Politike

Franca dhe Holanda heqin veton vetëm nëse Shqipëria riatdheson azilkërkuesit?

“Presidenti Emmanuel Macron do të japë miratimin për hapjen e negociatave vetëm nëse Shqipëria nënshkruan një dokument për riatdhesimin e të gjithë azilkërkuesve nga Franca”. Këto janë raportet që qarkullojnë orët e fundit në mediat europiane dhe rajonale, e që kanë ngritur jo pak shqetësim për qëndrimin e Francës ndaj Shqipërisë dhe Ballkanit Perëndimor në prag të samitit të marsit.
Një zyrtar i lartë europian, duke folur në kushte anonimiteti, ka zbuluar se Franca nuk është mjaftuar vetëm me ndryshimin e metodologjisë së zgjerimit, por ka vendosur si kusht edhe zgjidhjen e çështjes së azilkërkuesve.
“Franca ka vënë si kusht për të tërhequr veton ndaj negociatave me Shqipërinë riatdhesimin e të gjithë azilkërkuesve nga vendi i vogël i Ballkanit Perëndimor”, shkruan gazeta e njohur europiane “Euractiv”. “Zyrtarë të lartë në Bruksel bëjnë të ditur se Parisi pritet të kërkojë nënshkrimin e një dokumenti dypalësh për rikthimin e azilkërkuesve në vendin e tyre”, thekson gazeta.
Lajmi është konfirmuar më pas edhe nga agjencia e lajmeve “Balkan Insight”, e cila po ashtu citon zyrtarë të lartë të BE-së. Sipas kësaj agjencie, të njëjtit shqetësim i është bashkuar edhe Holanda, e cila po ashtu kërkon që qeveria shqiptare të riatdhesojë azilkërkuesit.


“Zyrtarët e BE-së thonë se Shqipëria e ka më të vështirë të marrë dritën jeshile për bisedimet, pasi Franca dhe Holanda kanë kushtëzuar dhënien e dritës jeshile për negociatat vetëm nëse Tirana nënshkruan një marrëveshje për riatdhesimin e azilkërkuesve”, shkruan “Balkan Insight”.
Ajo thekson se pasi Komisioni Europian propozoi metodologjinë e re të zgjerimit, Parisi ka të ngjarë të mbajë një qëndrim më të “butë”, por se kërkon paralelisht që Shqipëria të angazhohet për çështjen e azilkërkuesve.
Në tetor, Franca bllokoi fillimin e negociatave zyrtare të pranimit në BE me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut kundër dëshirave të shumicës së anëtarëve të tjerë të BE-së. Në konferencën e pëbashkët me kancelaren gjermane Angela Merkel, Presidenti francez, Emmanuel Macron konfirmoi se qëndrimi i Parisit për të mos hapur negociatat as me Shqipërinë dhe as me Maqedoninë e Veriut lidhet me kërkesat e larta të azilkërkuesve shqiptarë në Francë.
Në konferencën për shtyp pas takimit me Angela Merkel në Tulusë, Macron e cilësoi absurd faktin që vendet që dëshirojnë anëtarësimin në Bashkimin Europian, para se të nisin negociatat marrin lëvizjen e lirë në vendet e Unionit.
“Është e vështirë ti shpjegoj francezëve që do ti hapin negociatat Shqipërisë sepse Shqipëria cilësohet si një vend i sigurt dhe nuk mund ta shpejtoj pse kemi probleme me azilkërkuesit nga një vend i sigurt. Nuk mund të bëj gjëra që francezët e kanë të pamundur ta kuptojnë”, tha Macron.

Edi Rama dhe kryeministri holandez, Mark Rutte, Gazeta Si, 2020


“Kemi gjëra të tjera për të përfunduar më pas të hapim negociatat. Mendoj që duhet të reformojmë edhe procedurën e anëtarësimit dhe të hapjes së negociatave, sepse ka shumë gjëra absurde, si shembull kemi lëvizjen e lirë përpara se të hapen negociatat. Kemi lëvizjen e lirë me Shqipërinë pa hapur negociatat dhe kjo është njëlloj marrëdhënie e çuditshme. Në mirëbesim kemi dhënë lëvizjen e lirë dhe kemi mijëra e mijëra persona që kërkojnë azil këtej”, deklaroi ai.
Natasha Wunsch, eksperte e Integrimit Europian në Bruksel thotë se metodologjia e re e Komisionit Europian për negociatat me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut pritet të jetë një shtysë e madhe për Francë, sidomos sepse i ofron mundësi vendeve anëetare të jenë pjesë dhe të kushtëzojnë procesin.
“Metodologjia e re i hap rrugën mbikëqyrjes politike nga shtetet anëtare, dhe duke theksuar kthyeshmërinë e negociatave. Prandaj mendoj se metodologjia e rishikuar është një shans i mirë për të nxitur Francën, dhe posaçërisht Presidentin Francez Macron, të pranojnë hapjen e negociatave me Tiranën dhe Shkupin në samitin e ardhshëm BE-Ballkan Perëndimor në maj”, shprehet ajo në një intervistë me “European Western Balkans”.
Por një nga shqetësimet e ekspertëve pas prezantimit të kësaj metogologjie ka qënë se vendet anëtare mund të vendosin ta kushtëzojnë procesin e integrimit për shkak të interesave të tyre të brendshme që nuk lidhen me unionin.
Franca dhe Holanda kanë ngritur prej kohësh shqetësime për emigrantët shqiptarë, Parisi për shkak të radhëve të azilkërkuesve dhe Amsterdami për shkak të rritjes së kriminalitetit shqiptar. Ky i fundit pat kërkuar madje një vit më parë edhe pezullimin e liberalizmit të vizave për Shqipërinë, kërkesë që u refuzua nga Komisioni Europian.
Franca ndërkohë vëren hapa pas për shkak të numrit të madh të azilkërkuesve pasi shqiptarët janë të dytët pas afganëve.
Në 2015 pati një fluks të pashembullt të shtetasve shqiptarë që aplikuan për azil kryesisht në Gjermani e Francë. Kjo detyroi autoritetet vendeve të prekura që të shtojnë komunikimin me Tiranën për të parandaluar këtë fenomen.
Menjëherë nisi një fushatë informimi edhe nga Bashkimi Europian, ku theksohej se Shqipëria bënte pjesë tek vendet e origjinës të sigurta dhe shtetasit e saj nuk mund të përfitonin azil. Megjithatë, fenomeni vazhdon ende, ndonëse jo në përmasat e 2015.

Angela Merkel dhe Emmanuel Macron. Gazeta Si, 2020


Sa shqiptarë kërkojnë azil në vendet e BE-së?
Shqipëria ua ka kaluar edhe vendeve në gjendje lufte për aplikimet për azil në Bashkimin Europian. Në gjashtë muajt e parë të vitit që lamë pas, vendi ynë ishte i pari në botë për kërkesat për azil në vendet e BE në raport me popullsinë. Për shkak të politikave sociale, destinacioni kryesor i shqiptarëve ka qenë Franca, ku janë paraqitur gati gjysma e totalit të kërkesave për azil. Në gjashtë muajt e parë të 2019-ës, 4,335 shqiptarë kanë aplikuar për azil në shtetin francez.
Sipas përllogaritjeve, 2000 shqiptarë në muaj kanë bërë kërkesa për azil gjatë vitit 2019. Në 6 muajt e parë të vitit janë larguar mesatarisht për çdo 100 mijë banorë 55 shqiptarë.
Thuajse me dy herë më pak aplikime se Shqipëria renditet Siria, ku sipas përllogaritjeve, duke u bazuar në numrin e popullsisë, kanë aplikuar për azil mesatarisht 29 sirianë për çdo 100 mijë banorë.
Megjithëse pritshmëritë ishin që numri i azilkërkuesve të binte për shkak të refuzimeve, të dhënat nga Eurostat tregojnë se numri i shqiptarëve që duan të lënë vendin është rritur në vitin 2019. Për më tepër, nga Shqipëria ka patur 10,680 kërkesa në të gjithë BE-në. Kjo do të thotë që, që nga fillimi i vit, mesatarisht 1780 shqiptarë janë larguar nga vendi çdo muaj.
Pas Francës, shteti i dytë me numrin më të madh të azilkërkuesve shqiptarë është Mbretëria e Bashkuar, ku 1870 persona janë regjistruar për aplikime në gjashtë muajt e parë të 2019, pasuar nga Greqia me 1480 kërkesa për azil dhe Italia me 830. Gjermania prej kohësh është shndërruar në një destinacion më pak të preferueshëm, pasi shanset për të marrë një përgjigje pozitive janë të shumë herë më të ulëta. Për gjashtë muajt e parë të vitit 2019, të dhënat nga Eurostat tregojnë se vetëm 850 shqiptarë kanë aplikuar për azil në Gjermani, pasi shqiptarët preferojnë të emigrojnë drejt ekonomisë më të madhe të BE-së nëpërmjet kontratave të punës.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë