Ushqim

E kemi ngrënë gabim ashuren në Ditën e Sulltan Nevruzit

Nga Gazeta Si - Në Shqipëri hahet gabimisht ashure për ditën e Sulltan Nevruzit, ndërkohë që ka një festë tjetër të caktuar bektashiane kur hahet kjo ëmbëlsirë, Dita e Ashures (në ditën e dhjetë të muajit Muharrem sipas Kalendarit Islam).

“Ne ngrihemi që në mëngjes herët për të bërë ashure sepse nuk ka kuptim të presim miq pa e pasur në tavolinë”, tha dje Marjeta, një amvisë rreth të 60-ave. Kur i thua se ashurja nuk është ëmbëlsirë për Nevruz, ajo të kundërshton, pasi gjithmonë - madje edhe në kohën e diktaturës fshehurazi - e kanë bërë ashuren në këtë ditë. Poashtu, kanë vepruar edhe në rrethin e saj shoqëror apo në farefisin e saj. Dhe Marjeta nuk është e vetmja që e pohon diçka të tillë. Por ashtu si një pjesë e madhe e shqiptarëve, edhe ajo mendon gabim.

Në fakt, situatën një ditë më parë e bëri akoma më shumë konfuze Erion Veliaj, duke përmendur ashuren në ditën e Sulltan Nevruzit. “Ne do të punojmë që edhe festa e Ashures të jetë një festë zyrtare”, tha kryebashkiaku i Tiranës.

“Të gatuash ashure në Ditën e Sulltan Nevruzit, është njësoj sikur të bësh bakllava”, thotë për Gazetasi.al Ferdinand Samarxhi, gazetar dhe ekspert i çështjeve fetare. Sipas tij, njerëzit ngatërrojnë dy festa historike, Sulltan Nevruzin dhe Ditën e Ashures.

Sulltan Nevruzi dhe Dita e Ashures janë përkujtim për dy ngjarje historike të ndryshme, me asnjë lidhje me njëra-tjetrën.

“Dita e Ashures është tragjedia e Qerbelasë. Ashurja nuk është një ëmbëlsirë por një përshpirtje për nder të 72 dëshmorëve që ranë në fushën e betejës së Qerbelasë me në krye prijësin e tyre Imam Huseni”, thotë Samarxhi.

Dita e Ashures, ose Tragjedia e Qerbelasë

Beteja e Qerbelasë u zhvillua më 10 tetor 680 në Qerbela, afër lumit Eufrat, ose zona që tani njihet si Irak.

Që nga martirizimi i Talibit, muslimanët në Kufe u zotuan për besnikëri ndaj Hasan Aliut si pasardhës.

Megjithatë, Hasani u dakordësua për t’ia dorëzuar pushtetin Muavijeh-s përmes një traktati paqeje.

Kushtet e traktatit Hasan-Muavijeh ishin që Hasani do të bëhej kalif pas Muavijes. Nëse diçka i ndodh Hasanit, atëherë udhëheqja do të merret nga vëllai i vogël i Hasanit, Hysenit.

Por Muavijeh e shkel marrëveshjen. Kur Hasani vdiq duke u helmuar, Muavijeh ia dorëzoi udhëheqjen djalit të tij, Jezid, dhe jo Hysenit.

Imam Hyseni u thirr si një lider që të shkonte në Kufa për të ndihmuar njerëzit pasi po shtypeshin dhe ndodheshin në diktaturë, duke shkelur marrëveshjen. Atij iu tha se populli po e priste për të udhëhequr një kryengritje.

Mirëpo ai u tradhtua dhe u zu në kurth me 72 personat që ishte. Ai ndodhej në mes të shkretëtirës dhe kishin me vete vetëm pak ushqime, aq sa kishte llogaritur se do i zgjaste udhëtimi.

Ai luftoi për 10 ditë në mes të shkretëtirës, duke mbijetuar vetëm me ushqimet që u mbetën si fasule apo grurë dhe gatuanin vetëm kur ndalonin nëpër shkretëtirë.

Në një nga këto ditë, Imam Hysenit iu bë një tjetër tradhëti, duke i helmuar lumin Eufrat. Ky lum ishte i vetmi shpëtim që kishte Imami me ushtarët e tij. Në ditën e 10 u bë beteja e Qerbelasë ku Imam Hyseni luftoi derisa mbeti i vetëm dhe u vra.

Prandaj bektashinjtë mbajnë 10 ditë zi për të përkujtuar vuajtjet e ushtarëve të Qerbelasë që luftuan kundër diktaturës së Muavijeh.

Ashurja asokohe gatuhej si një gatim që në përbërje kishte produkte “që kishin mbetur”, si një ushqim për të mbijetuar dhe jo si një ëmbëlsirë. Besimtarët bektashinj qëndrojnë 10 ditë pa pirë ujë dhe në ditën e 10 gatuajnë ashuren si ushqimi që mbajti gjallë Imam Hysenin me ushtarët e tij.

Sulltan Nevruzi, ose ditëlindja e Imam Aliut

“Ashurja nuk ka asnjë lidhje me Sulltan Nevruzin”, thotë Samarxhi. Sulltan Nevruzi, një festë bektashiane, që kujton ditëlindjen e Imam Aliut në Qabe, tempull në Mekë. Ai është personi i parë që ka lindur aty. Ai ka qenë krahu i djathtë i Profetit Muhamed dhe i pari i 12 imamëve.

“Edhe pse ashurja mund të gatuhet për dëshirën e kujtdo, është një ëmbëlsirë njësoj si çdo ëmbëlsirë tjetër, thjesht njerëzit ngatërrohen dhe janë të painformuar”, përfundon Samarxhi.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë