Histori

I riu, ‘fshatari’ dhe presidenti-padron: kush e ka pushtetin në dorë në Amerikën Latine

Ishte një vit vendimtar për Amerikën Latine. Një vit zgjedhjesh presidenciale - dhe të tjera që do të pasojnë në 2022 - të cilat në disa vende, si Kili, Peruja dhe Hondurasi, kanë sjellë ndryshime rrënjësore dhe një kthesë nga e majta. Por le të shohim se cilët janë liderët e rinj dhe të vjetër të nënkontinentit amerikan.

Gabriel Boriç, e ardhmja e Kilit

Presidenti i sapo zgjedhur i Kilit, Gabriel Boriç

Më i riu, sipas rendit kronologjik, por edhe sipas moshës, është presidenti i sapozgjedhur i Kilit, Gabriel Boriç: 35 vjeç, brez i mijëvjeçarit të ri, ish-lider studentor, ai deklarohet trashëgimtar i lëvizjes 2019, që ka sjellë qindra mijëra të rinj rrugëve për protestë kundër "modelit ultraliberal" të presidentit në largim Sebastian Piñera. Në fjalimin e tij të fitores, natën e së dielës së 19 dhjetorit, ai premtoi drejtësi sociale dhe e mbylli duke cituar fjalimin e famshëm të fitores të Salvador Allendes në vitin 1970.

Pedro Castillo, mjeshtri nga fshati në Perù

Pedro Castillo, presidenti i Perusë

Udhëheqësi i sindikatave dhe mësuesi rural, Pedro Castillo, 52 vjeç, fitoi votimin presidencial kundër liderit të ekstremit të djathtë, Keiko Fujimori, vajza e ish-presidentit, në ënyrë të papritur dhe me një diferencë të ngushtë avantazhi (rreth 70,000) këtë vit ndaj diktatorit Albert. Majtisti radikal, mori detyrën më 28 korrik 2021, ditën e pavarësisë kombëtare të Perusë nga Spanja dhe presidenca e tij u shënua menjëherë nga kritika të ashpra për disa emërime të diskutueshme në krye të qeverisë.

Megjithatë, Castillo ka treguar elasticitet të madh dhe një kapacitet të drejtë për kompromis. Ai mposhti shtytjet më radikale të partisë që e solli në pushtet, marksiste-leniniste, Perú Libre, duke zëvendësuar shpejt kryeministrin dhe ministrat që rrezikuan vetë mbijetesën e tij. Në fund, ai kaloi i padëmtuar mocionin e shkarkimit për "paaftësinë morale të përhershme" të paraqitur nga opozita dhe të refuzuar nga Kongresi të martën.

Luis Arce, ministri i “mrekullisë boliviane” që u bë president

Lusi Arce, presidenti i Bolivisë

Në zgjedhjet presidenciale të nëntorit 2020, edhe Bolivia u kthye sërish majtas. Luis Alberto "Lucho" Arce Catacora, 58, ish-ministër i Ekonomisë në kohën e qeverisë së Evo Morales, u zgjodh në raundin e parë me 55.11% të votave.

Gjatë mandatit të tij 13-vjeçar si Ministër i Ekonomisë, i ndërprerë për disa vjet për shkak të sëmundjes së kancerit, Luis Arce trefishoi Produktin e Brendshëm Bruto të Bolivisë, rriti pagat reale, rriti rezervat ekonomike, uli inflacionin dhe varfërinë ekstreme pothuajse të përgjysmuar, e cila ra nga 39 %, deri në 17%. Sidoqoftë, skenari aktual është shumë i ndryshëm: pandemia e Covid-it ka goditur rëndë vendin e Amerikës Latine me mbylljen e disa kompanive dhe një kolaps të PBB-së.

Daniel Ortega, presidenti-padron i Nikaraguas

Daniel Ortega, presidenti i Nikaraguas

Nikaragua mbetet nga e majta, por me një president-bos, që ka treguar se e përçmon procesin demokratik, duke i arrestuar ose detyruar të largohen në mërgim pothuajse të gjithë kundërshtarët kryesorë politikë. Daniel Ortega, 76 vjeç, ish-udhëheqësi i Revolucionit Sandinist, i cili u kthye në president autoritar dhe despotik, u rizgjodh për një mandat të katërt me 75 përqind të votave, në atë që presidenti amerikan, Joe Biden, e quajti "një farsë". Rezultati nuk u njoh nga shumë vende.

Nikaragua, me 6.5 milionë banorë, është vendi më i varfër në Amerikën Latine, pas Haitit. Ortega sfidoi në votim pesë kandidatë gjysmë të panjohur dhe besohet se ishin bashkëpunëtorët e tij. Shtatë kandidatë të opozitës përfunduan në burg, me akuzën e “tradhtisë” apo “pastrimit të parave”, në bazë të një ligji të miratuar ‘ad hoc’ për të penguar pjesëmarrjen e tyre në votim.

Mes tyre ishte edhe kandidatja e preferuar, Cristiana Chamorro, vajza e ish-presidentit Vileta Barrios de Chamorro. Sipas një sondazhi të ‘Cid Gallup’, nëse do të kishin qenë në gjendje të zgjidhnin lirisht, 65% e 4.4 milionë votuesve të regjistruar do të kishin votuar për një kandidat të opozitës kundrejt 19% për Daniel Ortegan.

Guillermo Lasso, Ekuadori kthen në të djathtë

Guillermo Lasso, presidenti i Ekuadorit

Kthesë nga e djathta, për Ekuadorin. Në zgjedhjet e prillit 2021, 66-vjeçari Guillermo Alberto Santiago Lasso Mendoza, një sipërmarrës, bankier dhe ish-ministër i Ekonomisë, u zgjodh presidenti i parë i qendrës së djathtë të vendit në gati dy dekada.

Lasso i përket një familjeje të pasur që kontrollon “Banco Guayaquil”, të cilën ai e drejtoi për gati njëzet vjet. Në vitin 2012, ai hyri në politikë duke themeluar partinë e qendrës së djathtë Creo (Krijo Mundësi). "Muaji i mjaltit" i tij presidencial, përfundoi në tetor, kur skandali i “Pandora Papers” lidhi emrin e tij me katërmbëdhjetë kompani ‘offshore’.

Kolumbia, superfavoriti një ish-guerrils

Kandidati favorit për president në Kolumbi, Gustavo Petro

Pritshmëri të mëdha për zgjedhjet presidenciale të 29 majit 2022 në Kolumbi. Sipas të gjitha sondazheve, në krye është kandidati i së majtës Gustavo Petro, në krye të të ashtuquajturit Pakti Historik.

Koalicioni Centro Esperanza, i beson ish-ministrit të Shëndetësisë, Alejandro Gaviria, ndërsa e djathta e Qendrës Demokratike, vë bast për Óscar Iván Zuluaga, por gjithashtu paguan për mospopullaritetin në rritje të presidentit aktual, Iván Duque. Me më shumë se një duzinë kandidatësh presidencialë, vetëm mes këtyre tre aleancave kryesore, zgjedhjet për Kongresin e 13 marsit, të cilat paraprijnë ato të përgjithshme, do të jenë gjithashtu një lloj paraprakeje për të matur forcën e palëve.

Gustavo Petro, 61 vjeç, është lider i partisë Kolumbia Humana dhe promotor i Paktit Historik, një koalicion sektorësh alternativë i krijuar pikërisht në funksion të zgjedhjeve presidenciale.

Prej kohësh është favorit në sondazhe, me mbi 20% të votave. Ish-guerrilsi dhe ish-kryebashkiaku i Bogotës, i cili humbi në raundin e dytë nga Duque katër vjet më parë, premtoi një rritje të pagës minimale dhe një ndalim të shfrytëzimit të naftës dhe mineraleve: "Ne duam një komb produktiv, jo të bazuar vetëm në burimet e papërpunuara".

E kaluara e tij është shumë e rëndë. Ai i përkiste grupit gueril “M-19 M-19”, i cili në vitet 1970 dhe 1980 kreu disa nga veprimet më spektakolare në historinë tashmë të trazuar të Kolumbisë - si vjedhja e saberit të Simon Bolivarit dhe sekuestrimi i të gjithë Gjykatës Kushtetuese, e cila përfundoi në mënyrë tragjike.

Më shumë se 100 njerëz vdiqën në sulmin përfundimtar ndaj Pallatit asokohe. Të vdekurit ishin kryesisht pengje, ushtarë dhe guerrilas, duke përfshirë udhëheqësin e tyre, Andrés Almarales dhe katër komandantë të tjerë të lartë të grupit M-19.

Bolsonaro-Lula, Brazili drejt betejës finale

Jair Bolsonaro, presidenti i Brazilit

Brazili po shkon drejt duelit final mes presidentit aktual, Jair Bolsonaro, ekstremi i djathtë dhe ish-presidentit Luiz Inacio "Lula" da Silva, liderit historik të Partisë së Punëtorëve, i cili ende nuk i ka harxhuar rezervat e fundit për kandidaturën e tij. Zgjedhjet e tetorit 2022, do të jenë më të polarizuarat që ka përjetuar ndonjëherë vendi i madh i Amerikës Latine, i goditur nga pandemia Covid-19.

Popullariteti i Bolsonaros, i ndjekur nga skandalet dhe hetimet gjyqësore, është në nivelin më të ulët të të gjitha kohërave, ndërsa njerëzit janë kthyer për të kërkuar kthimin e Lulës, dënimet për korrupsion të të cilit u përmbysën marsin e kaluar.

Gjyqtari Fachin i Gjykatës së Lartë, rrëzoi dënimet e Lulës në lidhje me hetimet e operacionit anti-korrupsion, Lava Jato, për paaftësi territoriale dhe materiale të gjyqtarit federal të Paranës, Sergio Moro (i cili më vonë u bë Ministër i Drejtësisë për një kohë të shkurtër nga Bolsonaro).

Gjyqi duhet të rifillojë dhe hetimet paraprake të rifillojnë në Brazilia (kryeqyteti i vendit). Megjithatë, parashkrimi duhet të ndodhë përpara një dënimi.

Xiomara Castro, presidentja më e votuar në historinë e Hondurasit

Xiomara Castro, presidentja e Hondurasit

Ish-Zonja e Parë, Xiomara Castro, e Partisë Libertà e Rifondazione (Libre), fitoi zgjedhjet e 28 nëntorit në Honduras, duke mposhtur kundërshtarin konservator dhe duke u bërë presidentja e parë femër e vendit të vogël të Amerikës Qendrore dhe gjithashtu më e votuara në historinë e tij.

Castro, gruaja e ish-presidentit të Hondurasit, Manuel Zelaya, rikthen të majtën në pushtet për herë të parë, që kur Zelaya u përmbys në një grusht shteti në vitin 2009.

Ajo tregoi se ishte shumë e aftë për të mbledhur opozitën rreth emrit të saj dhe kundër qeverisë së presidentit në largim, Juan Orlando Hernandez, i cili është nën hetim në Shtetet e Bashkuara të Amerikës për akuzat e trafikut të drogës.

Përshtati në shqip: Gazeta “Si”


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë