Analize

Në Shkodër u vra distancimi social – Virusi rilindi nga një vdekje

Lajmet që mbërritën nga Shkodra mbi përhapjen e koronavirusit në 24 orët e fundit janë mësimi më i mirë që na jepet mbi rëndësinë e distancimit social.

Rreth dhjetë ditë më parë Shkodra nuk ishte e përfshirë në hartën e qyteteve me raste të konfirmuara me koronavirus. Më 23 mars u konfirmua pacienti i parë nga ky qytet dhe deri para 24 orësh rritja ishte “normale”.

Ato që ndryshuan panoramën dhe vendosën Shkodrën në vendin e katërt, direkt pas Tiranës, Durrësit dhe Fierit ishin 24 orët e fundit, ku numri i rasteve të konfirmuara me Covid-19 u rrit me më shumë se dy herë.

Nga 10 pacientë që numëronte deri dje (2 prill), Shkodra sot (3 prill) numëron plot 22 raste. Si shpjegohet e gjithë kjo rritje? Të 12 rastet e fundit u përkasin dy rretheve familjare në Kiras dhe Dobraç. Anëtari i një familjeje, mendohet se është infektuar pas pjesëmarrjes në një ceremoni mortore.

Në të njëjtën ceremoni ka marrë pjesë edhe rasti i tretë i raportuar në Shkodër. Më pas, i infektuari, kur ishte ende asimptomatik mendohet se ka shpërndarë virusin tek familjarët e vet. 12 të infektuarit janë në lagjet Kiras dhe Dobraç.

Në Dobraç, personi i parë i infektuar është një person rreth 50 vjeç, ndërsa më pas virusi është përhapur tek familjarë dhe të afërm të tjerë të tij, që e kanë vizituar në shtëpi duke shpërfillur masat për mbrojtjen nga përhapja e koronavirusit.

Edhe në familjen në Kiras dyshimet janë se virusi është importuar nga një ceremoni mortore. Të dyja rastet na tregojnë se shpërfillja e distancimit social, sidomos në zonat periferike të qyteteve dhe në zonat rurale mund të minojë të gjithë sakrificën e pjesës tjetër të popullsisë që po qëndron mes katër mureve për 3 javë me radhë.

Distancimi social është arma kryesore që po përdor sot e gjithë bota për të luftuar koronavirusin. Nëse kjo armë nuk do të ishte efikase, apo e sajuar, atëherë nga tragjedia që po luhet prej ditësh në Itali nuk do të na mbërrinin pamjet e ceremonive mortore, ku askush nuk merr pjesë.

Edhe ekspertët vazhdimisht i kanë përsëritur thirrjet drejtuar qytetarëve që të respektojnë masat e vendosura nga Qeveria të distancimit social dhe këshillat e mjekëve për t’u mbrojtur nga infektimi. Pëllumb Pipero, thotë në një prononcim për gazetën “Si” se me rëndësi është hetimi epidemiologjik, ose gjurmimi i rasteve.

Mjeku Pëllumb Pipero. Gazeta Si, prill 2020

“Por akoma më e rëndësishme është që qytetarët të respektojnë masat e distancimit social. Do të thotë se nëse qytetarët nuk qëndrojnë në shtëpi duke zbatuar vendimet e qeverisë dhe nuk respektojnë këshillat e mjekëve, situata mund të dalë nga kontrolli në çdo moment. Çdo dalje nga shtëpia, veçanërisht e personave të moshuar dhe të sëmurëve kronikë mund t’i kushtojë jo vetëm infektimin nga virusi, por edhe jetën!”, thotë mjeku Pipero.

Megjithatë, Pipero thekson se nuk ka vend për panik dhe se luhatja e shifrave është normale.

“Luhatja e numrit të rasteve në një vend si i yni, ku është aplikuar testimi dhe gjurmimi i rasteve të kontaktit është i pritshëm dhe joshqetësues. Mjafton rritja e numrit të rasteve të mos jetë eksponenciale”, mbyll reagimin e tij për gazetën “Si”, Pëllumb Pipero.

Më Shumë