Shkencë

Krijohet harta më e madhe e trurit të njeriut, do të ndihmojë për të studiuar sëmundje të ndryshme

Shkencëtarët janë një hap më afër për të kuptuar 170 miliardë qelizat e trurit që na lejojnë të ecim, të flasim dhe të mendojmë.

Një ekip shkencor ka njoftuar se është krijuar një ‘atlas’ i trurit ku janë hartuar mbi 3000 lloje të qelizave të trurit. Studimi u prezantua përmes 24 punimeve të ndryshme në 3 revista shkencore.

Me këtë atlas, shkencëtarët mund të identifikojnë mënyrat në të cilat truri i njeriut ndryshon nga truri i specieve të tjera.

Harta gjithashtu do t’i ndihmojë studiuesit të kuptojnë se si truri i njeriut mund të ndryshojë me kalimin e kohës, por edhe sa i ngjashëm është truri i një personi me një tjetër dhe pse disa njerëz zhvillojnë sëmundje të ndryshme të trurit.

“Ne me të vërtetë kemi nevojë për këtë lloj informacioni nëse do të kuptojmë se çfarë na bën unikë si njerëz ose çfarë na bën të ndryshëm si individë ose si zhvillohet truri”, thotë Ed Lein, studiues i cili mori pjesë në studime.

Hulumtimi u financua nga Instituti Kombëtar i Shëndetit i SHBA dhe filloi gjashtë vjet më parë si pjesë e një studimi më të madh të trurit.

Truri mund të jetë “sistemi më kompleks që njohim në univers deri më tani”, u shpreh Henry Greely, profesor në Universitetin e Stanfordit.

Harta e qelizave në trurin e njeriut mund ta bëjë më të lehtë gjetjen e trajtimeve për çrregullimet e trurit, si sëmundja e Alzheimerit, autizmi dhe depresioni.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë