Muzike

Kompozitori Vasil Tole sjell operën solemne për Gjergj Kastriotin: Bën bashkë tradicionalen dhe klasiken

Nga Gazeta Si - Arti dhe historia shqiptare do të shkrihen në një me operën solemne “Gjergj Kastrioti - Skënderbeu, Kryezot i Arbërit” që do të vijë premierë në Teatrin Kombëtar të Operës dhe Baletit më 9 maj.

Me kompozicion të Vasil Toles dhe shkruar mbi tekstin e Fan S. Nolit do të kremtohet mes notash pentagrami, historia e kombit shqiptar.

Kompozitori Vasil Tole shprehet për Gazetën “Si” se Opera “Skënderbeu, kryezot i Arbërit” ka në qendër Jetën dhe Përjetësinë, të cilat marrin shkas nga figura e heroit tonë kombëtar Gjergj Kastrioti-Skënderbeut, në 555-vjetorin e ndarjes nga jeta.

“Libreti i operës solemne dhe fryma e kompozimit të saj janë mbështetur mbi disa motive të veprës së njohur të Fan S. Nolit ‘Skënderbeu - kryezot i Shqipërisë’. Në thelb opera-solemne është bashkimi i gjinisë së Operës dramatike me Meshën Solemne, pra Opera Solemne. Opera është konceptuar në dy pjesë, dy akte, që i përgjigjen Jetës dhe Përjetësisë të Gjergj Kastriotit në botën shqiptare, gjegjësisht heroit dhe epokës së Arbërit në shekujt e humanizmit europian dhe të qëndresës antiosmane. Këtyre dy pjesëve, që plotësojnë njëra-tjetrën në ndryshim, u vjen për shtat si fjala (narracioni), ashtu dhe regjistri muzikor”, shprehet Tole për Gazetën “Si”.

Sipas tij, ndryshimi midis dy akteve, (Jetës dhe Përjetësisë) qëndron në raportin individ-epokë, jetë-përjetësi, hero-mit.

“Ka një simetri midis dy pjesëve sa u takon nënndarjeve të tyre: katër arie (jeta) të kënduara nga Skënderbeu në të parën kundrejt 5 koraleve në të dytën (përjetësia). Ndryshimi midis tyre qëndron në raportin individ-epokë, jetë-përjetësi, hero-mit. Në tërësi opera e kapërcen këtë dallim, që është formal dhe konceptual, në pajtim me urtësinë që bart thënia latine ‘et pluribus in unum’, një dhe shumë, shumë në një, ose, siç shprehej vetë Fan Noli në një vepër tjetër, veç e tok”, vijon më tej Tole.

Kompozitori Vasil Tole

Opera Solemne do të përcillet nga Orkestra Simfonike dhe Kori i TKOB-së, si dhe Kori i Filarmonisë së Kosovës, nën drejtimin e dirigjentëve si Sieva Borzak, Dritan Lumshi dhe Hajrullah Syla.

Ndërsa solistët virtuozë të kësaj vepre do të jenë baritoni Artur Vera, tenori Gerald Murrja, sopranoja Eva Golemi dhe mezzo-sopranoja Amelda Papa.

Tole shprehet se në pjesën e parë (në të katër ariet) portreti i Skënderbeut do të shfaqet si një figurë e shekujve të humanizmit europian, ndërsa në pjesën e dytë do të interpretohet Mesha Solemne me karakter evokues dhe përshpirtjeje.

“Në pjesën e parë, prej uverturës dhe katër arieve, katër skenash, do të vetëshfaqet heroi: prej frymëzimit hyjnor (Shën Gjergji i shfaqet në ëndërr Gjergjit tonë dhe i jep besimin për fitore); mallit për vendlindjen si një ndjenjë e përjetshme dhe e përgjithshme, që ka zënë vend gjinikues qysh në letërsinë antike greke (Odiseu dhe Itaka); vokacionit dhe motivimit për qëndresë (Embëtha!) dhe konceptit për lirinë (Lirinë nuk jua solla unë). Edhe kjo pjesë vetë nis me individin e mbyllet me bashkësinë, et pluribus in unum: prej ëndrrës së heroit deri tek lirinë e gjeta mes jush. Në pjesën e dytë përmes pesë pjesëve korale (INTROITUS), KYRIE, SANCTUS, GLORIA, AGNUS DEI), të cilat janë pesë skena të çdo meshe solemne, glorifikohet pasjeta e heroit, që në fakt është fuqia e tij si strumbullar i konvergjencës së popullit që i takon”, vijon më tej kompozitori, ndërsa shton se “shqiptarët i mbajti gjallë figura e Skënderbeut dhe gjuha e Arbërit”.

Sipas tij, në tërësi e gjithë opera do të ketë karakter heroik dhe solemn.

“Solisti (nga lat. solus, vetëm) në pjesën e parë është unum, heroi që identifikohet përmes logoseve të tij, të cilat mund të kuptohen edhe si akoluthi. Kori në pjesën e dytë është pluribus, bashkësia, mbijetesa shqiptare ndër shekuj, fryma e heroit në pavdekësi”.

Për kompozitorin Tole, kjo opera është e një rëndësie të veçantë, jo vetëm për figurën që përcjell, Gjergj Kastriotin Skënderbeu, por edhe sepse bën bashkë tradicionalen dhe klasiken.   

“Kjo opera bashkon edhe muzikalisht tradicionalen (që do të ketë më shumë vend në aktin e parë, ku do të shpërfaqen motivet mbarëshqiptare) dhe klasiken botërore (në aktin e dytë, ku polifonia e requiem-it ose meshës do të jetë sunduese)”, vijon më tej kompozitori.

Vënia në skenë e kësaj vepre operistike premierë sipas historianit Dorian Koçi është një ngjarje për kulturën shqiptare. Sipas tij, kjo vepër operistike madhore është një frut i një pune të palodhur të autorit të saj, akademikut Vasil Tole që po ringjall traditën e operës shqiptare.  

“Një opera e një kompozitori shqiptar, Vasil Sofokli Tole për heroin kombëtar Gjergj Kastriot Skënderbeun vihet në skenë në Teatrin e Operës dhe Baletit më datën 9 maj, Ditën e Evropës. Libreti i shkruar nga akademiku, kompozitori dhe kulturologu Vasil Sofokli Tole është mbështetur te ‘Historia e Skënderbeut’ të Fan Nolit. Skënderbeu ishte heroi më i dashur i fëmijërisë së Fan Nolit. Ai i kushtoi një monografi si dhe një poemë simfonike. Vënia në skenë e operës ‘Skënderbeu’ është një ngjarje e madhe për muzikën dhe kulturën shqiptare”, shprehet historiani dhe studiuesi Dorian Koçi në një reagim mbi këtë vepër, që do të vijë premierë në TKOB.

Ndër të tjera, kompozitori Vasil Tole zbulon se tekstet do të jenë si në gjuhën shqipe, ashtu edhe në gjuhën latine.

“Teksti i kënduar tek ariet do të jetë në gjuhën shqipe, i mbështetur në rrëfimet e Skënderbeut sipas Fan S. Nolit, kurse teksti i kënduar në ‘Meshën Solemne’ do të jetë në latinisht, i mbështetur në traditën e gjithëpranuar muzikore të meshave dhe rekuiemëve”, përfundon Tole për Gazetën “Si”.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë