Ngjarje

‘Lutesha të mos ishte njeri’! Rrëfimi dramatik i peshkatarit që gjeti trupin e 9-vjeçares në lumin Buna

Gazeta Si - Peshkatari Safet Hasani, i cili gjeti trupin e pajetë në ujërat e lumit Buna të vajzës 9-vjeçare të çiftit Arazi, ka rrëfyer momentet kur pikasi viktimën.

Ai thotë se njoftoi policinë dhe pasi i dërgoi me varkën e tij pak metra pas kanalit të Darragjatit në Dajç u konfirmua se trupi i pajetë i përket 9-vjeçares, njëra prej tre fëmijëve që u dyshohet se u vetëmbytën bashkë me nënën e tyre Alma Arazi.

“Kam qenë duke gjuajtur peshk dhe duke u ngjitur tek një vijë uji pak më poshtë nga benti i Darragjatit, ishte errësirë dhe m’u desh të ndizja dritën e telefonit për të parë se mos prekte helika në tokë. Në fund të ujit më bëri të dyshoj sepse ishte 1 metër e pak ujë dhe nuk po e dija nëse ishte kukull apo njeri, - tregon peshkatari. - Për momentin u shokova, sepse më shkoi mendja se mos është njeri. Mora policinë në telefon pas pak minutash dhe erdhën menjëherë. Pasi policët e çuan sipër trupin, u konstatua se ishte njeri. U shokova, sepse thosha ishalla nuk është njeri se të vjen keq por pastaj më shkoi mendja që të marr policinë sepse ishte diçka që nuk e kisha dëgjuar as në lajme për ndonjë person të humbur apo se është mbytur kush apo jo”.

Prej tre ditësh peshkatari, një njohës i mirë i lumit Drin dhe asaj zone i ka ardhur në ndihmë forcave të policisë dhe polombarëve të RENEA-s bashkë me banorë të tjerë, në kërkimin për gjetjen e trupave të tjerë të familjes Arrazi, nënës dhe dy fëmijëve që po ashtu dyshohen se janë vetëmbytur.

Peshkatari Hasani thotë se mbetet e vështirë gjetja e trupave për shkak të terrenit jo të përshtatshëm.

“Unë jam në punë gjithë ditën por nganjëherë dal edhe për të gjuajtur peshk. Pas kësaj ngjarje të rëndë më vjen shumë keq sepse kemi fëmijë vetë, rast shumë i rëndë. Unë i kam ardhur në ndihmë policisë dhe forcave RENEA gjatë gjithë ditës së djeshme dhe do vazhdoj që ti vij në ndihmë edhe kanë shumë efektivë, unë do t’i ndihmoj se njerëz jemi”.

Sipas tij, terreni nuk është i favorshëm për të gjetur trupat e tjerë. Ndërkohë grupet e kërkim shpëtimit kanë vazhduar punën edhe këtë të hënë.

Policia e shtetit, policia kufitare janë të angazhuar së bashku me banorët e zonës për gjetjen e trupave të tjerë që dyshohet se janë vetëmbytur.

Dhuna psikologjike dhe fizike e ushtruar ndaj 39-vjeçares, Alma Arrazi dhe 3 fëmijëve të saj të mitur, dyshohet se shtyu këta fundit të vetëmbyten duke u hedhur në ujërat e lumit Buna.

Trupi i të miturës 9 vjeçe nuk kishte shenja dhune në trup, por pavarësisht, kësaj ka dyshime se së bashku me të ëmën, motrën dhe vëllain e saj janë dhunuar nga i ati i tyre, Ergys Arrazi, çka dyshohet se i ka shtyrë ata drejt aktit fatal. Ky i fundit tashmë është arrestuar nga policia, por i ka mohuar akuzat për dhunë.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë