Treg

Kush dëmshpërblehet më ‘shumë’ pas aksidenteve? Kompanitë e sigurimit kanë disa qytete ‘të preferuara’

Nga Gazeta 'SI' - Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare, AMF, ka publikuar hartën e dëmeve të shlyera në kuadër të sigurimit motorik. Raporti tregon se në një vit ka pasur një rritje prej 0.2%, lidhur dhe me shtimin e aksidenteve. Gjithsesi, ka një hendek të madh midis qyteteve në vend, duke treguar ‘gatishmërinë’ e kompanive të sigurimit për dëmet jashtë Qarkut të Tiranës.

Qarku i Beratit shënoi vitin e kaluar nivelin më të ulët të këtij raporti, me 0.95 dëme për çdo 100 kontrata të sigurimit TPL.

Vijon Qarku i Shkodrës ku raporti mes numrit të dëmeve dhe kontratave është 1.56%. Këta dy qarqe kishin përqindjen më të ulët të dëmeve në raport me numrin e kontratave TPL të nënshkruara edhe për vitin 2021

Kjo tregon se nga gjasat që kompania e sigurimit të pësojë një dëm në këto qarqe paraqitet ndjeshëm më e ulët krahasuar me qarqet e tjera. Pas Shkodrës dhe Beratit, vijon qarku i Dibrës, me afërsisht 1.5 dëme të raportuara për çdo 100 kontrata sigurimi të nënshkruara.

Në majë të renditjes për raportin mes numrit të dëmeve dhe kontratave, edhe për vitin 2022 renditet qarku i Tiranës, me 3.56%, i ndjekur nga ai i Vlorës, me 3.43% dhe i Durrësit me 3.3%.

Raporti më i lartë mes dëmeve dhe primeve për të dytin vit radhazi regjistrohet në qarkun e Lezhës, me 51.4%. Vijon qarku i Kukësit, me 34.95% dhe qarku i Tiranës, me 34.65%.

Nivelet më të ulët shënohen në Korçë, me 16.13% dhe në Fier, me 19.79%. Raporti në vlerë lidhet shumë me masën e dëmit të shkaktuar nga aksidentet motorike dhe sidomos me dëmtimet në njerëz, që sjellin edhe kostot më të madhe në dëme të paguara nga siguruesit.

Të dhëna e tregut të sigurimeve në nivel të qarqeve tregojnë se të paktën nga pikëpamja statistikore rreziku që siguruesit të pësojnë një dëm është mjaft i ndryshëm për qarqe të ndryshme të vendit.

Drejtuesit e mjeteve në Shqipëri ende paguajnë prime sigurimi të përafërta, megjithëse mund të kenë shkallë të ndryshme rreziku, të lidhura me disa faktorë. Më kryesori është historiku i dëmeve, por faktorë të tjerë mund të jenë edhe eksperienca në drejtimin e mjeteve, vendbanimi dhe zona ku mjeti qarkullon etj.

Faktorë të tjerë që mund të zbatohen nga shoqëritë e sigurimit janë Bonus-Malus (historiku i dëmeve), qëllimi i përdorimit të automjetit, distanca vjetore e përshkruar si dhe faktorë të tjerë të riskut që bëjnë të mundur diferencimin e primit në bazë të riskut që mbart i siguruari.

Sipas drejtuesve të kompanive të sigurimit, aplikimi i një sistemi të tillë do të kërkojë regjistrimin pranë AMF të gjitha aplikimeve për dëmshpërblim, me të dhëna të sakta për mjetet dhe drejtuesit e mjeteve shkaktare dhe përfituese, për tu dhënë më pas akses në këto të dhëna kompanive të sigurimit.

Tregu i sigurimeve janar-korrik 2023

Tregu i sigurimeve u rrit përsëri gjatë shtatëmujorit janar-korrik 2023, duke kapur një vlerë të ardhurash prej 13 mld lekësh, ose 11.2% më shumë se një vit më parë.

Numri i kontratave të sigurimit të lidhura arriti në 794.312 me një rritje prej 12.58% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Tregu mbetet i orientuar tek sigurimet e Jo-Jetës, të cilat sollën 92% të vëllimit të përgjithshëm të primeve, sigurimet e Jetës kanë 7.9% dhe risigurimi 0.08%.

Gjatë muajit janar-korrik 2023, dëmet e paguara bruto në tregun e sigurimeve, arritën në rreth 3.9 mld lekë, ose 5.4% më shumë se në muajin janar-korrik 2022.

Rritja e peshës së sigurimeve vullnetare është e shpërndarë në disa klasa sigurimi, por ndikimin kryesor e ka dhënë rritja e peshës së sigurimit të pronave, sigurimit KASKO të automjeteve dhe sigurimi i përgjegjësive civile.

Sigurimi i pronës nga katastrofat ngelet produkt kryesor i sigurimit vullnetar, me 12.8% të primeve të shkruara bruto, nga 11.9% që zinte një vit më parë. Vijon sigurimi KASKO i automjeteve, me 7.3% të primeve, nga 6.8% në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.

Nga tetë kompani të sigurimit të jo-jetës, vetëm dy prej kanë një dominim të sigurimeve vullnetare në strukturën e primeve. Për Albsig, sigurimet vullnetare sjellin rreth 58% të primeve të shkruara bruto, ndërsa për Sigal Uniqa Group Austria afërsisht 53% të tyre.

Për kompanitë e tjera, pjesa e sigurimeve vullnetare është dukshëm më e ulët dhe qëndron në intervalin mes 15% dhe 29% të primeve të shkruara bruto.

Pavarësisht rritjes së lehtë në peshën specifike të sigurimeve vullnetare, tregu i sigurimeve në Shqipëri ngelet i dominuar nga sigurimet e detyrueshme motorike. 


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë