Ngjarje

Korça ishte gracka e koronavirusit

Fundjavën e parë pas konfirmimit të dy rasteve të para të të prekurve me koronavirus në Shqipëri u vu re një dyndje e pazakontë e banorëve të Tiranës, kryesisht në Korçë dhe Pogradec, më e vogël për nga përmasa, por e ngjashme me dyndjen që pasoi tërmetin e 26 nëntorit të vitit të kaluar.

Por, nëse në rastin e tërmetit largimi nga Tirana e Durrësi, kryesisht për në jug-lindje të vendit ishte një lëvizje e duhur për të kaluar traumën që lanë pas lëkundjet, sidomos tek fëmijët, në rastin e koronavirusit mund të rezultojë e kundërta. Armiku këtë herë është më dinak dhe duket se lëvizjet tona janë aleati i tij më i mirë.

Për këtë arsye dhe duke vënë re dyndjen e qytetarëve të Tiranës në drejtim të rretheve, Qeveria urdhëroi më 13 mars, ditë e enjte, ndalimin e të gjitha lëvizjeve në Tiranë e Durrës. Atyre që ishin larguar iu la fasha orare nga ora 00:00 deri në orën 08:00 të së hënës së 17 marsit afatin e vetëm kohor për t’u rikthyer në shtëpi.

Megjithatë, të shumtë ishin ata që shpërfillnin thirrjet për vetëngujim dhe oraret e kufizuara të lëvizjes, të vendosura nga Qeveria si orare që banorët të furnizoheshin me ushqime, ilaçe apo gjëra të tjera të domosdoshme.

Por, edhe ky urdhër u shpërfill dhe “piknikët” jashtë Tirane ua lanë vendin shëtitjeve nga kodrat e Liqenit Artificial, ku shumë qytetarë dilnin tufa-tufa gjatë orarit të përcaktuar për blerjen e ushqimeve dhe ilaçeve. Qeveria mbylli parkun dhe kufizoi edhe më tej lëvizjet si për këmbësorë, ashtu edhe për automjete, në përpjekjen e radhës për përforcuar karantinën dhe për të reduktuar në maksimum lëvizjet.

Nga të dhënat që po dalin në sipërfaqe dita-ditës lëvizjet kanë qenë gabimi më i madh. Të dhënat tregojnë se virusi ka hyrë në Shqipëri të paktën disa ditë para se të zbuloheshin dy pacientët parë, at’ e bir dhe kjo po provohet edhe nga rastet që po shfaqen njëri pas tjetrit, në Korçë dhe Vlorë.

Në Korçë, dy prej tre rasteve janë një çift i moshuar, që dyshohet se janë infektuar nga mbesa e tyre që ishte kthyer nga Italia më datë 8 mars, ndërsa personi tjetër ishte një i ri me aktivitet në qytet.

Edhe rasti i dyshuar me koronavirus i familjes me katër anëtarë në Vlorë mund ta përforcojë se përse lëvizja nga Tirana për në rrethe në vend që të pakësojë mundësitë për t’u infektuar i ka shtuar ato. Ata dyshohet gjithashtu se janë infektuar nga një tjetër anëtar i familjes, emigrant në Bergamo të Italisë, që ishte kthyer në Vlorë më datë 8 mars, para se të vendoseshin masat e para të kufizimit të lëvizjeve dhe ishte larguar më datë 20 mars në drejtim të Gjermanisë, një prej pak vendeve me të cilat Shqipëria nuk kishte kufizimin e fluturimeve direkte.

Mjekët paralajmëruan se ndryshe nga tërmeti, virusi nuk luftohej duke u larguar, por duke u ngujuar. Koha provoi se as Korça dhe asnjë vend tjetër sot në botë nuk është imun ndaj tij. Për këtë arsye, këshilla e vetme që ata kanë përsëritur dhe përsërisin ende, në mungesë të një kure është vetëngujimi dhe shmangia e lëvizjeve në maksimum e lëvizjeve.

Por, shembulli më i mirë që provon se virusi nuk luftohet duke iu larguar, por duke u ngujuar në shtëpi dhe përmes distancimit social mbërrin nga jashtë. Kur shpërthyen rastet masive në Veri të Italisë, shumë italianë renden kryesisht drejt jugut të vendit, madje kishte nga ata që erdhën edhe në Shqipëri, ndërsa ata që qëndruan pak i ndoqën këshillat e vetëngujimit dhe distancimit social.

Virusi nuk u largua, rastet e reja nuk u reduktuan, por përkundrazi u shtuan. Harta e infeksionit u përhap në të gjithë Italinë, megjithëse epiqëndra mbeti zona e Lompardisë. Italia sot po vuan edhe për faj të këtyre lëvizjeve dhe reagimit me vonesë të autoriteteve për bllokimin e tyre dhe për më tepër, parashikimet janë ende të zymta. Autoritetet thonë se kulmi i pandemisë do të jetë në fillim të muajit prill.

A e bënë shqiptarët gabimin e italianëve? Paralelizmi mund të hiqet tek lëvizjet jashtë qendrës kur shpërtheu koronavirusi. Italianë ikën nga veriu në jug, shqiptarët nga Tirana kryesisht në jug-lindje. Po ashtu, paralele mund të gjenden edhe tek shkalla e shpërfilljes së këshillave për vetëngujim. Ka një ngjashmëri të madhe në këtë pjesë, nëse krahasohen videot e qytetarëve nga Veriu i Italisë para disa ditësh me videot që qarkullojnë në rrjetet sociale nga Tirana në ditët e karantinës, ku rrugët dhe bulevardet kryesore janë bosh, por në brendësi lagjet gumëzhijnë nga njerëz të grumbulluar duke shkelur këshillën kryesore të mjekëve dhe ekspertëve; distancimin social.

Dallimi qëndron në kohën e marrjes së masave shtrënguese. Organizata Botërore e Shëndetësisë ka qortuar autoritetet italiane se kanë vepruar me vonesë, ndërsa përfaqësia e OBSh-së në Tiranë i cilësoi si të marra në kohë vendimet për të luftuar pandeminë.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë