Politike

Kur qortohet Rama nga të vetët

Taulant Balla nuk është shquar si qortues ndaj qeverisjes së Edi Ramës nga 2013-ta. Gjithçka ndryshoi në seancën parlamentare të së enjtes, kur ish-numri dy i Partisë Socialiste adresoi disa vërejtje ndaj Ministrisë së Financave.

Balla nuk e adresoi qortesën e tij ndaj ministres Delina Ibrahimaj, pasi siç tha, ajo tre muaj ka në detyrë. Kritikën e shpërndau dhe e shtriu në kohë te qeveria “Rama 2.

“Dua t’i bëj një kritikë në tërësi Qeverisë. Ky Kuvend ka për detyrë që të miratojë ligje, aktet nënligjore i keni në dorë ju. Unë kam votuar në këtë sallë dhe kam mbajtur një fjalë në vitin 2019 kur kemi bërë ndryshimet në ligj dhe kemi futur në ligj parimin e gjobës. Nëse Luli me Toyota Yaris, siç thotë Saliu do të sillte 5 milionë, me parimin e gjobës që kemi futur, nëse personat që bënë fushatë në Laprakë për Partinë Demokratike, që ishin ata që transportuan paratë ishin përsëritës duhet të paguanin deri në 50 për qind të shumës si gjobë. Por, ligji nuk zbatohet, sepse Qeveria ende nuk ka nxjerrë aktet nënligjore”, tha Balla.

Më shumë se vërejtja në këtë rast përbën lajm edhe koha e shqiptimit të saj. Balla prej 2013-s ka qenë mbrojtësi kryesor i vendimeve të qeverisë në Kuvend, edhe kur kritikat vinin nga radhët e socialistëve, siç kanë qenë së fundmi kritikat e Erion Braçes për ndryshimet në TVSh dhe subvencionet për fermerët.

Ajo që ka ndryshuar tani është se Taulant Balla nuk është më Sekretar i Përgjithshëm i Partisë. Edi Rama e zëvendësoi me Damian Gjiknurin pas zgjedhjeve të 25 prillit dhe për më tepër edhe e transferoi nga Qarku i Elbasanit, ku në zgjedhje u rendit si deputeti më i votuar nga socialistët në rang kombëtar, në drejtues në Qarkun e Fierit.

Gjithsesi, kritikat e Ballës janë më të moderuara në krahasim me ato të Erion Braçes, që shpesh në fjalën e tij në Komisionin e Ekonomisë ka akuzuar deri nën personalizim të politikave fiskale dhe favorizimin e një grushti biznesesh përmes tyre. Aq të forta kanë qenë kritikat e Braçes, sa në një nga fjalimet e mbajtura për buxhetin e ri 2022, socialisti mori duartrokitjet nga deputetët e Partisë Demokratike dhe heshtjen nga radhët e socialistëve.

Edhe kritikat e Erion Braçes shpërthyen pasi ai u largua nga qeveria dhe Edi Rama e zëvendësoi me Arben Ahmetajn. Nuk është sekret që marrëdhënia e Braçes me Ahmetajn është e ndërlikuar. Përplasja e tyre daton prej kohës kur Ahmetaj drejtonte Ministrinë e Financave dhe Braçe Komisionin e Ekonomisë në Parlament.

Rama është kritikuar edhe nga emra të tjerë brenda partisë dhe qeverisë. Ditmir Bushati akuzonte në 2019-n se Partia Socialiste ishte shkëputur nga anëtarësia dhe nga filozofia e majtë e qeverisjes. Edhe kritikat e Bushatit u shqiptuan e ashpërsuan pasi ky i fundit u shkarkua nga posti i Ministrit të Jashtëm.

Kritikuesi tjetër pas largimit nga posti është Fatmir Xhafaj. Ish-ministri i Brendshëm dhe arkitekti i reformës në drejtësi, që prej largimit nga kabineti qeveritar ka shigjetuar qeverinë, sidomos te sjellja e saj për reformën në drejtësi.

Ai ka akuzuar qeverinë se ka lënë ende pa zyra SPAK-un, ndërsa qëndrimi i tij në lidhje me zgjatjen e afateve të komisioneve të vettingut përafrohet më shumë me atë të Partisë Demokratike se sa të Partisë Socialistët. Këta të fundit thonë se zgjatja e afateve të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit dhe Kolegjit të Posaçëm të Apelimit është një domosdoshmëri për të ruajtur të njëjtin standard në vetting dhe në këtë qëndrim thonë se kanë edhe mbështetjen e ndërkombëtarëve dhe të Venecias.

Xhafaj, ashtu si PD thotë se nuk mund të bëhet një zgjatje e afateve të këtyre komisioneve pa u bërë më parë një analizë e thelluar që të nxjerrë në pah se përse ky proces nuk u përmbyll brenda afateve kushtetuese.

Kritikan e Xhafajt u thelluan në tetor e nëntor, këtë herë jo vetëm për drejtësinë dhe reformën e ndërmarrë prej 2016-s, të cilën ai e njeh më mirë se kushdo. Ish-ministri i Brendshëm më 25 prill u rendit i 23-ti në listën e kandidatëve për Tiranën arriti që të hyjë në Kuvend falë thyerjes së herësit.

Tani, nga foltorja e Kuvendit ka hedhur kritika edhe për tenderat dhe skemën e partneritetit publik-privat. Ai propozoi në një prej fjalimeve të mbajtura që Kuvendi të ndalojë me ligj mbajtjen e procedurave të tenderave dhe PPP-ve ku mungon gara, ose kur konkurrentët dyshohet se janë fiktivë në këtë garë.

Edhe me këtë qëndrim, Xhafaj u është afruar qëndrimeve të Partisë Demokratike, që ndër vite PPP-të i ka pasur si kartë kryesore të opozitarizmit të saj, duke akuzuar Qeverinë dhe Edi Ramën për afera korruptive.

Këta janë disa nga emrat më të zëshëm që kanë kritikuar publikisht mënyrën se si Edi Rama ka drejtuar Shqipërinë dhe partinë pas 2013-s. Kritikat janë hedhur në periudha e momente të ndryshme kohore.

Ndoshta, të gjithë kritikuesit e kësaj liste, apo një pjesë e tyre mund t’i kenë bërë këto vërejtje jopublikisht në kohën që kanë mbajtur postet përkatëse. Por, ata kanë një të përbashkët publike; që kritikat ndaj Qeverisë i kanë shqiptuar e përforcuar gjithmonë pasi kanë humbur diçka. Balla humbi statusin e numrit 2 brenda partisë, Braçe atë të numrit 2 brenda qeverisë, Xhafaj humbi postin e ministrit të Brendshëm dhe protagonizmin në reformën në drejtësi, ndërsa Bushati në 2018-n atë të kryediplomatit dhe më 25 prill të këtij viti edhe mandatin e deputetit.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë