Ngjarje

Kush do të zgjidhet kreu i FBI-së shqiptare?

Cilësuar si krahu i djathtë i Prokurorisë së Posaçme në përpjekjet për të luftuar krimin e organizuar dhe korrupsionin, Byroja Kombëtare e Hetimit mund të mësojë edhe zyrtarisht nga kjo e hënë emrin e drejtueses së saj.

Kandidatja kryesore konsiderohet Aida Hajna, aktualisht zv.Drejtore në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit. Hajna është ndër emrat e parë të drejtuesve të lartë të uniformave blu që kaloi me sukses procesin e vettingut në polici. Megjithatë, për opozitën ajo është një kandidaturë politike përmes të cilës, Qeveria synon edhe kapjen e BKH-së.

Megjithatë, vetë Hajna dhe hetuesit e tjerë të Byrosë Kombëtare të Hetimit do të jenë në varësi të prokurorëve të posaçëm, sipas parashikimeve ligjore të miratuara në 2016-n në kuadër të reformës në drejtësi.

Hajna e kaloi me sukses procesin e rivlerësimit në tre kriteret bazë, pasuri, pastërti figure dhe aftësi profesionale. Ajo ka deklaruar një apartament në Tiranë, në pronësi të babait, i cili nuk jeton më, shtesë apartamenti në Tiranë në emër të nënës, të vëllait dhe të vetin. Gjatë rivlerësimit komisionet nuk gjetën as lidhje, apo kontakte të papërshtatshme të saj.

Sa i takon karrierës, Aida Hajnaj ka drejtuar Drejtorinë e Kufirit dhe të Migracionit dhe Drejtorinë për Hetimin e Pastrimit të Parave. Ajo gjithashtu ishte një prej 12 emrave të përzgjedhur në 2018 si pjesë e Komisionit Negociator me Greqinë për çështjen e kufirit detar.

Tashmë po konsiderohet thjesht formalitet përzgjedhja e emrit të saj nga Komisioni Përzgjedhës me tre anëtar i ngritur nga SPAK, në krye të të cilit qëndron vetë drejtuesi i Prokurorisë së Posaçme, Arben Kraja, që do të vendosë sëbashku me dy prokurorët Eneid Nakuçi dhe Behar Dibra.

Por, Partia Demokratike thotë se Aida Hajna është hetuar për korrupsion dhe, duke cituar një raport të 2018 të Shërbimit për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat, e akuzon se ka marrë deri në 10 mijë euro për dhënien e gradave në Policinë e Shtetit.

Kompetencat e drejtuesit të BKH-së janë më shumë koordinuese dhe organizative. Drejtori cakton hetues për të drejtuar sektorë brenda Byrosë Kombëtare të Hetimit. Ai nuk ka pushtet mbi dosjet që hetohen, pasi kjo kompetencë u takon prokurorëve të Prokurorisë së Posaçme.

Komisioni vlerësues i kandidaturave i ngritur nga SPAK me përbërje Arban Krajën, Behar Dibrën dhe Eneid Nakuçi do të zgjedhë një nga katër kandidatët që plotësojnë kriteret për të drejtuar BKH-në. Aida Hajna, Artur Beu, Ervin Hodaj dhe Idajet Faska janë emrat e propozuar, nga të cilët njëri do t’i përcillet Këshillit të Lartë të Prokurorisë për ta votuar, ose rrëzuar si drejtues të Byrosë. Katër emrat e mësipërm u filtruan nga një listë me 40 kandidatë.

Përveç emrit të Aida Hajnas, të akuzuar së fundmi nga ana e Partisë Demokratike për korrupsion, edhe emri i Ervin Hodajt është përfolur si person i papërshtatshëm për të drejtuar BKH-në. Ish-oficeri i antidrogës, Dritan Zagani, aktualisht në azil në Zvicër, e ka akuzuar atë si njeri të Saimir Tahirit dhe njëri prej personave që ka urdhëruar mosndalimin e vëllezërve Habilaj në Shqipëri.

Projekti fillestar e antikushtetues i BKH-së

Ngritja e një Byroje Kombëtare Hetimi është një projekt më i vjetër se reforma në drejtësi. Për herë të parë ngritja e një strukture të tillë, të ngjashme me FBI-në amerikane, u përfol në vitin 2014, madje u konkretizua edhe me një projektligj të dorëzuar nga Ministria e Brendshme për miratim.

Projekti e vendoste BKH-në në varësi të Policisë së Shtetit. Opozita e kundërshtoi duke deklaruar se projektligji në fjalë ishte antikushtetues dhe dublonte punën e Prokurorisë. Pavarësisht akuzave ligji u miratua në Kuvend, duke i dhënë në dorë Policisë mekanizma hetues dhe ndjekjeje penale, të ngjashme me ato të Prokurorisë.

Megjithatë, ligji u ankimua në Gjykatën Kushtetuese me pretendimin se BKH-ja e sapongritur binte ndesh me nenin 148/1 të saj ngarkon me ushtrimin e ndjekjes penale vetëm organin e Prokurorisë. Gjykata Kushtetuese gjeti me vend këto vërejtje dhe rrëzoi ligjin e miratuar.

Ish-ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri

Socialistët nuk hoqën dorë nga projekti, të cilin e kishin edhe një premtim gjatë fushatës elektorale të 2013-s. Për ta futur në hullitë kushtetutes, Saimir Tahiri deklaronte në 2015 se struktura e re do të ngrihej dhe se vendimi i Gjykatës Kushtetuese do të shërbente si një udhëzues.

Pas zbardhjes së vendimit të Gjykatës Kushtetuese u bë e qartë se ngritja e Byrosë Kombëtare të Hetimit me kompetenca ndjekjeje penale nuk mund të realizohej përveçse brenda sistemit të drejtësisë dhe në varësi të Prokurorisë dhe jo të Policisë së Shtetit, apo organeve të tjera në varësi të pushtetit ekzekutiv.

Pas këtij vendimi, nisi të marrë edhe formë ngritja e BKH-së brenda strukturës së posaçme antikorrupsion, që më vonë u njoh vazhdimisht si SPAK. Kjo ia hoqi nga duart Ministrisë së Brendshme projektin për ngritjen e Byrosë dhe diskutimet filluan në Komisionin e Reformës në Drejtësi dhe në Komisionin e Ligjeve, që e inkorporoi atë brenda dhe në varësi të Prokurorisë së Posaçme, pa fuqi për ndjekje penale, por me një rol thelbësor në misionin e luftës kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.

Fiks para një viti, në gusht 2019, Ambasada Amerikane në Tiranë publikonte disa video shpjeguese në rrjetet sociale mbi reforfmën në drejtësi dhe posaçërisht për mënyrën se si do të funksionojë Byroja Kombëtare e Hetimit. Sipas Ambasadës, BKH dhe Prokurorët e Posaçëm do të jenë në gjendje të hetojnë korrupsionin në nivelet më të larta.
“Byroja Kombëtare e Hetimit është njësia hetimore e SPAK. SPAK-u është një institucion i ri, i pavarur dhe i papolitizuar kushtetues, detyra e të cilit është të ndjekë penalisht korrupsionin, krimin e organizuar dhe krimet e kryera nga zyrtarë të nivelit të lartë. Në shumë mënyra, BKH është e ngjashme me FBI-në amerikane, e cila heton krime të nivelit të lartë të Shtetet e Bashkuara. Në fakt hetuesit e BKH do të trajnohen në akademinë e FBI-së Virxhinia. Ligji mbi SPAK-un po ashtu kërkon që një komision ndërkombëtar të mbikëqyrë trajnimin dhe përgatitjen e hetuesve të BKH”, thuhej në videon e publikuar.

https://www.facebook.com/usembassytirana/videos/2516793145010062/

Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë