Ngjarje

Kultivues hashashi, hajdutët “e vegjël”, mashtruesit, kush janë 600 të dënuarit që shkojnë në shtëpi

Kultivuesit e drogës, të cilët nuk e mbollën hashashin në kuadër të grupit kriminal, dhe që u kanë mbetur më pak se tre apo pesë vite burgim, së shpejti do të shkojnë në shtëpi. Të njëjtin fat do kenë edhe shpërndarësit e drogës, jo në bashkëpunim dhe jo si grup kriminal. Po ashtu edhe ata që mashtruan dhe që sërish u ka mbetur e njëjta kohë dënimi. Ata që kryen vjedhje të vogla, por jo grabitje bankash, ose ata që shpërdoruan detyrën me përjashtim të të korruptuarve. Kushti për të përfituar është vetëm një, ata duhet të kenë dënim të formës së prerë, nuk duhet të jenë me statusin të paraburgosur. Një zyrtar i Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve tha për Gazetën “Si” se afërsisht llogaritet të përfitojnë nga situata e Covid-19, dhe që do të shkojnë në shtëpi përkohësisht gati 600 të dënuar të formës së prerë. Kjo përllogaritje do të zyrtarizohet në orën në vazhdim, pasi aplikimi i aktit normativ të botuar në Fletoren Zyrtare u bë i ditur në orët e mbrëmjes.

Por ndërkohë nga burimet e Gazetës “Si” bëhet me dije se në burgjet shqiptare mbahen mbi 5100 persona, prej të cilëve më shumë se gjysma janë të dënuar të formës së prerë. Dhe konkretisht rezulton të mbahen si të dënuar të formës së prerë 2670 persona, prej tyre 176 janë të dënuar të përjetshëm dhe natyrisht përjashtohen nga ky akt normativ, ashtu sikundër edhe 39 persona të dënuar si anëtarë të organizatave kriminale, apo 47 për shfrytëzim prostitucioni dhe 18 përdhunues. Ndaj tyre nuk ka asnjë diskutim që akti normativ që u firmos për të ndaluar përhapjen e Covid-19 në burgje, nuk ka asnjë efekt, tha një burim, i cili ka nisur me urgjencë trajtimin e përfituesve, siç nuk ka efekt edhe për mbi 800 persona të tjerë të dënuar për vrasje. Përfituesit më të mëdhenj do të jenë për akuzën e kultivimit të drogës sa kohë në burgje gjenden si të dënuar 776 shtetas, por jo të gjithë janë në pragun e përfundimit të vuajtjes së dënimit.

Njëkohësisht në listën e atyre që do shqyrtohen janë 433 persona, të cilët akuzohen për vjedhje të thjeshtë, për të parë se sa prej tyre u ka mbetur më pak se tre vite burgim, ndërsa në këtë kategori përjashtohen grabitësit e bankave dhe të veprave të artit.

Të dënuar në moshën 60 deri në 70 vjeç, tha një burim i Gazetës “Si” llogariten të jenë 119 persona, të moshës 70 deri në 80 vjeç mbahen 31 shtetas dhe nëntë janë mbi 80 vjeç. Por, jo të gjithë të moshuarit e dënuar të formës së prerë do të lirohen pasi disa prej tyre janë të akuzuar për vrasje dhe vepra e vrasjes përjashtohet nga lirimi i përkohshëm dhe mbajtja e përkohshme në shtëpi.

Ata që jane për armëmbajtje pa leje me përjashtim të trafikantëve të armëve, ata që shesin e prodhojnë narkotikë me përjashtim të trafikantëve si dhe të dënuarit për drejtim mjeti në gjendje të dehur apo për shkelje të rregullave të qarkullimit do të shkojnë gjithashtu përkohësisht në shtëpi.

Kush quhet i dënuar?

I dënuar quhet çdo person i dënuar me vendim gjyqësor të formës së prerë ose nga gjykatat e huaja, dënim që më pas është konvertuar nga gjykatat shqiptare.

Çfarë quhet qëndrim i përkohshëm në shtëpi? Është leje e veçantë që jepet për shkak të gjendjes së epidemisë, i dënuari duhet të qëndrojë ose në shtëpi, apo në një qendër të kujdesit dhe të shëndetit publik.

Çfarë quhet sëmundje kronike e rrezikshme?

Sëmundja nga e cila vuan një i dënuar dhe që shoqëruar nga ndikimi i Covid-19 mund të shkaktojë dëmtimin e rëndë të shëndetit ose humbjen e jetës së të dënuarit.

Ndërkohë menjëherë sapo vetë i dënuari të bëjë kërkesën për të shkuar në shtëpi në aktin normativ parashikohet që komisionet e veçanta do të shqyrtojnë kërkesën, dhe dicka e tillë do të kërkojë pak ditë kohë. Për herë të parë gjykatat përjashtohen nga lirimi i një të burgosuri, pasi në aktin normativ, vërtet dyert e burgjeve hapen, por kjo quhet qëndrim i përkohshëm në shtëpi dhe jo lirim. Gjykata do të angazhohet vetëm në rast se pas qëndrimit në shtëpi, i dënuari që përfiton kërkon të aplikohet ndaj tij dënim alternativ.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë