Politike

Gazment Bardhi: Pse kemi ende drejtësinë e mikut dhe shokut (dhe një mesazh për Olsian Çelën)

Kryetari i grupit parlamentar i PD-së, Gazment Bardhi tha gjatë fjalës së mbajtur në Kuvend, ku raportuan drejtuesit e organeve të drejtësisë, se sot vijojmë ende të kemi drejtësinë e mikut apo shokut.  

“Drejtësia e re e të paprekshmëve të vjetër nuk rregullohet as me rezoluta, as me rekomandime e as me këshilla në këtë sallë. Kështu e kam mbyllur fjalën time ekzaktësisht një vit më parë, ku njëlloj si sot miratonim rezolutat për institucionet e drejtësisë. Ka kaluar një vit dhe për fat të keq asgjë nuk ka ndryshuar. Ne vazhdojmë të bëjmë sikur rekomandojmë, ndërkohë që institucionet e drejtësisë vazhdojnë të bëjnë sikur punojnë. Kjo është tashmë një histori e njohur prej 32 vitesh – ashtu sic i njohur është edhe fakti që në Shqipëri ka një kategori individësh, që për shkak të statusit, pozicionit apo pasurisë, kanë statusin të paprekshëm.

 Ishte kjo drejtësia që ne donim të shëmbnim kur miratuam Reformën në Drejtësi me 140 vota në vitin 2016. Kërkuam të shëmbnim drejtësinë e mikut dhe shokut, drejtësinë e ndërhyrjeve politike, drejtësinë që ulte kokën përpara të paprekshmëve. Sot pas 8 viteve me keqardhje të thellë mund të themi që ende nuk ja kemi dalë.

 Ne vazhdojmë të kemi drejtësinë e mikut dhe shokut, vazhdojmë të kemi drejtësinë që pranon ndërhyrjet politike, vazhdojmë të kemi drejtësinë që ende nuk ka gjetur kurajon të ngre kokën përpara cilido”, tha ai

Po pse? Bardhi renditi disa zhvillime.

 “Ne vazhdojmë për fat të keq të kemi drejtësinë që për të mbuluar lirimin e paligjshëm të Saimir Tahirit, shpall në media pa ndodhur ende arrestimin e Vangjush Dakos.

 Ne vazhdojmë për fat të keq të kemi drejtësinë që për të hetuar Arben Ahmetajn, pret sinjale publike nëpër studio nga Kryeministri Edi Rama. Nëse ai jep sinjale se e ka lëshuar, prokurorët marrin kurajon jo vetëm ta hetojnë, por mundësisht edhe ta denigrojnë.

 Në vazhdojmë për fat të keq të kemi drejtësinë që për të hetuar e arrestuar një politikan të lart me pasuri e para të gjetura tashmë prej kohësh jashtë vendit, po pret sinjale se kur arrestimi i tij do i shërbejë Kryeministrit për të mbuluar ndonjë skandal qeveritar.

 Ne vazhdojmë për fat të keq të kemi një drejtësi ku Këshilli i Lartë i Prokurorisë i lejon vetes të shndërrojë në familje një prokurori të tërë dhe brenda një viti të emërojë aty jo dy, por plot 4 persona brenda një familje. Asnjë reagim për këtë, i vetmi shqetësim i KLP është pse drejtuesi i saj do i nënshtrohet vettingut.

 Ne vazhdojmë për fat të keq të kemi një drejtësi ku Këshilli i Lartë i Prokurorisë, nën këmbët e Kryeministrit, pret ti shkojë në sallë Ambasadorja Amerikane që të mos emërojë drejtues të SPAK një të preferuar të Edi Ramës, por dikë tjetër që ishte i vetmi që nuk pranoi ti shkojë si vartës Kryeministrit në zyre, kur ky i fundit tentoi të hapte konkursin kryeministror për të përzgjedhur ai vetë drejtuesin e SPAK”, tha Bardhi.

Më tej, ai vërejti: “Ne vazhdojmë për fat të keq të kemi një drejtësi ku Prokurori i Përgjithshëm merr bekimin e mazhorancës në këtë sallë, vetëm pasi provon se është besnik i familjes kryeministrore dhe hedh në erë një dosje të tërë, duke veçuar procedimin me nr. 335/1 dhe duke shpallur të paidentifikuar atë që e identifikon lehtësisht çdo qytetarë në rrugë, por që për Prokurorin e Përgjithshëm, asokohe prokuror i çështjes, mbetet edhe sot e kësaj dite si ‘personi i moshës 45 vjeç me flokë të shkurta’, apo ‘përdorues i automjetit me targa AA653DM”.

 “Ne vazhdojmë për të fat të keq të kemi një drejtësi ku Gjykata Kushtetuese, pasi merr në punë në të njëjtin pozicion drejtoren e kabinetit të Elisës, ka një standard për bordin e ushqimeve dhe një standard për bordin e karburanteve, edhe pse janë identike, me dallimin e vetëm që për të dytin Kryeministri ka interes të drejtpërdrejtë.

 Sa kohë ju në këtë sallë i mbushët institucionet e reja të drejtësisë me miqtë e shokë tuaj, dhe ato vazhdojnë edhe në detyrë të sillen si miqtë dhe shokët tuaj, qytetarët do presin kot drejtësi”, tha Bardhi


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë