Ngjarje

SPAK propozon Aida Hajnan për drejtore të BKH

Komisioni përzgjedhës i kandidaturave i propozon Këshillit të Lartë të Prokurorisë vetëm emrin e Aida Hajnas si kandidate për të drejtuar Byronë Kombëtare të Hetimit.

“Komisioni pasi shqyrtoi dokumentacion e katër kandidatëve që kishin ngelur ne garë, konkretisht. Z.Artur Beu, z.Ervin Hodaj, z.Idajet Faskaj dhe znj.Aida Veizaj vendosi që t’i rekomandojë Këshillit të Lartë të Prokurorisë, emërimin e znj.Aida Veizaj, në pozicionin Drejtorit të Byrosë Kombëtare të Hetimit, për një mandat pesëvjeçar”, thuhet në njoftimin e shpërndarë nga SPAK.

SPAK thotë se procesi i përzgjedhjes së kandidaturës ishte transparent dhe i vëzhguar edhe nga partnerët ndërkombëtarë të Bashkimit Europian dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

“Në ditët në vijim do të njoftojmë datën kur Drejtori do të fillojë detyrën dhe kur do të nisë procesi i rekrutimit të hetuesve të BKH-së”, vijon njoftimi.

Përzgjedhja e Aida Hajnat për të drejtuar BKH-në u paralajmërua që në fund të javës së kaluar nga Partia Demokratike, që e cilësoi garën si të paracaktuar dhe akuzoi Qeverinë se synon kapjen e këtij institucioni.

“Byroja Kombëtare e Hetimit, që pretendohet se do të hetojë krimin e organizuar dhe njerëzit e pushtetit, është institucioni i fundit që po merret nën kontroll nga qeveria. Ajo ka diktuar skualifikimin e të gjithë kandidatëve, duke lënë si emër të vetëm në listë zëvendësdrejtoren e Përgjithshme të Policisë Aida Hajna”, deklaroi nënkryetari i PD-së, Edi Paloka.

Paloka tha se “vëzhguesit ndërkombëtarë e kanë cilësuar të papranueshëm dhe antiligjor vendimin për të skualifikuar kandidatët e tjerë, duke paraqitur Aida Hajnën si kandidate të vetme” dhe se ajo ishte e përfshirë në skandale dhe afera të mëdha korruptive në Policinë e Shtetit.

“Aida Hajna është botërisht e njohur për një nga skandalet më të mëdha të Policisë së Shtetit, që la të lirë të kërkuarin për trafik droge Naser Gashi, pasi ai u arrestua rastësish në Kukës vitin e kaluar. Zëvendësdrejtorja e Përgjithshme e Policisë, Aida Hajna, e ngarkuar me hetimin e këtij skandali, mbrojti policët që liruan trafikantin e drogës dhe pezulloi nga detyra policin që e denoncoi skandalin. Ky polic sot është në azil, ndërsa Aida Hajna po bëhet gati të drejtojë BKH-në si garanci për trafikantët e drogës dhe të tjerë kriminelë në ortakëri me pushtetin”, shtoi PD.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë