Analize

Rasti “Bushati”, si i “josh” Rama zërat kritikë brenda partisë

Në janar të 2019, Ditmir Bushati u shkarkua nga posti i ministrit të Jashtëm. Largimi prej Qeverisë ftohu marrëdhëniet e tij me Edi Ramën dhe “fërkimet” e para mes tyre dolën në publik pas zgjedhjeve vendore të 30 qershorit dhe përfshirjes si subjekt dekriminalizimi i kandidatit të PS-së për Bashkinë e Shkodrës, Valdrin Pjetrit.

Pikërisht Valdrin Pjetri ishte ai që i zuri vendin e koordinatorit Ditmir Bushatit në Qarkun e Shkodrës fill pas zgjedhjeve vendore të 30 qershorit. Megjithatë, Pjetri nuk e mori kurrë detyrën si kryebashkiak për shkak të publikimit të disa dokumentave nga ana e Partisë Demokratike, sipas të cilave ai kishte fshehur një ndalim për trafik droge nga autoritetet italiane.

PS mblodhi menjëherë në mes të gushtit 2019 kryesinë ku u vendos largimi i Valdrin Pjetrit dhe u diskutua për situatën e krijuar në qytetin verior. Në këtë mbledhje kryesie, Bushati doli nga "linja zyrtare" e partisë dhe përmes një letre, kërkonte që PS t’u kërkojë falje qytetarëve, të mbajë përgjegjësi si forcë politike për kandidimin e emrave të inkriminuar dhe të reformohej partia për të mos afruar këta njerëz.

Ky qëndrim i tij binte ndesh me bindjen e Ramës se partia nuk mban përgjegjësi për “mollët e kalbura” dhe se përgjegjësia është individuale. Në vend të ndjesës dhe marrjes së përgjegjësisë, Rama tha se PS nuk mbronte askënd përballë ligjit dhe propozoi ndërhyrjen tek ligji i dekriminalizimit për të futur në të afate verifikimi shtetëror të kandidaturave para se ata të regjistroheshin për në zgjedhje.

Ky ishte momenti kulmor i përplasjes që kishte muaj që kishte nisur, por jo i vetmi. Gjatë punimeve në Parlament, Bushati doli disa herë nga rreshti. Në mars, pak pasi opozita kishte djegur mandatet ai ngarkonte Qeverinë me përgjegjësinë për zgjidhjen e krizës, duke e cilësuar procesin e zëvendësimit të vendeve të lëna bosh nga deputetët e PD-LSI që u larguan në masë si një farsë.

Në prill të këtij viti, kur Parlamenti diskutonte një koncesion për Porto Romanon, ish-ministri i Jashtëm kujtoi zotimin e Partisë Socialiste për anulimin e koncesioneve. “Ne jemi Partia Socialiste, partia e progresistëve dhe demokratëve shqiptarë. Kemi thënë që do të anulojmë koncesionet. Kemi thënë do t’i anulojmë koncesionet. Ky është momenti të mos shkojmë në kapitalizëm grabitqar pse e keni fut këtë për 30 ditë e me procedurë të përshpejtuar”, deklaronte ai.

Kursi i përplasjes duket se e përjashtoi edhe nga marrja e një posti si drejtues politik në qarqe. Emri i tij mungoi mes emrave që u vendosën në 12 qarqet e vendit nga mbledhja e fundit e grupit parlamentar socialist në Elbasan, ku Shkodra iu besua Ilir Beqajt. Ky i fundit që në takimin e parë në Shkodër “sulmoi” Bushatin. Beqaj tha se prej momentit kur Bushati u shkarkua nga detyra e ministrit të Jashtëm e ka braktisur detyrën e caktuar në Shkodër si drejtues politik i Qarkut. “Bushati ka 14 muaj që e ka lënë Partinë Socialistë në Shkodër dhe nuk mund të themi si e la ai Partinë Socialiste këtu”, tha ai.

Beqaj paralajmëroi gjithashtu se emri i Bushatit mund të mos jetë pjesë e kandidatë për deputetë në zgjedhjet e 25 prillit të vitit të ardhshëm. “Zoti Bushati është deputet, por nuk e vendosim ne nëse është apo jo në Shkodër. Aktualisht ai nuk ndodhet as në Tiranë dhe as në Shkodër”, shtoi ai.

Por, a do ta pranonte Bushati një vendim të tillë në heshtje dhe pa luftuar? Kësaj pyetjeje për momentin mund t’i përgjigjet vetëm Bushati. Megjithatë, duket se PS nuk kërkon të rrezikojë që në zgjedhjet “delikate” të 25 prillit t’i dalë kundër një prej figurave më të rëndësishme të saj në mandatin e parë dhe gjysmën e mandatit të dytë qeverisës, ndaj si zgjidhje ndodhta është gjetur një rrugë e tretë “izolimi” i tij në një post ndërkombëtar të rëndësishëm dhe komod.

Një pozicion të tillë e ofron OSBE në postin e Komisionerit për Lirinë e Medias, pasi Harlem Desir dështoi që të marrë votat e 57 vendeve anëtare të organizatës, ashtu siç e kërkon rregullorja. Afati i fundit për dorëzimin e kandidaturave ishte data 18 shtator, kur edhe në Tiranë doli lajmi se Shqipëria ka propozuar Ditmir Bushatin.

Bushati vetë nuk e ka komentuar këtë lajm, e po ashtu as nga OSBE nuk ka një deklaratë zyrtare mbi këtë proces. Megjithatë, nëse Ditmir Bushati do të pranonte ofertën e OSBE-së nuk do të ishte i pari zë kritik i Ramës në PS që “shmanget” me një pozicion joshës.

Në 2016, Arben Malaj, pjesë e Lëvizjes për Mendim Ndryshe që shpërtheu brenda Partisë Socialiste pas zgjedhjeve të 2009-s u zgjodh me votat e PS-së anëtar i Këshillit Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë.

Malaj ishte i vetmi nga tre drejtuesit kryesorë të LMN-së që nuk u përfshi në listën e kandidatëve për deputetë në zgjedhjet e 2013-ës. Ben Blushi dhe Pandeli Majko vijuan karrierën e tyre në politikë si të zgjedhur nën siglën e PS-së, megjithëse asnjërit prej tyre nuk iu besua një post në Qeveri. Blushi e vazhdoi përplasjen me Ramën që “e detyroi” të largohej dhe formonte një parti të re, ndërsa Pandeli Majko në mandatin e dytë mori postin e ministrit (pa portofol) të Diasporës.

Ngjashëm ndodhi edhe me Erjon Braçen. Në mandatin e parë dhe vitin e parë të mandatit të dytë të socialistëve, Braçe si kryetar i Komisionit të Ekonomisë vetë nuk kritikonte drejtpërdrejtë Edi Ramën, por Arben Ahmetajn. Kritikat lidheshin kryesisht me koncesionet në ekonomi apo Partneritetet Publik-Privat. Ahmetaj u largua nga posti i Ministrit të Financave dhe Ekonomisë dhe Braçe u afrua si zv.Kryeministër. Kritikat pushuan, por nuk ndodhi e njëjta gjë me praktikat PPP të Qeverisë, madje një pjesë të tyre të miratuara me VKM, i ka firmosur vetë zv.Kryeministri Braçe.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë