Menaxhim

Hetimi serioz i Konkurrencës për taksitë në Aeroport, por nuk gjen dot në Google që Rinasi nuk i përket Tiranës

Nga Gazeta 'SI' - Një ditë më parë, Autoriteti i Konkurrencës urdhëroi koncesionarin e Aeroportit të Tiranës, TIA, të lejojë të gjitha kompanitë e taksive të operojnë aty pa asnjë lloj kufizimi, nga Tirana drejt Aeroportit dhe anasjelltas, duke bërë një gafë.

Urdhri u dha pasi Konkurrenca hetoi për rreth dy javë aktivitetin dhe doli në përfundimin se marrëveshja e Aeroportit vetëm me një kompani taksish, duke ndaluar kompanitë e tjera të të njëjtit shërbim, dëmton rëndë konkurrencën në këtë treg.

Deri këtu AK është korrekte, por edhe pse pretendojnë se kanë hetuar, kanë harruar të paktën të lexojnë ndonjë paragraf të ligjit për Transportin Publik, që rregullon shërbimin taksi

Ligji thotë në nenin 37 se taksive u ndalohet të kryejnë shërbime jashtë territorit ku janë regjistruar, pra nuk mund të marrin pasagjerë nga një territor tjetër, përveç se kur është rezervuar dhe mund t’i marrë të njëjtët pasagjerë në kthim.

Këtu del fakti tjetër që hetimi grotesk i Autoritetit të Konkurrencës duhet të dinte.

Sipas ndarjes administrative, Rinasi, vendndodhja e Aeroportit i përket qytetit të Krujës dhe jo qytetit të Tiranës dhe taksitë që AK thotë se duhet të shkojnë atje, i ndalon ligji.

Në rastin konkret, taksitë e regjistruara në qytetin e Tiranës, ligji i ndalon të marrin pasagjerë nga Aeroporti, që i përket qytetit të Krujës, sepse nuk janë udhëtarë të të njëjtit territor.

Harta

Auto Holiday Albania, është kompania e regjistruar në Rinas, Krujë, me të cilën TIA ka lidhur një kontratë për transportin e pasagjerëve, me një tarifë fikse 2.500 lekë, për në kryeqytet.

Gjithsesi, marrëveshja e TIA me Auto Holiday Albania nuk ka asnjë detaj publik dhe nuk ka asnjë të dhënë nëse aty renditen raste përjashtimore. Marrëveshja nisi kur Kastrati Group bleu Aeroportin e Rinasit në fund të vitit 2020 nga shoqëria Real Fortress Private Limited e regjistruar në Singapor.

Autoriteti i Konkurrencës, si në çdo njoftim tjetër, në fund përmend masat ndëshkuese nëse urdhri i dhënë nuk zbatohet. Këtë herë, paralajmëron koncesionarin se ndëshkimi do të jetë 10% e xhiros vjetore.

Konkurrenca, përtej njoftimeve, pak herë ka materializuar ndëshkimet dhe gjoba ndaj TIA-s nuk është shqetësim. Por kur një institucion që mbron tregun e lirë nuk njeh ligjet se si rregullohet ai treg, atëherë bëhet shqetësuese.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë