Biznes

Largimi i punëtorëve si emigrantë dhe korrupsioni, gangrena e ndërmarrjeve shqiptare

Largimi i punonjësve si emigrantë jashtë vendit dhe korrupsioni konsiderohen nga sipërmarrjet e vogla dhe të mesme si gangrena e moszhvillimit të tyre.

Ky konkluzion rezulton nga një studim i kryer nga Instituti Shqiptar i SME-ve “SME Albania” në bashkëpunim me Businessmag.

Studimi mbi performancën e sipërmarrjeve të vogla dhe të mesme (SME) në Shqipëri është kryer mes janarit dhe shtatorit 2019 dhe ka një shtrirje gjeografike në të gjithë Shqipërinë duke përfshirë 500 kompani të të gjithë sektorëve të shërbimit dhe prodhimit.
Pyetjes nëse kanë pasur punonjës të larguar këtë vit, i janë përgjigjur pozitivisht mbi 60% e kompanive.

41% e sipërmarrësve të pyetur e shohin korrupsionin si problemin kryesor të mbarëvajtjes së aktivitetit të tyre. Ky është një shqetësim mbi dy herë më i lartë se mungesa e kualifikimit të punonjës, i cili gjithësesi konsiderohet prej tyre një problem serioz.
Në të njëjtën kohë, mbi 43% e kompanive thonë se kanë më tepër nevojë për të rritur aftësitë teknike të punonjësve, me qëllim shëndoshjen e biznesit të tyre.

25 % e të interesuarve, janë shprehur se kanë pasur probleme administrative si: Burokraci në shërbime; Mos kthim përgjigje brenda afatit; Rimbursimi i TVSH; Aftësi të dobëta në përgjigjet zyrtare nga Administrata.

Pyetjes se çfarë ndryshimesh do të kërkonit të reflektohen në paketën fiskale 2020, 18.3% e bizneseve i janë përgjigjur se kërkojnë ulje të taksave, 10.2% të tatim fitimit.

Problemet e renditura për Janar – Shtator 2019

Sipërmarrësit u pyetën mbi problematikat kryesore të hasura gjatë zhvillimit të aktivitetit të tyre.

Problemet kryesore të renditura prej tyre rezultojnë:
1-Kontrolle të tepërta nga shteti me objektiv gjetjen e gabimeve dhe vendosjen e gjobave.
2-Niveli i ulët i edukimit të tregut.
3-Largimi i popullatës, mungesë të theksuar stafi.
4-Konkurrencë e pandershme, çmimet, infrastuktura.
5-Kualifikimi i punonjësve kërkon kohë të gjatë dhe ka kosto të lartë financiare.
6-Mungesë e fondeve për zhvillimin e teknologjisë në industritë përpunuese/prodhuese.

Ajo çfarë vërehet si pozitive nga studimi janë investimet e kryera këtë vit dhe planet e investimeve për të ardhmen. Bizneset janë pyetur nëse kanë bërë investime në aktivitetin e tyre për periudhën Janar – Shtator 2019 dhe rezulton se mbi 67 % e tyre kanë investuar në zgjerimin e aktivitetit.

Në parashikimin për volumin e prodhimit/kontratave për vitin 2020 më shumë se gjysma ose 69 % e bizneseve presin rritje, ndërsa 31% e tyre e shikojnë situatën të njëjtë.
Studimi përfshinte 28 pyetje rreth çështjeve të biznesit, ecurisë së deritanishme dhe pritshmërive.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë