Politike

Tabaku: Sot Erion Veliaj nuk mund të fshihet pas gishtit

Deputetja e PD-së Jorida Tabaku komentoi paraqitjen në SPAK të Erion Veliajt.

“Hapat që hedh sot Erjon Veliaj drejt hetuesve dhe prokurorëve, nuk duhet të jenë çudi; janë më se të mirëpritur dhe kujtesë për këdo se korrupsioni që është kthyer në “oksigjenin” e qeverisjes lokale dhe qendrore nuk mund të tolerohet më.

Pavarësisht se u përpoq ta servirte fletëthirrjen si një procedurë rutinë se u fsheh pas gjoja “bashkëpunimit” me godina si një i frikësuar, Erion Veliaj nuk mund të fshihet më pas gishtit dhe do të përgjigjet dhe të sqarojë përpara prokurorëve të SPAK rolin e tij në aferën e inceneratorëve...” , shkruan Tabaku

“Në Komisionin Hetimor të Inceneratorëve, dy vite më parë Veliaj u paraqit si një nga dëshmitarët e shumtë të aferës korruptive të 430 mln eurove; e nën betim mohoi dhe gënjeu mbi rolin e tij. Por e vërteta ndonëse vonon, kurrësesi nuk harron.

Dhe të mendosh që firma e tij e hedhur për një procedurë të pamiratuar nga Këshilli Bashkiak sikundër dhe angazhimi tij financiar për një projekt me vlerë 90 mln euro, që nuk i kishte buxheti dhe nuk qenë miratuar në KB është vetëm maja e ajsbergut të instalacionit të korrupsionit.

Testi do të jetë sqarimi saktësisht i përgjegjësisë së kryebashkiakut Veliaj në përcaktimin e një tarife të pabazuar në asnjë ligj dhe në vendosjen e një monopoli “për plehrat” që i ka siguruar deri dy vite më parë 50 mln euro inceneratorit të Tiranës dhe që sot është shtuar edhe me dhjetë milionë euro ekstra; pasi ai “dheu” që merret nga këta ndërtues përdoret për inkapsulimin e mbetjeve dhe plehrave në landfillin e Tiranës pikërisht nga kompania e inceneratorëve. Që për këtë punë u merr ndërtuesve edhe 60 mln euro.

Do të duhet që të shpjegojë fije e për pe se si ka mundësi që njeriu që ishte krenar për projektin e inceneratorëve ka ndjekur punimet për ngritjen dhe zbatimin e kontratës që ai me aq zell e miratoi dhe që i kushtoi, së paku në letra, shqiptarëve mbi 300 mln euro.

Dhe së fundi, shpresoj që sot mos të gënjejë përpara SPAK ashtu siç bëri në Komisionin Hetimor dhe përpara qytetarëve”, vërejti ajo në postimin e Facebook


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë