Mendim

Konstitucionalistja Anastasi: Metën e rrëzon edhe Gjykata Administrative

Pas anulimit të datës së zgjedhjeve më 30 qershor, konstitucionalistja Aurela Anastasi thekson se vlefshmërinë ose jo të shfuqizimit të 30 qershorit si datë për zgjedhjet lokale e vendos vetëm Gjykata.
Në një intervistë për Deutsche Welle-n, Anastasi shprehet se Presidenti i Republikës ka kompetencë për caktimin e datës së zgjedhjeve dhe jo shfuqizimin e datës.
“Mund të them paraprakisht, që Kushtetuta, në nenin 92/gj ka parashikuar kompetencën e Presidentit të Republikës për të caktuar datën e zgjedhjeve për organet e pushtetit vendor. Kushtetuta nuk parashikon kompetencën e Presidentit për të shfuqizuar datën e zgjedhjeve. Mendoj se jo pa qëllim Kushtetuta i jep kësaj kompetence një karakter pozitiv ose konstruktiv”, shprehet Anastasi.
Më tej, Anastasi deklaron se shfuqizimi i 30 qershorit në një datë të pacaktuar con në një situatë të pabazuar në akte ligjore, pasi sipas saj jemi në kushtet kur përfundon mandati i organeve vendore.
“Afatet kohore për zgjedhjet vendore rregullohen bazuar në Kushtetutë, sipas rregullit që zgjedhjet zhvillohen në periudhën zgjedhore më të afërt, e cila i paraprin datës së përfundimit të mandatit. Në kushtet kur mandati i organeve vendore përfundon në datën 10 korrik, periudha zgjedhore e parashikuar në Kodin Zgjedhor, përfundon në datën 30 Qershor 2019. Një datë tjetër, do të na shpinte në një situatë që nuk është parashikuar as nga Kushtetuta, as nga Kodi Zgjedhor, pra në një situatë të pabazuar në akt ligjor”, deklaron konstitucionalistja.
Lidhur me vendosmërinë e kryeministrit Rama për të zhvilluar zgjedhjet më 30 qershor, ajo shprehet se ankimimi për dekretin e presidentit, në mungesë të Gjykatës Kushtetuese, mund të bëhet në Gjykatën Administrative.
“Në krye të herës, duhet thënë që Z. Rama në këtë rast, nuk legjitimohet të flasë si Kryeministër i vendit, por si kryetar i njërit prej subjekteve zgjedhore, Partisë Socialiste, ose koalicionit përkatës zgjedhor. Në këto kushte, ai nuk mund të marrë vetë vendime si Kryeministër ose Qeveri. Kjo është pavarësia zgjedhore që ka krijuar Kushtetuta. Por, ҫdo subjekt zgjedhor ka të drejtën e aksesit në institucionet e ankimimit. Në këtë rast, duke parë edhe jurisprudencën e mëparshme të Gjykatës Kushtetuese, që aktualisht nuk është funksionale, mendoj se dekreti i Presidentit të Republikës mund të ankimohet në Gjykatën Administrative, si gjykatë kompetente për të shqyrtuar pajtueshmërinë e aktit të Presidentit të Republikës me Kodin Zgjedhor”, shprehet Anastasi.
Ndërkohë, sa i përket Gjykatës Kushtetuese në vendin tonë ajo e cilëson si një mjet ankimi të mëtejshëm.
“Gjykata Kushtetuese mund të ishte një mjet ankimi më tej, për një proces të rregullt ligjor. E rëndësishme është që në Shqipëri ka një mjet ligjor ankimimi funksional, siç është Gjykata Administrative”, thekson ajo.
Lidhur me vlefshmërinë ose jo të shfuqizimit të 30 qershorit si datë për zgjedhjet lokale, Anastasi thotë se këtë gjë e vendos vetëm Gjykata.
Për hapat e mëtejshëm që duhet të hedhin palët politike, ajo thotë se operatorët politikë kanë detyrë t’i rikthehen rendit kushtetues dhe presidenti ka detyrë ta garantojë këtë rend, si një organ kushtetues i paanshëm.
“Natyrisht, mbështetur në aktet kushtetuese dhe ligjore, palët mund të kërkojnë edhe zgjidhje me karakter politik si dialogu, marrëveshjet politike, të cilat për hir të së vërtetës, në raste të ngjashme, të mëparshme, i kanë shërbyer kompromisit politik, duke cenuar respektimin e Kushtetutës dhe të ligjit. Mendoj se arritja e një Konvente Kushtetuese midis subjekteve zgjedhore do të ndihmonte në parandalimin e situatave të tilla në të ardhmen. Reforma Zgjedhore është gjithashtu, e nevojshme”, përfundon konstitucionalistja Anastasi.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë