Ngjarje

Inceneratori i Fierit – Një fshat sfidon makinerinë shtetërore

Përplasjen mes banorëve të fshatit Vërri të rrethit të Fierit me institucionet shtetërore për koncesionin e ndërtimit të inceneratorit të djegies së mbeturinave do ta zgjidhë Gjykata Administrative. Nëntë banorë të këtij fshati, të mbështetur nga ambientalistë dhe nga juristë të nismës së shoqërisë civile “Klinika e Ligjit”, akuzuan se leja e ndërtimit për inceneratorin në fjalë është dhënë në shkelje të shumëfishta të ligjeve të vendit.

Banorët akuzojnë se shkelja e parë vërehet që në vendin e zgjedhur për të ndërtuar. “Po ndërtohet në tokë bujqësore dhe janë disa ligje që e ndalojnë këtë. Po ndërtohet pa vendimet përkatëse dhe pa miratimin dhe këshillimin me publikun”, thotë avokatja e banorëve të fshatit Vërri, Donika Ndreka.

Ambientalisti Lavdosh Ferruni është radhitur në krah të banorëve. Ai foli para mediave në fund të seancës se projekti është i pazakontë për Shqipërinë dhe për më tepër po ndërtohet pa një studim mbi pasojat që do të japë në zonat përreth.

Projekti e ka vendosur prej muajsh me radhë fshatin Vërri në qendër të vëmendjes. Protesta e vazhdueshme e banorëve, shpesh edhe duke u përplasur me forcat e policisë ranë në vesh të shurdhër dhe projekti nisi zbatimin.

Paralelisht me protestën në kantierin e hapur për ndërtim, banorët dorëzuan edhe në gjykatë padinë. Të kontaktuar nga gazeta “Si”, banorët që kanë marrë pjesë vazhdimisht në protestë shpresojnë se gjykata do të marrë një vendim të drejtë. Për ta, vendimi i drejtë është anulimi i lejes së ndërtimit.

“Inceneratori nuk do të djegë vetëm mbeturinat, do të na djegë edhe në të gjithë si fshat. Nëse ajo vepër vihet në punë ne morëm fund. Ne jetojmë me bujqësinë, bujqësia do të shkatërrohet nga ndotja”, thonë ata.

Banorët thonë me ironi, se edhe njëherë që shteti u kujtua për ta në këtë fshat, në 30 vitet e fundit e bëri duke u dhënë peshqesh një fabrikë djegieje mbeturinash të qytetit të Fierit dhe të zonave përreth.

Ata janë të vetëdijshem se janë në një betejë të pabarabartë dhe përballë nuk kanë vetëm koncesionarin, por edhe të gjitha institucionet shtetërore të përfshira në këtë proces. Megjithatë, shprehen të vendosur që me çdo formë të mos lejojnë ndërtimin e inceneratorit.

Përballë banorëve të fshatit dhe ambientalistëve e aktivistëve të shoqërisë civile që janë rreshtuar në krah të tyre veç kompanive private të ndërtimit janë edhe Këshilli Kombëtar i Rregullimit të Territorit, Avokatura e Shtetit, Ministria e Mjedisit, ajo e Energjisë dhe Infrastrukturës dhe Agjencia e Mjedisit.

Për inceneratorin e Fierit qeveria ka dhënë 28 milionë euro, pjesë e shumes prej 178 mln eurosh te koncesionit të ndërtimit të tre inceneratorëve, së bashku me atë në Elbasan dhe Tiranë. Inceneratori i Elbasanit është ndërtuar, ndërkohë që së fundmi Këshilli Kombëtar i Rregullimit të Territorit miratoi lejen për ndërtimin e inceneratorit të Tiranës.

Partia Demokratike akuzon për një aferë korruptive, duke drejtuar gishtin nga Kryeministri Edi Rama dhe ish-ministri i Financave, Arben Ahmetaj.

“Kontrata për Fierin nuk ka të specifikuar vendin se ku do të ndërtohet, duke hyrë në histori si kontrata më antiligjore e firmosur ndonjëherë, sepse asnjë kontratë nuk mund të firmoset pa patur të përcaktuar truallin ku do të kryhet ndërtimi. Kontrata e inceneratorit të Fierit, me pronarë të vërtetë Edi Ramën dhe Arben Ahmetajn, është ndër kontratat më korruptive, sepse ajo nuk ka të specifikuar as teknologjinë, as firmën e inceneratorit, asgjë! Kontrata nuk e ka përcaktuar teknologjinë, sepse ajo është pjesa më e kushtueshme e një fabrike për djegien e plehrave. Sa më pak të kushtojë teknologjia, si këto që janë ndërtuar dhe po ndërtohen në Elbasan, Fier dhe Tiranë, aq më shumë helme do të nxjerrin në ajër nga djegia e plehrave! Zbulimi i kontratave sekrete për inceneratorët e Fierit dhe Tiranës nxjerr zbuluar edhe mashtrimin skandaloz të pronarit të 3 inceneratorëve, Ministrit të Financave, Arben Ahmetaj”, akuzonte PD.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë