Vende dhe Udhetime

Karavasta, në oazin shqiptar të pelikanit kaçurrel

Nga Edmond Prifti – Dikur Vlashi, personazhi i famshëm i “Pyllit të lirisë”, vraponte të kapte kalin e azdisur në pyjet e dendura të Divjakës. Sot atë e ka zëvendësuar më së miri i mirënjohuri “Ali Kali”, që jep spektakël mes tavolinave me zgarën e peshqve në dorë, së bashku me kalin e tij Mozën… Dikur ashtu si kuajt, – nëse sheh dokumentarët e dikurshëm të AQSHF-së, – në këtë Park Kombëtar të Divjakë-Karavastasë, rriteshin buajt e egër, madje edhe gjelat. Sot, atë që e bën të famshme këtë lagunë, janë pelikanët kaçurrel, Vlashi, (sipas filmit në fjalë) dhe Xhoni, tashmë një nga “banorët” 3-vjeçarë të Qendrës së Vizitorëve, në hyrje të Karavastasë. Të gjesh prehje këtu mes natyrës, e sigurt nuk të mjafton një ditë, e megjithatë në rubrikën tonë “Vende dhe udhëtime”, po përpiqemi të japim një panoramë të shkurtër, të asaj çka pamë dhe shijuam në këtë lagunë.

Kërcimi i flamingove mbi lagunë
Flamingot mbi qiellin e Karavastasë

Rrugëtimi

Për të shkuar në Parkun Kombëtar Divjakë-Karavasta, nuk duhet më shumë se 2 orë larg nga Tirana me makinë. Parku Kombëtar Divjakë-Karavasta gjendet 90 kilometra nga kryeqyteti, 60 kilometra nga qyteti-port i Durrësit dhe 80 kilometra nga Aeroporti Ndërkombëtar “Nënë Tereza”. Rruga ende në gjendje të mirë, përjashto atë dhjetëra kilometra nga rruga kombëtare në rrethrrotullimin e Cermës, në drejtim të Divjakës. Sipas Nicolae Iorga-s, akademikut rumun, i cituar nga historiani kroat, Milan Shuflaj, përmendet që në shekullin e XIII-XIV-të, si pjesë e familjes Matarango, e quhej “Caravastassi”, një toponim fjale i ardhur nga greqishtja që do të thotë “port për barka”. Sot, llojet e rralla të pishave që përfshihen në atë që njihet me emrin “Parku Kombëtar Pishat e Divjakës” (5 kilometra nga ky qytet), si dhe Pelikani dalmat, janë gjërat më interesante që mund të shihen në këtë park. Por gjithçka nuk përfundon këtu… për këtë hapësirë që zë një sipërfaqe prej 22.230 hektarësh, prej të cilave 1200 hektarë janë veçse pyje me pisha, – një nga vendet më të preferuara për pushuesit përgjatë Adriatikut, për turizëm, bird-watching (vëzhgimin e zogjve), piknik, aventurë me makinë rally në rërën e ngjeshur të Karavastasë apo studime mbi biodiversitetin ekologjik të zonës.

Laguna e Karavastasë

Kjo lagunë ndahet nga deti nëpërmjet një brezi të gjerë rëre, të mbuluar nga pylli i dendur, buzë të cilit ndodhet një plazh mjaft i madh. Lidhet me detin me tri kanale, njëri prej të cilëve artificial, i hapur për nevojat e peshkimit. Dikur, ato furnizoheshin me ujë të ëmbël nga Semani dhe Shkumbini, duke qenë më pak e kripshme sesa sot. Nëpër këto kanale, si pasojë e baticës dhe zbaticës, rrjedhja e ujit ndryshon drejtim çdo 6 orë. Në një bisedë që patëm me drejtorin e Agjencisë Kombëtare të Zonave të Mbrojtura të Qarkut Fier, Ardian Koçi, për “Vende dhe udhëtime”, na shpjegon se ardhja e flamengove në këtë lagunë pak vite më parë, duhet parë pakëz me rezervë, pasi sipas tij, “… është efekti i ngrohjes globale që ato po zhvendosen në drejtim të veriut”.

Peshkatarë në lagunë

Ai po ashtu na rrëfen edhe folenizimin e një specieje të rrezikuar detare si atë të breshkës detare “Caretta caretta”, ku në gusht të vitit 2018, Koçi dhe ekipi që ai drejton, i ndihmuar nga banorët e Divjakës, monitoruan për herë të parë në Shqipëri për 50 ditë, çeljen e të vegjëlve të breshkës dhe shoqërimin e tyre deri në det. Ndërsa i pyetur për numrin e turistëve, të cilët e vizitojnë këtë zonë, Koçi thotë se “qëllimi jonë është t’i mbajmë vizitorët e këtij parku, më shumë se një ditë”.

“Ali Kali”

“Është një odë atje mes pyllit/E freskët si dritë e yllit…”. Ky është fillimi i tekstit të një kënge, e cila i kushtohet atij që njihet nga të gjithë si “Ali Kali”. Shumë pak nga ata që kanë shkuar në Park, nuk e njohin personalisht Aliun dhe restorantin e tij të veçantë, që ndodhet në të djathtë të Parkut Kombëtar të Karavastasë, pas Qendrës së Vizitorëve. E veçanta e tij? Shërben pikërisht ashtu, i hipur mbi kalë! Ashtu si edhe kënga që flet për bujarinë e tij, e kënduar nga Vasillaq Gremi, “Ali Kali” është një njeri me të vërtetë fisnik. Kundrejt 1300 lekëve ai të sjell “deri sa të ngopesh”, peshk të freskët, kryesisht levrek e kocë, si dhe karkaleca deti. Madje, një tjetër e veçantë ndodhet tek ajo që mund të quhet oda e tij e gatimit. Ajo është e mbushur përplot me shkrime nga vizitorë të ndryshëm në shumë gjuhë, shqip, anglisht, arumanisht… por edhe nga një vizitor mjaft i veçantë, siç janë foletë në cepat e mureve të mbushura me dallëndyshe që futen nga dera kryesore e kësaj ode. Jashtë mund të shohësh një duzinë me kuaj, mes të cilëve edhe kalin që e shihni në fotot e videon e këtij artikulli “Mozën”, ku Aliu nuk përton të japë një shfaqje teksa e ngacmon fillimisht… “Ku e ke kalin? Pse me vrap sot?”

Në brendësi të odës së Ali Kalit

Po kush është ai njeri sportiv, i veshur me bluzën e Bayern Munchen me numrin 9, që bën njëherazi pronarin, zgaristin, kamerierin dhe kalorësin? (Një prej miqve të mi, dyshoi se ai gjatë darkës bënte madje edhe peshkatarin). Aliun, nëse është pa kalin e tij, e shikon duke vrapuar, – “fiksim” i ngelur ky që nga rinia e hershme, kur asokohe garonte si atlet për klubin e “Partizanit” në 3000 dhe 5000 metra. Ashtu, duke ecur midis atij shtegu të ngushtë që paraprin flamujt e Kosovës dhe Shqipërisë, Aliu mbahet edhe si patriot i madh, pasi siç tregon ai vetë, në 100-vjetorin e Pavarësisë, ai kryesonte një grup kalorësish që udhëtuan nga Kosova në Shqipëri. Kështu, nga profesioni i tij si vrapues, duke stërvitur e mbajtur kuaj, do të vinte më pas edhe nofka e tij, duke u njohur si “Ali Kali”, emër që mban edhe sot restoranti i tij në natyrë (Oda e brendshme përdoret veçse kur bie shi apo gjatë stinëve të ftohta). Aty mësojmë që klientët që vijnë rishtazi në lokalin e tij, Aliu 54-vjeçar, iu dhuron një tufë me lule, të mbajtura edhe ato majë kalit… drejt tavolinës.

Ali Murrizi apo i njohur ndryshe si Ali Kali

Ish-mësuesi dhe drejtuesi i shkollës Sulzotaj të Lushnjës, Ali Murrizi (atje ku edhe u lind dhe njohu bashkëshorten e tij Mimozën) drejton këtë biznes së bashku me tre djemtë e tij Alfonsin, Jurgenin dhe Brajanin. Kalërimin, duke e pasur si pasion dhe i nxitur nga Edip Ohri, Biba dhe Ruçi, themeluan Shoqatën e Hipizmit në vitin 1992, ku Aliu u shpall edhe kampion kombëtar, ndërsa sot, shumë pranë restorantit të tij po përshtat një pistë të re hipizmi. Në ato vite hapi edhe këtë restorant, dikur një lokal i vogël, ku të pasionuarit pas kuajve mblidheshin aty para dhe pas stërvitjeve, deri në vitin 1999, kur Aliu u shkëput përfundimisht nga arsimi, e i hapi rrugë biznesit të sotëm që njihet sot jo veçse në Shqipëri, por edhe më gjerë.

Plazhi i Divjakës, në muzën e natyrës

Qyteti i Divjakës është qendra më e populluar me 8.000 banorë ose pothuajse 75% e popullsisë së komunës (13.960 banorë). Bashkia Divjakë është përfshirë tërësisht në Parkun Kombëtar Divjakë-Karavasta dhe mbulon 44% të territorit të saj. Normalisht që veprimtaria e peshkimit nuk kishte si t’i mungonte Divjakës, e po ashtu fruta-perimet që kryesisht eksportohen jashtë. Ato kanë qenë dhe janë një traditë e hershme në qytetin e Divjakës.

Në plazhin e Divjakës, aty ku peshkatarët kapin gaforret e freskëta
Dy fëmijë kuriozë për gaforret e kapura

Ky vend është një prej plazheve të ruajtura më mirë në Shqipëri, ku deti është i cekët dhe i shkëlqyer për pushime familjare, me një shtrirje prej 15 kilometrash. Plazhi me rërë, vende-vende i kalon 250 metrat nga bregu, ndërsa dunat e rërës, me lartësi deri në 1 metër që i japin një pamje mahnitëse, ndodhen në pjesën veriore të këtij plazhi.

I gjithë pylli me pisha i Divjakës, ka një sipërfaqe prej 1100 hektarësh, ku veçse 700 prej tyre janë pjesë e Parkut Kombëtar që nga viti 1966. Zyrtarisht rreth 420 mijë vizitorë (vitit 2018) vijnë në këtë plazh çdo vit, ndërsa pjesa e ujërave të lagunës me thellësi deri në 1.5 metra, janë të pasura me peshq, veçanërisht qefull e ngjala, që ofrohet nga restorantet e plazhit të Divjakës. Në këtë plazh, mbi pasarelën prej dërrase sheh edhe sot shumë peshkatarë të gaforreve, të cilat janë të shijshme me një pjatë makaronash… Divjaka shquhet gjithashtu edhe për mbarështimin e buallicës (Bubalus bubalis), e cila gjendet vetëm në këtë zonë dhe është një specie e mbrojtur në Shqipëri.

Parku Kombëtar Divjakë-Karavasta

Parku Kombëtar Divjakë-Karavasta shtrihet në gjashtë njësi administrative të qeverisjes vendore, si Bashkia e Divjakës dhe komunat Rremas, Tërbuf, Gradishtë, Gosë dhe Libofshë.

Në hyrje të Parkut Divjakë-Karavasta

Parku kufizohet nga lumi Shkumbin në Veri, Kodrat e Divjakës në Lindje, Ujëmbledhësi i Myzeqesë dhe lumi Seman në jug… si dhe laget nga deti Adriatik në Perëndim. Parku Kombëtar Divjakë-Karavasta përbëhet nga katër lagunat (Karavasta, Godullat, Godullat e Pishës dhe Spiaxho) me një sipërfaqe prej afro 5.000 hektarësh, duke përfshirë dunat e rërës dhe deltën e lumit, që ndodhet në pjesën qendrore të Rajonit Perëndimor, ndërmjet lumit Shkumbin në veri dhe lumit Seman (Kanali i Myzeqesë) në jug, – veçse 40 kilometra në perëndim të qytetit të Lushnjës. Laguna e Karavastasë është 15.4 kilometra e gjatë dhe 4.1 kilometra e gjerë, ndërsa thellësia maksimale është 1.3 metra dhe ajo mesatare prej 0.7 metra. Pika më e lartë është Guri i Gomares, 192 metra mbi nivelin e detit. Laguna është streha për një numër të madh të shpendëve dimërues, veçanërisht e Pelikanit dalmat (Pelecanus crispus) me 68 familje (në nivelin e viteve ’85), kolonive të shapkës dhe karabullakut, e vetmja në Shqipëri, me rreth 400 fole. Zona e parkut rekomandohet gjithashtu edhe për vlerat tërheqëse të ekosistemit të tij, me 210 lloje shpendësh, 12 lloje gjitarësh dhe 16 lloje zvarranikësh. Flora e Parkut Kombëtar të Divjakës, shquhet posaçërisht për bukurinë dhe freskinë e veçantë të saj.

Ishulli i Pelikanit (Monument Natyror)

Ky ishull ndodhet në veriperëndim të Lagunës së Karavastasë dhe është vendi ku mbarështohet Pelikani Dalmat.

Pelikani kaçurrel, një nga speciet më të rralla në Divjakë

Ishulli i pelikanit dhe Pisha e Egër në oazin e Karavastasë, është gjithashtu e renditur si një Monument Natyror në Shqipëri. Ajo është një pemë pishe 410-vjeçare që ndodhet në jug-perëndim të pjesës veriore të pyllit. Prania e këtyre shpendëve është edhe një nga arsyet kryesore që laguna e Karavastasë është përcaktuar si Zonë Ramsar e Rëndësisë Ndërkombëtare. Nga kulla e vrojtimit e ndodhur jo shumë larg në distancë nga ky ishull, mund të vrojtohen më tepër se 200 lloje të tjera shpendësh të kësaj zone, përfshirë këtu edhe disa specie të tjera botërore të rrezikuara, siç janë karabullaku i vogël, rosa kokëbardhë, shqiponja me njolla dhe fajkoi i hirtë.

Ishulli i Kularit (Monument Natyror) 

Ky ishull ndodhet pranë deltës së lumit Shkumbin, e ngritur gjysmë metri mbi nivelin e detit. Ishulli është formuar si rezultat i prurjeve aluvionale të lumit, i mbuluar nga shkurret, plepi i egër, druri i kedrit, kullotat dimërore e lloje të ndryshme vegjetacioni të gjelbër. Aty mund të gjenden disa lloje shpendësh ujorë, veçanërisht, pelikani Dalmat.

Laguna e Godullës

Ajo është një lagunë e vogël që ndodhet shumë pranë Lagunës së Karavastasë. Ajo ka një sipërfaqe prej 8.5 kilometrash katrorë, me gjatësi prej 5 kilometrash e gjerësi 3.8 kilometrash. Thellësia maksimale e kësaj lagune është prej 3.8 metrash.

Godulla e Pishës (Monument Natyror)

Godulla e Pishës ndodhet në veriperëndim të pyllit të Divjakës, e përfaqëson një lagunë me gjatësi maksimale prej 1.8 kilometrash dhe gjerësi maksimale prej 400 metrash, e cila rrethohet nga pylli i pishës dhe dunat me hala pishe. Pelikanët Dalmatë folezojnë në këtë zonë.

Spiaxho është një lagunë e vogël në pjesën veriore të sistemit kënetor të kompleksit Divjakë-Karavasta. Këneta e Osmanit është një lagunë e vogël në veri të lagunës së Spiaxhos.

Turizmi në njësitë administrative të Parkut Divjakë-Karavasta

Komuna Rremas ndodhet në pjesën jugore të Parkut dhe mbulon 35% të Lagunës së Karavastasë, me 6459 banorë. Ka 7 kilometër plazh, por pothuajse i pashfrytëzuar për shkak të mungesës totale të infrastrukturës. Vetëm në fshatin Karavasta e Re, pjesë e komunës Rremas, ndodhen shtatë kisha, një prej tyre kisha bizantine e shekullit të XVIII-të, ajo e “Shën Thanasit”, si dhe Shën Mëria, dy kishat Shën e Premte, Shën Nikolla, Shën Mihali dhe Shën Dhimitri.

Komuna Gradishtë (fshati Babunjë) mbulon veçse 2% të territorit të Lagunës, ndërsa komuna ka një popullsi prej 10.600 banorësh. Ka vlera arkeologjike, veçanërisht ajo e kodrës Lemon, ku ndodhet qyteti i lashtë i Anisas, si dhe për vlerat panoramike të veçanta në hyrje të kodrës së kësaj komune, ku infrastruktura është në gjendje mjaft të mirë. 

Komuna Libofshë është pjesë e Qarkut të Fierit dhe mbulon 9% të territorit të Parkut Kombëtar Divjakë-Karavasta. Komuna përfshin 11 fshatra dhe ka 8-10 kilometra zonë bregdetare me rërë, por mungesa e infrastrukturës, e bën pothuajse të pamundur vënien në funksion për qëllime turistike. Ka disa institucione fetare në komunë si: Shën Kolli, Shën e Diella, Shën e Premte, Shën Kozmai, Shën Maria dhe Shën Gjergji. Komuniteti i këtyre komunave ka dy ditë tradicionale si ajo e Shën Marisë më 15 gusht dhe Shën Kozmai më 24 gusht.

Komuna e Gosës, pjesë e rrethit të Kavajës dhe Qarkut Tiranë përfshin 5 fshatra, ndërsa mbulon 9% të territorit të Parkut Kombëtar Divjakë-Karavasta. Përfshihen gjithashtu 5-6 km plazh që mund të përdoret për rekreacion. Kalaja e Bashtovës është e vetmja fushore në Shqipëri dhe është shumë atraktive për zhvillimin  e turizmit.

 

Më Shumë