Kosova

PDK dërgon në Kushtetuese konstituimin e Kuvendit, paralajmëron edhe kërkesë për Qeverinë

Partia Demokratike e Kosovës i është drejtuar Gjykatës Kushtetuese me kërkesë për vlerësimin e kushtetutshmërisë së procedurës së konstituimit të Kuvendit të Kosovës, ndërsa ka paralajmëruar se të martën do të dorëzojë edhe një kërkesë për vlerësimin e kushtetutshmërisë së zgjedhjes së Qeverisë.

Shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Arian Tahiri, deklaroi se kërkesa e dorëzuar në Kushtetuese lidhet me procedurën e konstituimit të Kuvendit, zgjedhjen e kryetarit dhe mënyrën e zgjedhjes së nënkryetarëve.

PDK-ja kërkon që Gjykata Kushtetuese të vendosë sa më shpejt një masë të përkohshme, me arsyetimin se mund të shkaktohen pasoja juridike dhe institucionale.

“Është imediate që fillimisht të vendoset masa në mënyrë që të mos prodhohen dëme e situata më të rënda në kuptimin juridik e institucional”, tha Tahiri, duke shtuar se sipas PDK-së, vendimet e Qeverisë së zgjedhur mund të jenë të kontestueshme nëse Kuvendi nuk është konstituuar në mënyrë të ligjshme.

Ndërkohë, deputeti i PDK-së, Përparim Gruda, ka bërë të ditur se të martën do të dorëzohet edhe kërkesa tjetër në Gjykatën Kushtetuese, kësaj radhe për të vlerësuar kushtetutshmërinë e zgjedhjes së Qeverisë Kurti 4.

Qeveria e re e Kosovës u votua të dielën në një seancë të jashtëzakonshme të Kuvendit. Në votim morën pjesë 120 deputetë, ndërsa tetë vota kundër erdhën nga deputetët e Listës Serbe. Deputetët e PDK-së, LDK-së dhe Aleancës nuk morën pjesë në seancë.

Votimit të Qeverisë i parapriu vazhdimi i seancës konstituive të Kuvendit, të zhvilluar gjatë orëve të paradites. PDK-ja, ndërkaq, ka bërë të qartë se do të vazhdojë t’i drejtohet Gjykatës Kushtetuese për çështjet që i konsideron në kundërshtim me Kushtetutën.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë