Para

Gratë kryefamiljare shpenzojnë për nevoja, burrat për argëtim

Familjet shqiptare vijojnë të shpenzojnë më shumë për ushqime dhe pije jo alkoolike.

Të dhënat e INSTAT tregojnë që për këtë grup produktesh bazike, janë gratë kryefamiljare ato që shpenzojnë më shumë në krahasim me burrat kryefamiljarë.

Në vitin 2018, shpenzimet mesatare mujore për konsum për një NjEF janë 75.935 lekë.

INSTAT thotë se ushqimet dhe pijet jo-alkoolike përbëjnë grupin kryesor të konsumit për familjet shqiptare, me një vlerë mesatare mujore të shpenzimeve prej 33.436 lekë. Për këtë grup konsumi, gratë kryefamiljare shpenzojnë 47,0 % dhe burrat kryefamiljar 43,6 % të buxhetit të tyre. Gratë kryefamiljare duket se shpenzojnë më shumë edhe për shpenzime për banesën, ujë, energji elektrike dhe qira e paguar, krahasuar me burrat të cilët kanë një tendencë shpenzimesh më të lartë sesa gratë në transport, restorante dhe hotele.

Të dhënat i përkasin Anketës së Buxhetit të Familjes, e cila është një vrojtim statistikor që kryhet pranë njësive ekonomike familjare (NjEF).

Nga të dhënat e Anketës së Buxhetit të Familjeve, rezulton se në vitin 2018 kishte 772.664 NjEF në Shqipëri, prej të cilave 84,5 % me kryefamiljarë burra dhe 15,5 % me kryefamiljare gra.

Sipas anketës, gratë kryefamiljare janë më shumë prezente sesa burrat në tipologjinë e familjes “person i vetëm”, numri i tyre është 2,6 herë më i madh se ai i burrave. Numri i grave që jetojnë të vetme me fëmijët e tyre është më i lartë se numri i burrave në të njëjtat kushte, për të gjitha grupmoshat.

Në Shqipëri, njësitë ekonomike familjare me kryefamiljarë burra janë 5,5 herë më shumë se familjet me kryefamiljare gra. Grupmosha 55-64 vjeç paraqet numrin më të lartë të familjeve me kryefamiljarë burra, dhe grup-mosha 65-74 vjeç për gratë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë