Mendim

Kriza SHBA-Iran, sa rrezikon Shqipëria?

Pavarësisht luftës së gjatë në Lindjen e Mesme, Shtetet e Bashkuara dhe Irani kanë shmangur konfrontimin e drejtpërdrejtë, të paktën deri tani. Por ky fillimviti ka qenë mjaft i paparashikueshëm, duke alarmuar mbarë botën për mundësinë e një përplasjeje ushtarake mes Teheranit dhe Uashingtonit.

Edhe pse qindra milje larg këtij konflikti shkatërrimtar, Shqipëria ka të ngjarë të preket në mënyrë të drejtpërdrejtë nga urdhri i Presidentit Donald Trump të enjten për të vrarë gjeneralin iranianin Qasem Soleimani, komandant Forcave Quds. Ky urdhër ka zhytur jo vetëm dy kundërshtarët por edhe vendin tonë në territor të paeksploruar. Nuk ka dyshime se Shqipëria është vendi i fundit që do të donte të përfshihej në këtë “lojë politike” por strehimi i më shumë se tre mijë anëtarëve të opozitës iraniane, ka bërë që vendi ynë të jetë tanimë në “shënjestrën” e regjimit.

Për Shqipërinë, e cila ka marrë në mbrojtje muxhahedinët e MEK, kjo përplasje vjen në mes të një krize të rëndë politike që e bën të paaftë të përballojë presionin diplomatik në rast të mundësisë së një konflitkti Iran-SHBA.

Protesta kundër SHBA-së në Iran. Gazeta Si, 2020

Ekspertët ndërkombëtarë kanë paralajmëruar prej muajsh se vendi nuk do të mund të qendrojë larg një konflikti të tillë. “Shqipëria është përfshirë papritur në një prej konflikteve më të rrezikshme gjeopolitike të kohëve të sotme, ajo që vë Iranin kundër Shteteve të Bashkuara, Arabisë Saudite dhe shteteve të tjera të Gjirit dhe koha për ta bërë këtë nuk mund të ishte më e keqe”, shkruante në qershor “World Politic Review”, një nga mediat më serioze në SHBA. "Disa nga mbështetësit kryesorë të Trump dhe administrata e tij janë duke e vendosur Shqipërinë në qendër të dosjes së Iranit. Ndoshta mbështetësi më i madh i MEK është Rudy Guliani, miku i afërt i Trumpit, i cili dëshiron që muxhahedinët të qeverisin Iranin Për t’i bërë gjërat edhe më keq, kriza politike e Shqipërisë e ka kthyer atë në një objektiv për aktorët keqdashës që kërkojnë të përfitojnë nga një komb i hutuar dhe i ndarë", theksonte kjo media.

“Fox News” shkruante nga ana tjetër se agjentët iranianë janë vendosur tanimë në Tiranë, pasi “preja” kryesore e regjimit islamik janë muxhahedinët e strehuar në Shqipëri. Udhëheqësit e regjimit druhen se për shkak të lidhjeve të forta të organizatës me ligjvënësit amerikanë, Presidentit Donald Trump mund të jetë duke planifikuar të vendosë sa më parë muxhahedinët në krye të Iranit. Në këto kushte ata janë të gatshëm të bëjnë gjithçka për t’i ndalur.

Në reagimin e tij zyrtar pas vrasjes së Soleimanit, MEK thotë se komandanti famëkeq i Forcave Quds, kishte kryer masakra të përgjakshme kundër muxhahedinëve.

“Qasem Soleimani ka vrarë 141 anëtarë të Organizatës së Muxhahedinëve të Popullit të Iranit (PMOI/MEK) me anë të sulmeve terroriste në Irak nga viti 2009 deri në vitin 2016, duke përdorur Forcat Quds në Irak, të cilët i komandonte vetë”, thotë MEK në një njoftim për shtyp.

Soleimani, një gjeneral i Korpusit të Gardës Revolucionare Islamike (IRGC) ndihmoi në ndërtimin, organizimin, financimin dhe vendosjen e milicive shiite që udhëhiqnin kryengritjet në Irak, Siri, Liban dhe Jemen. Soleimani njihej si “mjeshtri i shahut politik “ të Lindjes së Mesme, duke postuar selfie nga fushat e betejës në të gjithë rajonin. Ai njihej po ashtu për marrëdhëniet me udhëheqësit e grupeve terroriste të njohura më mirë në Perëndim, duke përfshirë Osama bin-Laden dhe Abu Bakr al-Bagdadi, të cilët gjithashtu u vranë nga forcat amerikane.

Aktivitet i MEK në Shqipëri. Gazeta Si, 2020

Vdekja e një njeriu të konsideruar një hero nga miliona njerëz në Lindjen e Mesme është një ngjarje tektonike që sjell pasoja të panjohura për Uashingtonin dhe Teheranin dhe rrezikon të ndeze tensione që mund të arrijnë deri në vendin tonë. Irani bëri thirrje për tri ditë zi të Premten, por premtoi hakmarrje.

Pyetja e vetme është sa e madhe do të jetë hakmarrja, ku dhe ku do të godasë. Deri më tani zyrtarët amerikane kanë refuzuar të përgjigjen.

A mund të shkojnë SHBA-ja dhe Irani në luftë?

Gjatë gjashtë muajve të fundit, Irani është fajësuar për disa incidente të sigurisë së profilit të lartë, përfshirë protestat përpara ambasadës amerikane në Irak; rrëzimi i një avioni amerikan mbi ngushticën e Hormuzit; sabotimi dhe kapja e disa cisternave të naftës pranë Gjirit Persik; bombardimi ajror i objekteve të naftës në Arabinë Saudite; dhe një sulm me raketa në një bazë ushtarake në Irak, i cili vrau një kontraktues amerikan dhe plagosi katër ushtarë amerikan.

Këshilltari i Sigurisë Kombëtare në Shtëpinë e Bardhë Robert O’Brien thotë se Irani tani ka dy mundësi. "Një është përshkallëzimi i mëtejshëm dhe ndjekja e kësaj rruge nuk do të çojë askund për popullin iranian apo për regjimin," u tha ai gazetarëve në një thirrje konferencë të premten. "Rruga alternative është që ata të ulen me Shtetet e Bashkuara; të heqin dorë nga programi bërthamor dhe të ndalojnë luftërat në Lindjen e Mesme dhe të sillen si një komb normal.”

O'Brien tha që SHBA-ja ishte e gatshme të takohej me udhëheqësit iranian pa parakushte.
Por disa zyrtarë amerikanë besojnë se Irani do të zgjedhë rrugën e fundit.
“Vrasja e Soleimani mund ta detyrojë Teheranin të mendojë dy herë para se të sulmojë SHBA ose partnerët e saj”,, thotë Norman T. Roule, një ish oficer i lartë i CIA. "Irani do të duhet të përgjigjet, por ,bijetesa e regjimit duhet të jetë qëllimi i tyre kryesor”, thotë ai.

Protesta kundër SHBA-së në Iran. Gazeta Si, 2020

Douglas Silliman, ish ambasador i SHBA-së në Irak dhe Kuvajt thotë se Irani është i durueshëm dhe mund të mos përgjigjet menjëherë.

"Hakmarrja nuk mund të vijë domosdoshmërisht kundër bazave amerikane," thotë ai. "Them se pas vrasjes së Soleimanit situata do të përkeqësohet. Ka mjaft baza amerikane në Gjirin Persik," shton Silliman, "Jo vetëm ushtarë, marinarë, avionë dhe anije, por edhe bashkëshortë dhe fëmijë."

Irani gjithashtu ka të ngjarë të përgjigjet duke përdorur më shumë aleatët, sesa forcat e veta. Vetë Soleimani mbikëqyrte grupet terroriste të mbështetura nga Irani si Hezbollahu i Libanit, i cili ndër të tjera sulmoi Ambasadën Amerikane dhe kazermat Detare në Beirut në 1983. Pentagoni vlerësoi në prill se militantët e mbështetur nga Irani vranë të paktën 603 trupa amerikane në Irak.

Përmes këtyre forcave, Teherani është i përfshirë në çdo konflikt të madh ushtarak në Lindjen e Mesme, pothuajse gjithmonë në anën e armiqve të Amerikës. Vendet e Gjirit kanë bërë presion në Shtëpinë e Bardhë për të adresuar këtë problem. Marrëdhëniet personale të Soleimani me grupet terroriste në rajon do të jenë të vështira për t'i zëvendësuar Irani, por trupat e Gardës Revolucionare Islamike dhe Forca e Kuds janë të organizuara.

Aleatët e Amerikës në rajon, përfshirë Arabinë Saudite, Katarin dhe Bahreinin janë gjasë objektiva të një hakmarrjeje ushtarake ose kibernetike iraniane. Irani tashmë ka sulmuar rrjetet kompjuterike të ndërmarrjeve së naftës dhe kompanive të gazit natyror të Katarit. Mund të ketë komplote shumë larg rajonit, thotë Eric Edelman, ish ambasadori amerikan në Turqi nën Presidentin George W. Bush. "Ata do të kërkojnë mënyra për të na goditur atje ku ne nuk e presim," thotë ai. "Por ata do të jenë të durueshëm. ”

Analistët kanë frikë se nëse Irani nuk e merr parasysh gatishmërinë e Trump për të përdorur forcën, konflikti mund të dalë shpejt jashtë kontrollit.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë