Bota

“Kush fiton në AI, fiton”/ Trump minimizon shqetësimet për Inteligjencën Artificiale

Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump ka kundërshtuar publikisht idenë për ngadalësimin e zhvillimit të modeleve më të avancuara të Inteligjencës Artificiale, duke theksuar se Shtetet e Bashkuara nuk mund të lejojnë që Kina të fitojë avantazh në këtë garë teknologjike.

“Kryesojmë ndaj Kinës në AI. Jemi vendi më i avancuar në botë dhe dua që të vazhdojmë të jemi të tillë, sepse kush fiton në AI, fiton”, deklaroi Trump të dielën.

Drejtuesi i Anthropic, Dario Amodei, ka argumentuar se ritmi i përmirësimit të aftësive të modeleve duhet të ngadalësohet. Edhe drejtuesi i OpenAI, Sam Altman, ka shprehur mbështetje për masa që do të ndihmonin në kontrollin e ritmit të zhvillimit. Në të njëjtën linjë është shprehur edhe Elon Musk, i cili ka deklaruar shkurt: “Dario ka të drejtë”.

Debati është shtrirë edhe në Kongresin amerikan. Kryetari i Dhomës së Përfaqësuesve, Mike Johnson, ka deklaruar se Inteligjenca Artificiale ka nevojë për masa sigurie, por paralajmëroi se Kongresi duhet të shmangë veprimet e nxituara që mund të dobësojnë avantazhin amerikan ndaj Kinës.

Edhe tregjet financiare po e ndjekin me kujdes zhvillimin e industrisë. Investimet kolosale në AI dhe infrastrukturën e nevojshme për funksionimin e saj kanë ngritur pyetje nëse kompanitë do të jenë në gjendje të gjenerojnë kthimet e pritshme.

Aksionet e kompanive me vlerësime të larta dhe të lidhura me AI-n janë bërë veçanërisht të ndjeshme ndaj çdo sinjali për rritje të shpenzimeve ose kthime më të dobëta nga investimet.

Pavarësisht këtyre shqetësimeve, Trump mbetet i vendosur se SHBA-ja duhet të ruajë epërsinë në garën globale për inteligjencën artificiale.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë