Nga Gazeta ‘Si’ – Greqia është përpjekur prej kohësh të marrë ‘frenat’ e integrimit të Ballkanit Perëndimor në BE, por kjo strategji e Athinës zyrtare nuk është e njëjtë me atë të unionit.
Pasi Brukseli vendosi parimin e meritokracisë, Greqia është ndër vendet anëtare që kërkonte që vendet e Ballkanit të anëtarësoheshin me faza ose grupe, duke kundërshtuar ndarjen e Shqipërisë nga Maqedonia e Veriut. Sipas qeverisë greke, fati europian i dy vendeve duhet të jetë i ndërthurur.
Madje, kur në Bruksel po diskutohej për herë të parë seriozisht mundësia që Shqipëria të ndahej nga Maqedonia e Veriut në rrugën e negociatave me Bashkimin Europian, Athina zyrtare ishte ndër vendet që e kundërshtonte hapur këtë skenar.
Greqia kërkonte që Tirana dhe Shkupi të ecnin bashkë. Jo sepse Shqipëria nuk i kishte plotësuar kushtet për të avancuar, por sepse ndarja e dy vendeve, sipas Athinës, mund të dërgonte një sinjal të gabuar në rajon dhe të dëmtonte stabilitetin politik të Ballkanit Perëndimor.
Në një përgjigje ekskluzive për Gazetasi.al Ambasada Greke në Tiranë deklaronte atëherë se integrimi i rajonit duhej të mbetej në krye të agjendës europiane.
“Ne kemi nevojë të mbajmë vrullin. Për këtë qëllim, Greqia mbështet plotësisht përpjekjet për të gjetur një zgjidhje të qëndrueshme që të adresojë shqetësimet e ngritura nga Bullgaria”, thuhej në përgjigjen e ambasadës.
Mesazhi ishte i qartë: Athina donte zgjidhje për Shkupin, jo shkëputje të Tiranës.
“Për të shmangur dërgimin e mesazheve të gabuara në rajonin e Ballkanit Perëndimor, Greqia mbështet plotësisht hapjen e negociatave të pranimit si për Shqipërinë ashtu edhe për Maqedoninë e Veriut, duke mbajtur Konferencat e para Ndërqeveritare në të njëjtën kohë”, deklaronte Ambasada Greke për Gazetën “Si”.
Por ndarja që Greqia nuk e donte, ndodhi. Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut nuk ecin më në të njëjtën shinë negociuese. Tirana ka hapur të gjitha grupkapitujt e negociatave dhe mori konfirmimin nga BE-ja se ka përmbushur në përgjithësi kriteret e ndërmjetme. Kjo i hap rrugën fazës së ardhshme: mbylljes graduale të kapitujve.
Maqedonia e Veriut, ndërkohë, mbetet e bllokuar.
Shkupi e përfundoi procesin e shqyrtimit analitik të legjislacionit europian, por nuk ka kaluar ende në hapjen reale të grupkapitullit të parë. Arsyeja është e njëjtë që e ka mbajtur peng prej vitesh: kërkesa për ndryshime kushtetuese që do të përfshinin bullgarët në Kushtetutë, si pjesë e kompromisit të vitit 2022 me Bullgarinë.
Kjo e fundit vazhdon të mbajë peng Shkupin, por jo më Tiranën.
Në vitin 2021, propozimi për ndarje vinte nga komisioneri i atëhershëm për Zgjerimin, Oliver Varhelyi. Ai kishte ngritur mundësinë që Shqipëria të vazhdonte përpara nëse Maqedonia e Veriut nuk arrinte të dilte nga vetoja bullgare. Në atë moment, ideja u prit me rezerva nga disa kryeqytete europiane dhe me kundërshtim të hapur nga Athina.
Ministri i Jashtëm grek i asaj kohe, Nikos Dendias, deklaronte se Greqia ishte “e vendosur fort për të ardhmen evropiane të rajonit” dhe kërkonte mbajtjen e konferencave ndërqeveritare si me Maqedoninë e Veriut, ashtu edhe me Shqipërinë.
Zëvendësministri i Jashtëm grek, Miltiadis Varvitsiotis, shkonte edhe më tej. Ai e quante ndarjen e dy vendeve “qasje katastrofale për stabilitetin rajonal”.
“Nuk jemi të gatshëm të pranojmë asnjë ndarje mes Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë, këtë e shohim si qasje katastrofale për stabilitetin rajonal”, deklaronte ai.
Në atë kohë, ky qëndrim dukej i fortë. Sot, duket si një betejë diplomatike e humbur.
Ndarja nuk u shpall si dënim për Maqedoninë e Veriut. U paraqit si zbatim i parimit të meritës. Shqipëria kishte plotësuar kushtet për të ecur përpara; Maqedonia e Veriut jo.
Por në politikën e Ballkanit, formulimet teknike rrallë e fshehin domethënien reale. Shqipëria doli nga pritja e përbashkët. Maqedonia e Veriut mbeti në dhomën e pritjes.
Kjo krijoi një paradoks të fortë për Athinën.
Në vitin 2021, Greqia donte që Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut të ecnin bashkë, sepse i shihte të dyja si pjesë të stabilitetit rajonal dhe të arkitekturës së saj veriore të sigurisë. Sot, Greqia e sheh Shqipërinë duke ecur shumë më shpejt drejt BE-së, ndërsa Maqedonia e Veriut, vendi për të cilin Athina dikur hoqi veton përmes Marrëveshjes së Prespës, është sërish e bllokuar.
Vetëm se këtë herë, pengesa kryesore nuk është Athina. Është Sofja.
Megjithatë, Greqia nuk ka dalë plotësisht nga loja. Përkundrazi, ajo është rikthyer si faktor kushtëzues në dy drejtime të ndryshme.
Me Shqipërinë, Athina e lidh mbështetjen për integrimin europian me respektimin e të drejtave të minoritetit grek, pronat dhe çështjet e lidhura me Himarën. Pas përplasjes politike për Fredi Belerin, kryeministri grek Kyriakos Mitsotakis e bëri të qartë se Greqia do ta mbështesë rrugën europiane të Shqipërisë, por me kushte.
Me Maqedoninë e Veriut, Athina ka rihapur vigjilencën mbi Marrëveshjen e Prespës. Pas zgjedhjes së Gordana Siljanovska-Davkova si presidente dhe përdorimit prej saj të emrit “Maqedoni” në vend të emrit kushtetues “Maqedonia e Veriut”, Greqia paralajmëroi se çdo hap i Shkupit drejt BE-së varet nga respektimi i marrëveshjeve ndërkombëtare.
Kështu, Greqia gjendet përballë një realiteti më të ndërlikuar: Shqipëria ecën përpara, por me kushtëzimin grek në sfond; Maqedonia e Veriut mbetet pas, por tani jo vetëm për shkak të Bullgarisë, por edhe nën hijen e rikthimit të debatit për Prespën.
Kjo e bën vendimin e BE-së për ndarjen e dy vendeve shumë më të rëndësishëm sesa dukej në fillim.
Nëse Shqipëria arrin të ruajë ritmin dhe të nisë mbylljen e kapitujve, ajo mund të hyjë në grupin e parë të vendeve të Ballkanit Perëndimor që afrohen realisht me anëtarësimin. Nëse Maqedonia e Veriut nuk gjen kompromis për ndryshimet kushtetuese, rrezikon të mbetet për një periudhë të gjatë në të njëjtin vend ku ishte edhe në vitin 2021: me negociata të hapura formalisht, por pa proces real përpara.
Kjo nuk është vetëm çështje teknike. Është një ndryshim i ekuilibrave rajonalë.
Për vite me radhë, Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut u trajtuan si paketë. Kur Franca bllokoi hapjen e negociatave në 2019, u bllokuan të dyja. Kur Këshilli Europian vendosi në vitin 2020 të hapte negociatat, vendimi ishte për të dyja. Kur u mbajt konferenca e parë ndërqeveritare në korrik 2022, Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut hynë në të njëjtën sallë.
Por ajo la pas një pyetje të vështirë për BE-në dhe për rajonin: çfarë ndodh me vendet që mbeten peng i mosmarrëveshjeve bilaterale?
Për Maqedoninë e Veriut, kjo pyetje është dramatike. Vendi ndryshoi emrin për t’i hapur rrugë NATO-s dhe BE-së, zgjidhi konfliktin historik me Greqinë përmes Marrëveshjes së Prespës, por u përball më pas me një veto të re nga Bullgaria. Për qytetarët e Shkupit, kjo ka krijuar ndjesinë se çdo kompromis pasohet nga një kusht i ri.
Për Shqipërinë, pyetja është tjetër: a mund të përfitojë nga momenti pa u penguar nga kushtëzime të reja?
Sepse edhe pse Tirana është shkëputur nga bllokada bullgare ndaj Shkupit, ajo nuk është shkëputur nga logjika e kushteve. BE-ja kërkon rezultate të qëndrueshme në drejtësi, luftën kundër korrupsionit, administratën publike, institucionet demokratike dhe të drejtat themelore. Greqia, nga ana tjetër, e sheh procesin europian edhe si instrument për çështjet e minoritetit grek dhe pronave.
Kjo do të thotë se Shqipëria nuk është më peng i Maqedonisë së Veriut, por nuk është as e lirë nga presioni politik i vendeve anëtare. /Gjuljana Toçi
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje