerëzit tani po jetojnë dy dekada më shumë se sa në vitin 1960 dhe gratë po lindin më pak fëmijë.

Kështu është transformuar edhe dinamika e familjes, sidomos në lidhje me gjyshërit.

Tani ka shumë më shumë gjyshër dhe secili prej tyre ka më pak nipër dhe mbesa.

The Economist ka kryer disa kërkime se si ka ndryshuar raporti “gjyshër-nipër dhe mbesa”.

Numri i gjyshërve në botë është trefishuar afërsisht që nga viti 1960, në 1.5 miliardë, dhe raporti i gjyshërve me fëmijët nën 15 vjeç është rritur nga 0.46 në 1960 në 0.8 sot. Kjo ka rëndësi sepse gjyshërit transmetojnë njohuri dhe tradita dhe mbajnë lidhjet e familjes me të kaluarën. Më e rëndësishmja, ato ndihmojnë në rritjen e fëmijëve dhe kështu nënat kanë mundësi për të punuar.

Shumë prindër janë më të lumtur duke ia besuar fëmijët e tyre gjyshërve se sa kujtdo tjetër. Prindërit nuk kanë nevojë të paguajnë para për kujdesin dhe gjyshërit në përgjithësi janë të disponueshëm në çdo kohë.

Në Meksikë, gjyshet ndihmojnë në kujdesin për gati 40% të fëmijëve nën moshën gjashtë vjeçare. Ndërsa në Amerikë, 50% e fëmijëve i shohin gjyshërit e tyre gjatë javës.

Studime të shumta kanë treguar se nënat me “gjyshe-dado” fitojnë më shumë se nënat që punësojnë dikë të panjohur.

Kujdesi i gjyshërve është i mirë edhe për nipërit e mbesat. Në pjesë të Afrikës, prania e një gjysheje e bën më të mundshëm që një fëmijë të mbijetojë. Në botën e pasur është e paqartë nëse prania e gjyshërve rrit rezultatet akademike apo aftësitë sociale, por sigurisht që nuk i dëmton fëmijët.

Por kujdesi nga gjyshërit ka disa disavantazhe. Familjet që mbështeten në kujdesin e gjyshërve kanë më pak gjasa të zhvendosen në një qytet tjetër për një punë më të mirë. Kështu që ata shpesh përfundojnë duke fituar më pak se sa mund të kishin fituar. Gjithashtu, gjyshet shpesh dalin në pension herët, ose punojnë më pak orë, për të lënë kohë për nipërit e mbesat e tyre. Kjo do të thotë përfitimet e nënave në punë vijnë pjesërisht sepse gjyshet e kanë lënë punën.

Burimi: The Economist. Përshtati: Gazeta Si.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë