Nga Gazeta ‘Si’- Qeveria shqiptare ka hedhur në konsultim një strategji për Ndërmarrjet e Vogla dhe të Mesme (NVM) 2026-2030, një strategji e re që synon rritjen e produktivitetit, konkurrueshmërisë dhe integrimin e bizneseve shqiptare në tregun europian.
Sipas dokumentit, NVM-të përbëjnë shtyllën kryesore të ekonomisë shqiptare, duke përfaqësuar mbi 99% të ndërmarrjeve aktive, mbi 80% të punësimit dhe pjesën më të madhe të aktivitetit ekonomik në vend. Megjithatë, sektori vijon të përballet me produktivitet të ulët, akses të kufizuar në financa, mungesë aftësish profesionale dhe pjesëmarrje të ulët në tregjet ndërkombëtare.
Strategjia e re parashikon tre objektiva madhorë: forcimin e kapaciteteve të bizneseve, përmirësimin e klimës së biznesit dhe zgjerimin e aksesit në financim. Dokumenti mbështetet në 11 objektiva specifikë dhe 25 masa prioritare, të orientuara drejt inovacionit, transformimit digjital, tranzicionit të gjelbër, uljes së barrierave administrative dhe rritjes së eksporteve.
Një nga gjetjet kryesore të analizës është se problemi nuk qëndron te mungesa e strategjive për biznesin, por te fragmentimi dhe koordinimi i dobët mes institucioneve. Për këtë arsye, dokumenti synon të bashkërendojë politikat ekzistuese në një kuadër të vetëm veprimi.
Qeveria synon që deri në vitin 2030 Shqipëria të ndërtojë një ekosistem modern dhe inteligjent të ndërmarrjeve të vogla e të mesme, të afta të konkurrojnë në Tregun Unik Evropian.
Kostoja e zbatimit të dokumentit është përllogaritur në rreth 32.7 milionë lekë, që do të financohen nga buxheti i institucioneve përgjegjëse dhe donatorët.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje