Drejtësia

Gjykata e Lartë ‘vulos’ burgimin e përjetshëm për Laert Haxhiun

Nga Gazeta ‘SI’- Gjykata e Lartë ka rrëzuar sot, 19 maj, rekursin e Laert Haxhiut, duke lënë në fuqi vendimin e Apelit të Posaçëm që e dënoi atë me burgim të përjetshëm për “Masakrën e Lushnjes”, ngjarje e ndodhur në shtator të vitit 2017.

Me këtë vendim, merr formë të prerë dënimi maksimal ndaj Haxhiut, të cilin do e vuajë në një burg të sigurisë së lartë.

Haxhiu së bashku me Anterio Kaloshin dhe Orges Bilbilin, të dënuar po me burgim të përjetshëm, akuzohen për “Masakrën e Lushnjes”, ngjarje ku mbetën të vrarë Zamir Latifi e Jurgen Hoxha si dhe u plagosën Marjus Xhepexhiu dhe Bujar Turku.

Sipas hetimeve të kryera nga Prokuroria e Posaçme, objektivi i autorëve ishte Xhuljo Shkurti, nipi i Aldo Bares, i cili ishte kthyer në Shqipëri një ditë para këtij krimi. Pak çaste para ngjarjes, ai u shkëput nga shokët dhe shkoi për t’u qethur, duke i shpëtuar kështu atentatit.

I gjithë krimi ndodhi për 32 sekonda.

Sipas konkluzioneve të Prokurorisë, autorët ishin tre, por vetëm dy prej tyre qëlluan me breshëri nga makina.

Shkak për ngjarjen e Lushnjes, u bë një konflikt i vjetër që familja Haxhiu kishte me familjen Bare. Banda e Aldo Bares i dogji banesën xhaxhait të Laert Haxhiut. Për këtë shkak, ky i fundit vendosi të hakmerret.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë