Nga Gazeta ‘Si’– Studimet tregojnë se konsumimi i përditshëm i një shumëllojshmërie frutash dhe perimesh ul rrezikun nga sëmundjet kronike.
Por panxhari duket se ka një efekt të veçantë në shëndetin kardiovaskular. Një numër në rritje kërkimesh sugjerojnë se ai mund të ulë presionin e gjakut, të përmirësojë qarkullimin dhe të mbrojë enët e gjakut.
Madje, disa studime kanë zbuluar se lëngu i panxharit mund të rrisë edhe performancën fizike duke përmirësuar rezistencën.
Kjo ndodh kryesisht sepse panxhari është i pasur natyrshëm me nitrate- përbërje që trupi ynë i shndërron në oksid nitrik, një substancë që relakson dhe zgjeron enët e gjakut. Përveç kësaj, panxhari përmban fibra, vitamina dhe komponime bimore që ndihmojnë në uljen e inflamacionit dhe përmirësimin e metabolizmit.
Nëse nuk e toleroni panxharin, ka edhe alternativa të tjera të pasura me nitrate, si rrepkat, ravena dhe perimet me gjethe jeshile si spinaqi, panxhari i egër, sallata jeshile, borziloku dhe rukola. Megjithatë, shumica e studimeve për këtë temë janë fokusuar pikërisht te panxhari.
Një arsye është se lëngu i panxharit është lehtësisht i disponueshëm dhe përdoret shpesh në studime shkencore.
Për më tepër, produktet me bazë panxhari- si kapsulat apo “shots”- janë bërë gjithnjë e më popullore, sidomos pasi në vitin 2018 Komiteti Olimpik Ndërkombëtar e njohu lëngun e panxharit si një ushqim sportiv me bazë të fortë shkencore.
Efektet e tij në zemër njihen prej dekadash. Fillimisht, shkencëtarët mendonin se përfitimet vinin nga antioksidantët, por kjo teori u dobësua kur suplementet antioksiduese nuk dhanë rezultatet e pritura.
Më pas vëmendja u përqendrua te nitratet, sidomos sepse perimet me gjethe jeshile- të pasura me nitrate- lidhen fort me uljen e rrezikut të sëmundjeve të zemrës.
Studimet kanë treguar se konsumimi i lëngut të panxharit mund të ulë ndjeshëm tensionin e gjakut brenda pak orësh.
Në disa raste, presioni sistolik është ulur me mbi 10 mm Hg, ndërsa ai diastolik me rreth 8 mm Hg. Po ashtu, është vënë re se ndihmon në parandalimin e mpiksjes së gjakut dhe mbron muret e enëve të gjakut.
Një analizë e vitit 2024 që përfshiu mbi 100 studime arriti në përfundimin se nitratet nga ushqimet si panxhari dhe perimet e tjera ulin tensionin, përmirësojnë elasticitetin e arterieve dhe mbështesin shëndetin vaskular.
Gjithashtu, disa kërkime tregojnë se lëngu i panxharit mund të përmirësojë performancën sportive, sidomos tek atletët e qëndrueshmërisë si vrapuesit dhe çiklistët, duke ulur nevojën për oksigjen dhe duke rritur kohën e ushtrimit pa lodhje.
Megjithatë, ka edhe disa paralajmërime.
Nitratet dhe nitritet që shtohen në mishrat e përpunuar si proshuta apo sallamet janë lidhur me një rrezik më të lartë për kancer. Ndryshe nga perimet, këto përbërje në mish mund të shndërrohen në substanca potencialisht kancerogjene.
Në perime, ky rrezik zvogëlohet falë pranisë së vitaminave dhe antioksidantëve natyralë, të cilët ndihmojnë që nitratet të shndërrohen në forma të dobishme për trupin.
Jo të gjithë reagojnë njësoj ndaj panxharit.
Një nga arsyet mund të jetë mungesa e baktereve në gojë që ndihmojnë në këtë proces- diçka që mund të ndikohet edhe nga përdorimi i shpëlarësve antibakterialë për gojën./ Washington Post
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje