Mendim

Lajmi i keq për Shqipërinë, Macron kërkon përjashtime nga Shengen-i

Ndërkohë që Shqipëria është “sy e veshë” nga Holanda pas kërkesës për rivendosjen e vizave, një lajm i keq ka ardhur nga Franca, e cila ka kerkuar reformimin e zonës Shengen dhe përjashtimin e disa anëtarëve.

Presidenti francez Emmanuel Macron tha të enjten se ai ishte në favor të rinegociimit të zonës së Shengen dhe lëvizjes së lirë brenda të BE-së. Sipas kreut të Elizesë, rezultati i këtij vendimi do të ishte një Shengen “me më pak vende anëtare".

Presidenti francez i bëri këto koment ndërsa fliste para 320 gazetarëve si pjesë e reagimit të tij të shumëpritur pas gati gjashtë muajve protesta në rrugët e Paris. Duke u munduar ta zhvendoste fokusin nga jelekverdhët, Macron ka paraqitur një sërë reformash që mund të jenë vendimtare për të ardhmen e tij politike.

Macron tha se kufijtë e përbashkët, Shengeni dhe marrëveshja e Dublinit "nuk funksiononin më”.

Pas votimit të parlamentit holandez për rikthimin e vizave me Shqipërinë, mediat në Amsterdam shkruanin se kjo kërkesë ka të ngjarë të mbështetet edhe nga Franca, pasi Parisi ka kërcënuar gjithashtu të rivendosë regjimin e vizave Shengen për qytetarët nga vendi ynë, pasi mori 730 kërkesa për azil në vitin 2017.

Emanuel Macron

Deklaratat e Macron për reformimin e zonës Schengen, duke u hequr të drejtën e lëvizjes së lirë disa anëtarëve, ka të ngjarë të prekin në mënyrë të drejtëpërdrejtë Shqipërinë. Edhe pse erdhën në një moment të pafavorshëm për vendin tonë, planet e presidentit francez nuk janë një risi.

Në një takim joformal të BE në Salzburg, shtatorin e kaluar, ai paralajmëroi së nëse nga grupi i Vishegradit (Polonia, Hungaria, Republika Çeke dhe Sllovakia) vazhdonte të refuzonte të strehonte emigrantë, duhet të përjashtohej nga Shengeni.

Kreu i Elizesë tha se "vendet që nuk tregojnë solidaritet duhet të lënë Shengenin dhe nuk do të përfitojnë më nga ndihma financiare (fondet strukturore)".

Mediat europiane shkruajnë nga ana tjetër se reformimi i Shengen është një proces sa delikat aq edhe i vështirë, pasi ai është bërë pjesë e institucioneve të BE që nga viti 1999. Nëse krijohet një organizatë e re që zëvendëson Shengen, ekziston një mundësi e fortë që kjo organizatë të jetë jashtë juridiksionit të BE-së, siç ishte fillimisht Shengen, nga viti 1985 deri në vitin 1999.

Një Shengen me më pak anëtarë ndoshta do të linte anash jo vetëm Shqipërinë, por edhe Greqinë, e konsideruar si një anëtare problematike sa i përket efektivitetit në përpunimin e kërkesave për azil. Reforma gjithashtu mund të prekte tre vendet anëtare të BE-së, Bullgarinë, Rumaninë dhe Kroacinë, të cilët janë përfolur më së shumti për shkeljen e rregullave të Shengenit.

Në zonën Shengen aktualisht kanë rreth 60 vende, përfshirë këtu ato të rajonit tonë që nuk janë anëtare të BE-së. Nga ky regjim përfitojnë bizneset dhe turistët, që nuk mund të qëndrojnë më shumë se 90 ditë brenda zonës Shengen, pra kjo lëvizje nuk mund të përdoret për gjetjen e një pune, apo qëndrimi të përhershëm.

Në 2015 pati një fluks të pashembullt të shtetasve shqiptarë që aplikuan për azil kryesisht në Gjermani e Francë. Kjo detyroi autoritetet vendeve të prekura që të shtojnë komunikimin me Tiranën për të parandaluar këtë fenomen.

Menjëherë nisi një fushatë informimi edhe nga Bashkimi Europian, ku theksohej se Shqipëria bënte pjesë tek vendet e origjinës të sigurta dhe shtetasit e saj nuk mund të përfitonin azil. Megjithatë, fenomeni vazhdon ende, ndonëse jo në përmasat e 2015.
Për të shmangur abuzimet e mëtejshme, BE ka ndryshuar rregullat e lëvizjes së lirë.

Ndryshimet u miratuan në Parlamentin Europian më 5 korrik të këtij viti. Rregullat e reja do të verifikojnë udhëtarët, të cilëve nuk u duhet viza për të hyrë në BE.

Sipas këtij rregulli, udhëtarët nga 60 vende që nuk janë pjesë e Bashkimit Europian, duke përfshirë dhe shumicën e shteteve të Ballkanit Perëndimor do të jenë pjesë e një procesi verifikues para se të arrijnë në kufirin e Shengenit, duke përdorur Sistemin Informativ dhe Autorizues të Udhëtimit në Europë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë