Para

Kreditë me probleme, masa për reduktim jashtëgjyqësor

Këshilli Mbikqyrës i Bankës së Shqipërisë ka miratuar në mbledhjen e radhës rregulloren “Për trajtimin jashtëgjyqësor nga bankat, të kredimarrësve në vështirësi financiare”. Kjo rregullore u përgatit në bashkëpunim me ekspertët e Bankës Botërore (projekti FinSAC) dhe përbën plotësimin e paketës së masave të ndërmarra nga Banka e Shqipërisë për adresimin e kredive me probleme në vend.

Rregullorja ka në fokus lehtësimin e rimëkëmbjes financiare të kredimarrësve të mëdhenj në vonesë, të cilët kanë ekspozim në më shumë se një bankë dhe parashikon ngritjen e një platforme të përbashkët midis bankave për gjetjen e një zgjidhjeje të përshtatshme për kredimarrësin.

Ndryshimi tjetër, i miratuar në rregulloren për administrimin e rrezikut të kredisë, është reduktimi i afatit të fshirjes së kredive të humbura nga bankat, si dhe forcimi i kritereve të ristrukturimit të kredive nga ana e bankave, duke marrë në konsideratë dhe praktikat e ndjekura në vendet e Bashkimit Evropian.

Kritere më të forta për licensimin e subjekteve financiare, banka dhe jo banka

Këshilli Mbikqyrës i Bankës Qendrore ka miratuar gjithashtu një paketë rregullative për zbatimin e rekomandimeve të Raportit të Ekspertëve të Moneyval për parandalimin e pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit.

Paketa përfshin kritere më të forta në rregulloret për licencimin dhe ushtrimin e veprimtarisë nga bankat dhe degët e bankave të huaja në Shqipëri, subjektet financiare jobanka, shoqëritë e kursim-kreditit dhe unionet e tyre, zyrat e këmbimit valutor, si dhe në rregulloren “Për administrimin e rrezikut në veprimtarinë e subjekteve financiare jobanka”, në drejtim të parandalimit të pastrimit të parave dhe të financimit të terrorizmit.

Ndryshimet e miratuara konsistojnë kryesisht në forcimin e kërkesave të Bankës së Shqipërisë për subjektet financiare, që aplikojnë pranë saj për licencë apo për aksionerët/ortakët, si dhe për subjektet e licencuara nga Banka e Shqipërisë, gjatë procesit të ndryshimit të pjesëmarrjes influencuese dhe riorganizimit juridik të tyre.
Gjithashtu, nëpërmjet këtyre ndryshimeve i vihet një theks më i madh procesit të monitorimit në vazhdimësi nga Banka e Shqipërisë të aksionerëve ose ortakëve të bankave dhe subjekteve financiare jobanka, si dhe të organeve drejtuese të subjekteve financiare jobanka dhe të shoqërive të kursim-kreditit.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë