Mendim

Ilir Metës i rri ngushtë kostumi presidencial

Kostumi presidencial është një kostum që i ka ndenjur ngushtë Presidentit Ilir Meta, të paktën që prej pranverës së vitit të kaluar, kur opozita zyrtare ishte larguar nga Parlamenti dhe protestonte në shesh dhe vetë kreu i shtetit dekretoi anulimin e zgjedhjeve të 30 qershorit, në një akt të pashembullt në historinë e pluralizmit shqiptar.

Ai e “shqeu” këtë kostum në fillim të korrikut të vitit të kaluar kur statusi i Presidentit nuk e pengoi që të fajësonte ndërkombëtarët, përfshirë edhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës për përpjekjen për vendosjen të një shteti paralel (deep state) në Shqipëri.

Arnat e vendosura me vështirësi përgjatë gushtit dhe në javët e para të vjeshtës mezi e mbajtën Metën brenda kontureve të kostumit presidencial në përplasjen me mazhorancën dhe me Ardian Dvoranin e Këshillit të Emërimeve në Drejtësi.

Shkak i përplasjes ishin emërimet në Gjykatën Kushtetuese. Meta akuzonte se po i rrëmbeheshin kompetencat, se KED dhe Kuvendi kishin shkelur Kushtetutën dhe se kishte zbuluar një mekanizëm mafioz për kapjen e Gjykatës Kushtetuese nga ana e mazhorancës. Pjesë të këtij mekanizmi përfshirë edhe përfaqësi ndërkombëtare në Tiranë dhe diplomatë të huaj në vendin tonë.

Por, dalja jashtë godinës së Presidentit dhe nënshkrimi në bulevard i dekretit që rrëzonte ligjin për betimet në distancë, ligj që i heq ekskluzivitetin e betimeve Presidentit për anëtarët e Gjykatës së Lartë dhe Gjykatës Kushtetuese ishte kulmimi i një rrugë që Ilir Meta e ka nisur prej kohësh.

Bashkë me daljen nga oborri presidencial Meta doli edhe nga kostumi i kreut të shtetit. Përpjekja për ta portretizuar protestën si apolitike dhe manifestim qytetar kundër shkeljes së Kushtetutës u tradhtua nga vetë gjuha e zgjedhur prej tij në fjalimin prej thuajse 40 minutash që mbajti para të pranishmëve.

Fjalimi ishte më shumë një fjalim prej lideri opozite dhe pak të përbashkëta kishte me fjalën e një Presidenti Republike, që në Kushtetutë është palë mbi palët. Meta foli për “sekt mafioz” që drejton shtetin, duke iu referuar Rilindjes dhe për një organizatë mafioze ndërkombëtare që prej vitesh po shkel sovranitetin e Shqipërisë.

Ai foli me termat që deri para pak muajsh i ka përdorur Lulzim Basha dhe Monika Kryemadhi, kur iu referua oligarkëve, si një grusht njerëzisht që promovojnë ligje antikushtetuese në Kuvend dhe që si shushunja po i pijnë gjakun këtij populli.

Meta foli sërish si lider opozite kur u zotua para të pranishmëve në shesh se nuk do të lejonte grushtin e shtetit të mazhorancës me asnjë mjet dhe paralajmëroi mazhorancën se do të firmoste personalisht në sallën e Parlamentit dekretin e shpërndarjes së këtij institucioni nëse nuk merrej seriozisht dekreti i rrëzimit të ligjit për betimet.

Kur thotë “merret seriozisht” Meta nënkupton tërheqjen e mazhorancës nga kjo nismë. Deri në këtë pjesë qëndrimi mund të interpretohet krejtësisht si normal, por kur kërcënimi për të drejtuar popullin brenda në sallën e Parlamentit dhe më pas për të firmosur shpërndarjen e tij nuk është aspak presidencial, edhe për vetë standardet e vendosura nga klasa politike shqiptare ndër vite.

Kërcënime të ngjashme ndaj Parlamentit dhe Kryeministrisë, madje edhe përpjekje për “t’i pushtuar këto institucione” kemi parë pranverën e kaluar në protestat e udhëhequra nga opozita. Pikërisht me arsyetimin se kishte marrë informacione se protestues të opozitës do të hynin në Parlament më 8 qershor 2019, Meta dekretoi anulimin e zgjedhjeve të 30 qershorit. Më pas e mbrojti këtë vendim edhe duke nënkuptuar se kishte mbrojtur institucionet dhe përplasjen civile.

Sot, pa u mbushur ende një vit nga ky moment, vetë Meta kërcënon institucionin që me një dekret tha se e kishte shpëtuar; Parlamentin. Akoma më ironik është fakti që të gjitha këto ndodhën në sytë e Lulzim Bashës, Sali Berishës dhe drejtuesve të tjerë opozitarë, që në këtë protestë thanë se dolën me statusin e qytetarit. A po shkon Ilir Meta drejt krijimit të një partie politike me projektin e drejtimit të opozitës?


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë