Politike

Vonesat e reformës në drejtësi, Xhafaj: Pse nuk është vetëm faji i opozitës

Shqyrtimi i ligjit “Për shërbimin Përmbarimor Gjyqësor Privat” ka rikthyer edhe një herë diskutimin brenda mazhorancës mbi reformën në drejtësi, ku tashmë opozita ka kritikuar moskrijimin në kohë të institucioneve të reja të drejtësisë, apo edhe shkrirjen e Gjykatës Kushtetuese dhe të Gjykatës së Lartë.
Kryetari i komisionit të Ligjeve, Ulsi Manja në fjalën e tij, duke e cilësuar këtë si një nga ligjet e fundit të paketës së reformës në drejtësi, ka deklaruar se pengesat për reformën në drejtësi erdhën nga radhët e opozitës. Ai theksoi se në rrafshin politik, reforma është përballur dhe vazhdon të përballet me pengesa të ngritura nga PD, e cila ka bërë gjithçka mundet që të pengojë zbatimin e kësaj reforme, "por nuk e pengon dot sepse Kushtetuta ia ka hequr politikës nga duart".

“PD dhe dashakeqësit e reformës në drejtësi, pasi nuk ia dolën ta pengojnë dot, në një përpjekje të fundit për ta bllokuar atë, kanë dalë në rrugë dhe nuk lënë medium kombëtar dhe ndërkombëtar pa folur duke thënë se jemi pa Gjykatë Kushtetuese, pa Prokuror të Përgjithshëm etj”, tha Manja. Ai kujtoi se të gjitha shqetësimet e opozitës e kanë një përgjigje dhe ajo është shtyrja deri në janar 2017 e zbatimit të Vettingut të miratuar në vitin 2016, për shkak të ankimimit në Gjykatën Kushtetuese nga PD.

“Ngritja e institucioneve të reja të drejtësisë është e kondicionuar vetëm nga Vetingu. Në janar u zhbllokua ligji, por PD bojkotoi Kuvendin dhe hyri në çadër. Në marrëveshjen e 17 majit kushti i vetëm nga PS ishte vota për të ngritur organet e reja të Vettingut, të cilat u votuan në qershor 2017 për t’u bërë funksionale vetëm në fund të vitit 2017, për shkak të plotësimit të strukturës”, tha Manja.

Deputeti, Ulsi Manja, duke folur gjatë një seance parlamentare

Ai nënvizoi se “në harkun kohor të 1 viti, është ecur shumë përpara, ndërsa shprehu bindjen se brenda qershorit do të kemi Gjykatën Kushtetuese dhe Inspektorin e Lartë të Drejtësisë.
“Ne si maxhorancë e përgjegjshme pranuam se reforma në drejtësi do të kishte kostot e veta, por ato janë tërësisht relative. Shumë shpejt do të kemi Gjykatën Kushtetuese, Inspektorin e Lartë të Drejtësisë, pse jo edhe Prokurorin e Përgjithshëm, brenda afatit kushtetues. Viti 2019 do të përmbyllet dhe do të fillojnë nga funksionimi të gjitha organet e reja të sistemit të drejtësisë”, theksoi Manja.
Por ish-ministri socialist, deputeti Fatmir Xhafaj, i cili ka ka qenë dhe kryesuesi i procesit të reformës në drejtësi në Parlament, duke u cilësuar edhe si ideatori i saj, në fjalën e tij nuk ia ka hedhur të gjithë fajin opozitës për vonesat e ngritjes së institucioneve të reja.
“Natyrisht nuk është herezi nëse pranojmë që jo të gjitha gjërat kanë ecur ashtu siç duhet në këtë proces zbatimi. Kjo lidhur me shpejtësinë e procesit të vettingut, ngritjen në kohë të këshillave të gjyqësorit dhe prokurorisë, vonesat e krijuara lidhur me ngritjen e Gjykatës Kushtetuese, SPAK etj. Janë probleme që rrjedhin kryesisht nga kompleksiteti i vet reformës, prej vonesave të krijuara nga kundërshtarët e saj brenda e jashtë sistemit e veçanërisht nga lidershipi politik opozitar, nga pengesat ligjore e institucionale të krijuara artificialisht në hallka të ndryshme të zbatimit të procesit etj. Natyrisht ka edhe problematika që lidhen me mungesën e shpejtësisë dhe qartësisë në vendimmarrje, me një koordinim jo shumë efikas në procesin e ngritjes së institucioneve, cilësinë e funksionalitetit të Këshillave të reja dhe sidomos të KLP, nga mbështetja e vonuar infrastrukturore e logjistike për institucionet e reja, mosmiratimin ende të ndryshimeve të imponuara nga vendimmarrjet përkatëse të Gjykatës Kushtetuese etj, të tilla”, theksoi Xhafaj.
Por ish-ministri i Brendshëm ka shprehur rezervat dhe për komisionin monitorues të ngritur nga Kuvendi, që sipas tij, nuk po funksion dhe mund të cilësohet si një dështim.
“Padyshim Kuvendi ka rolin e vet në këtë proces pasi ai ka detyrimin e koordinimit dhe kontrollit përkatës në kufijtë e parashikuar nga kuadri ligjor përkatës. Komisioni i ngritur për këtë qëllim pranë Kuvendit, si një mekanizëm për të lehtësuar këtë proces dhe për ta ruajtur atë nga ndikimet e jashtme, në vlerësimin tim duhet konsideruar një zgjidhje e dështuar si për sa i përket autoritetit, ashtu edhe aftësisë së tij për ta përmbushur këtë mision të vështirë”, u shpreh Xhafaj.
Për njeriun që drejtoi komisionin e posaçëm të reformës zgjedhore, një pjesë e madhe e gjyqtarëve dhe prokurorëve brenda sistemit janë mundur ta kundërshtojnë procesin e vettingut.
“Por nga ana tjetër duhet të pranojmë se në mënyrë të hapur një pjesë e atyre që janë në pritje të vettingut, pa asnjë droje morale dhe ligjore e kanë kthyer dhënien e drejtësisë në një shërbim ryshfetesh skandaloze. Për këta syresh, largimi nga sistemi duhet të shoqërohet me procedime penale e sanksione të tilla. Ndaj KPK duhet t'i mirëpresë denoncimet e qytetarëve ndaj këtyre të pafytyrëve që po e keqpërdorin sistemin edhe në grahmat e tyre të fundit. Nuk kam pritur dhe nuk pres të dëgjoj vlerësime pozitive rreth këtij procesi nga kundërshtarët e tij, nga të gjithë ata baltahedhës që reformën dhe posaçërisht Vettingun e kanë parë si mekanizmin për prishjen e moçalit ku e kishin futur sistemin dhe kontrollit politik e klientelist mbi të. Lidershipi politik i opozitës jashtë sistemit vazhdon të tentojë ta delegjitimojë e dekurajojë procesin me shpresën e cenimit të kredibilitetit dhe deformimit të mundshëm të tij. Për të mos folur këtu për sulmet e botës së krimit, i cili me pjesën e errët të medias apo disa portaleve me mbështetje kriminale, vazhdojnë të sulmojnë procesin e demontimit të drejtësisë së vjetër e rithemelimin e asaj të re”, theksoi Xhafaj.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë